Ndërlidhjet

logo-print

KULTURA KUSHTON SHUMË, POR MUNGESA E SAJ EDHE MË TEPËR


Bekim Lumi, Prishtinë

Ka kaluar plot një vit që kur kam inskenuar ndonjë shfaqe për fëmijë, sepse nuk kam gjetur mbështetje materiale për punën time, thotë regjizorja dhe aktorja Melehate Qena, e cila për 17 vjet me rradhë në teatrin Dodona dhe në teatro të tjera të Kosovës ka realizuar kryesisht shfaqje për fëmijë dhe shfaqje me kukulla.
"Më tetë mars bëhet viti që unë nuk kam inskenuar shfaqe në Dodonë, sepse fatkeqësisht po ndodh diçka që nuk duhej të ndodhte, po ndodh diçka që as në ëndërr s'kemi mundur as unë as grupi im ta mendojmë. Para kësaj lufte të tmershme ne jemi bashkuar të gjithë dhe kemi duruar kemi shpresuar që pas një periudhe të rëndë do të vijë një periudhë më e mirë që do të na kuptojnë, që do të na japin më tepër për kulturë sepse dihet që kultura kushton, por mungesa e saj kushton shumë më shtrenjtë. Fatkeqësisht edhe garnitura që është në postet e udhëheqjes së kulturës, madje do të thoja me plot përgjegjësi nuk kujdeset fare për kulturën."
Ndonëse, shton Melehate Qena, kam një projekt ide për inskenimin e baladave shqiptare, ato vazhdoj të mos i inskenoj për shkak të mungesës së mjeteve materiale, të cilat më janë premtuar por ende nuk më janë dhënë.
"Projektin me baladat shqiptare e kam patur ndërmend ta realizoj në Dodonë, por Dodona vërtet nuk i ka kushtet për atë shfaqe. Ajo është shfaqe pak më e madhe, ku luajnë një numër më i madh aktorësh dhe më kanë premtuar që në Teatrin Kombëtar do të mi sigurojnë mjetet, jo Teatri Kombëtar, por do të mis sigurojë Ministria e Kulturës mjetet për t'a realizuar. Tani për tani vetëm në fjalë por shpresoj që ndoshta fjalët do të bëhen vepër, megjithëse s'kam besim në Ministrinë e Kulturës, pasi sa herë më kanë premtuar diçka, nuk i kanë plotësuar kurrë premtimet", thotë zonja Qena.
Krahas mungesës së mjeteve materiale për inskenimin shfaqeve për fëmijë, regjizorja dhe aktorja Melehate Qena flet gjithashtu për gjendjen e mjeruar materiale të artistëve kosovarë.
" Unë po flas vetëm për teatrin ku punoj, për Teatrin e Fëmijëve. Ju lutem ne nuk e kemi asnjë qindarkë për veprimtari. Ne i kemi vetëm rrogat. Unë jam regjizore dhe rroga ime është 170 euro. 170 euro pa atë 5 % që mbahet, se me atë e kam edhe më pak rrogën. Prandaj unë me 170 euro dhe aktorët e mi që marrin 140 euro, vërtet është absurde të mendosh se mundemi të ndajmë diçka prej rrogave tona për ta punuar një shfaqe, ose për të jetuar. Në këto kushte, edhe aktorët edhe unë jemi të detyruar të punojmë edhe 100 punë të tjera për të mundur të egzistojmë", thotë zonja Qena.
E gjithë kjo gjendje e mjerueshme e artistëve dhe e artit krijon një atmosferë antikrijuese, jo vetëm në teatrot kosovare, por në të gjitha fushat e artit, thotë regjizorja Melehate Qena duke shtuar:
"Në rradhë të parë vjen prej Ministrisë së Kulturës, sepse nuk i vlerëson njerëzit ose nuk i ve njerëzit e duhur aty ku do duhej t'i verë dhe pastaj kur merr e keqja përmasa të mëdha, humbin kriteret dhe s'fiton mendja por fiton forca. Dhe në atë luftë të pabarabartë, njeriu në qoftëse me mendon me punën e vet të sinqertë me fituar diçka është gjithmonë humbës. Kjo është e dhimbshme".




XS
SM
MD
LG