Ndërlidhjet

HOLKERI PËRSËRIT VENDIMIN PËR LARGIMIN E FUCIT NGA AKM-JA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri ka përsëritur sot vendimin e tij që Marie Fuci, të largohet nga posti i drejtoreshës së Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Jeff Bieley, tha se vendimi i Holkerit i është kumtuar sot dhe njëherë drejtuesit të shtyllës së katërt të UNMIk-ut, Nikolas Lambsdorff, nga i cili kërkohet zëvendësimi i Fucit:
“Marie Fuci nuk mund të vazhdojë që të jetë drejtorëshë e AKM-së dhe se ashtu siç ka thënë shefi i UNMIK-ut në letrën e tij të drejtuar dhe mediave më 10 prill, vendimi për zëvendësimin e Marie Fucit është marrë me qëllim të vazhdimit të privatizimit në mënyrë më të vendosur”, tha Bieley.
Mirëpo, dje, Marie Fuci ka refuzuar ta pranojë vendimin e shefit të UNMIK-ut, duke pohuar se ajo ende është drejtoreshë e AKM-së. Burime tjera nga UNMIK-u kanë pohuar se mosmarrëveshjet janë rezultat i disa kundërshtimeve në mes shefit të UNMIK-ut dhe drejtuesit të shtyllës së katërt të kësaj administrate, Nikolas Lambsdorff. Sipas këtyre burimeve, Holkeri i ka rikujtuar sot zotit Lambsdorff përmes një letre të shkruar se ai duhet që të fillojë procedurën e zëvendësimit të Marie Fucit.
Ndërkohë, përfaqësues vendorë, vlerësojnë se rezistimi i Marie Fucit që të largohet nga posti i menaxheres së AKM-së, nuk ka mbështetje ligjore, pasi në rregulloren për themelimin e kësaj agjencie thuhet se shefi i UNMIK-ut e ruan të drejtën e shkarkimeve të anëtarëve nga bordi, kur ndonjëri prej tyre nuk i kryen detyrat sipas rregullores dhe akteve në fuqi.
Ministri për Tregëti dhe Industri në Qeverinë e Kosovës, njëherit nënkryetar i Bordit të AKM-së, Ali Jakupi, thotë se edhe më herët e kishte përshëndetur vendimin e Holkerit për largimin e Fucit, edhe pse sipas tij, largimi i saj nuk do t’i riparojë shumë pasoja që i janë bërë privatizimit me zvarritjet e vazhdueshme. Po ashtu, nënvizon ministri Jakupi, largimi i Fucit pa ndryshimin e politikave operacionale nuk do ta ndihmojë shumë privatizimin, duke shtuar se megjithatë, largimi i saj është i domosdoshëm:
“Unë nuk mund ta them se krejt peshën e përgjegjësisë e ka ajo. Por fakti flet vetë se që nga koha që ka ardhur, natyrisht dhe me një strukturë tjetër të njerëzve të stafit në këtë vend pune, procesi i privatizimit ka ngecur. Dhe, askush nuk mund të më bindë se nëse bën rezistencë ajo, s'di çfarë të drejtë do të fitojë me këtë, që do të shkojnë punët më mirë? Ato do të shkatërrohen plotësisht, edhe më keq se ç'kanë qenë. Ose tek e fundit s'ka ku shkon më keq, do me thënë një ngecje prej gjashtë shtatë muaj që është një dëm mjaft i madh për ekonominë e Kosovës”, tha ministri Jakupi.
Po ashtu dhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Bahri Shabani, njëherit anëtar i Bordit të AKM-së, thotë se qëndrimet e Fucit nuk mund të mbështeten në rregulloren e UNMIK-ut për AKM-në, kur dihen fuqitë e rezervuara të shefit të UNMIK-ut, i cili tashmë ka vendosur ta largojë atë:
“Menaxheren e zgjedh Bordi, kjo është e vërtetë me ato nenet që kjo është thirrur, mirëpo është një nen tjetër ku parashihet që ne i japim llogari drejtpërsëdrejti kryeadministratorit dhe ai e ka të drejtën e rezervuar kurdo që e parasheh ai se një anëtar nuk e kryen punën e vet si duhet, ta shkarkojë atë. Prandaj kjo është drejtpërdrejt në kompetencë të tij”, tha Bahri Shabani.
Përndryshe në rregulloren për themelimin e AKM-së, thuhet se drejtorët mund t’i shkarkojë nga detyra Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, dhe më pas në të njëjëen rregullore parashihen dhe arsyetimet pse shefit të UNMIK-ut i rezervohet kjo e drejtë.


XS
SM
MD
LG