Ndërlidhjet

GRUPI PËRKRAHËS ZOTOHET TË MBËSHTESË ZHVILLIMET NË KOSOVË


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Grupit Përkrahës për Kosovën u takuan sot me drejtuesit e UNMIK-ut, si dhe me udhëheqësit shqiptarë dhe serbë të institucioneve dhe partive politike të Kosovës, për të vlerësuar se çka është bërë në fushën e rindërtimit pas trazirave të marsit si dhe për hapat që duhet të ndërmerren për të çuar përpara procesin politik.
Grupi Përkrahës për Kosovën përbëhet nga vendet anëtare të Grupit të Kontaktit, Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e NATO-s.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Stephan Lehne tha pas takimit se ky grup do të mbështesë UNMIK-un dhe institucionet vendore në përmbushjen e standardeve.
“Qëllimi kryesor ta është ta mbështesim UNMIK-un në punën e tij, veçanërisht në standardet për Kosovën. Grupi i Kontaktit do të vijë rregullisht këtu dhe do të marë raporte në përparimet e bëra në përmbushjen e standardeve. Ata do të kenë bisedime me udhëheqësit shqiptarë dhe serbë të Kosovës për të identifikuar prioritetet”, tha z.Lehne.
Kryeminstri i Kosovës Bajram Rexhepi tha se me këtë grup do të forcohet roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, por edhe i Grupit të Kontaktit.
Ky fakt sipas Rexhepit do të shpejtojë proceset në Kosovë.
“Pritjet janë të mëdha pasi ky grup është më operativ, pasi mund të identifikohen prioritetet e Kosovës dhe sa më shpejt të shkojmë drejt cakut, drejt implementimit të standardeve dhe zgjidhjes së statusit final”, tha Rexhepi, duke shtuar se në takim është shprehur gadishmëria, që institucioneve të Kosovës t’u transferohen kompetenca në shumë lëmi.
“Nuk ka ndonjë temë tabu që nuk mund të diskutohet, një transfer i tyre do të bëhet shumë shpejt, qoftë për zyra qoftë në lëminë e ekonomisë, në mënyrë që qeveria e ardhshme të jetë komplete, përveç ministrisë së mbrojtjes nuk ka ndonjë refuzim dhe do të gjejmë formën më të mirë," tha Rexhepi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi ka përshëndetur nismën për themelimin e Grupit Përkrahës për Kosovën, duke e vlerësuar atë si hap drejt sforcimit të rolit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
“OKB do ta ketë rolin e vet në të ardhmen e afërt në Kosovë, por ne do të punojmë me të gjithë potencialin tonë me Grupin Përkrahës dhe do të kemi një ndryshim të raporteve në kuptimin pozitiv prej UNMIK-ut në institucionet e zgjedhura vendore,” tha Thaçi.
Ndërkaq përfaqësuesi i Koalicionit serb “Kthimi”Oliver Ivanoviç, tha se i ka njoftuar përfaqësuesit e Grupit Përkrahës për Kosovën për ngjarjet e marsit.
Ai tha se Grupi i Kontaktit dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë pajtohen me serbët se liderët shqiptarë duhet të marrin përgjegjësinë që kanë për dhunën e fundit në Kosovë.
“Nuk është e rëndësishme nëse gjatë marsit pati spastrim etnik apo jo, është me rëndësi që të gjithë përgjegjësit të gjykohen dhe që ata që i drejtojnë institucionet e përkohshme të marrin seriozisht barrën e tyre të përgjegjësisë”, ka thënë Ivanoviç.
Në takimin e parë të Grupit Përkrahës për Kosovën, sipas pjesëmarësve është theksuar nevoja e fillimit të dialogut ndëretnik.
Grupi Përkrahës për Kosovën do të takohet çdo 6 javë për të dhënë vlerësime për gjendjen politike dhe ekonomike.
Vendet anëtare të Grupit të Kontaktit janë të përfaqësuar në këtë grup me zëvendësrejtorët e tyrë politike të Ministrive të Punëve të Jashtme, kurse Qeveria e SHBA-ve përfaqësohet nga ndihmëssekretarja e Departamentit amerikan të Shtetit Kathleen Stephens.
Ideja për krijimin e Grupit Përkrahës për Kosovën është dhënë nga nënsekretari amerikan për çështje politike Marc Grossman, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG