Ndërlidhjet

logo-print

MCSHANE: TË FUQIZOJMË QEVERINË VENDORE DHE TË KALOJMË NËN HIJE UNMIK-UN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova duhet të qeveriset shumë më tepër nga kosovarët dhe sa më pak nga UNMIK-u, ka pohuar sot në Prishtinë, ministri britanik për Evropën, Dennis McShane, duke shtuar menjëherë se për ta arritur këtë shkallë të qeverisjes, Kosova duhet që së pari t’i plotësojë standardet. Ai i ka bërë këto komente, pas takimeve të ndara me udhëheqësit më të lartë ndërkombëtarë dhe ata vendorë në Kosovë. McShane, tha se Kosova nuk mund të kthehet më në vitin 1999 e as në vitin 1989, dhe u bëri thirrje si Prishtinës ashtu edhe Beogradit që të përqafojnë standardet dhe integrimet evropiane.
“Ne duam që Kosova të jetë Kosovë, kurse Serbia të jetë Serbi dhe ne duam që kosovarët dhe serbët t’i pranojnë normat dhe vlerat evropiane të cilat do t’u mundësonin të jetojnë së bashku”, tha Denis McShane, duke mos dashur që të hyjë në detaje të tjera sipas interesimit të gazetarëve, nëse nënkupton kjo që Kosova dhe Serbia do të hyjnë së bashku apo ndaras në Evropë. Sidoqoftë, ministri britanik, tha se për këtë fazë kosovarët duhet të përqëndrohen kryesisht në përmbushjen e standardeve dhe krijimin e një shoqërie tolerante, duke fuqizuar vazhdimisht qeverinë vendore dhe kalimin nën hije të UNMIK-ut.
“Komuniteti ndërkombëtar, UNMIK-u, KFOR-i, Bashkimi Evropian e mekanizma të tjerë, janë mjaft të mirëseardhur këtu, por ata nuk mund ta zëvendësojnë vullnetin e popullit të Kosovës, të serbëve, shqiptarëve, romëve, që të ndërtojnë ardhmërinë e tyre,” tha Dennis McShane. Gjatë qëndrimit dyditor, ai ka vizituar mbrëmë dhe sot kishën Shën Nikollës në Prishtinë, të dëmtuar nga trazirat e marsit. Gjatë një vizite të përbashkët në këtë kishë me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, ky i fundit e siguroi ministrin britanik, se të gjitha dëmet e trazirave të marsit do të riparohen, kurse skenat e tilla të dhunës nuk do të përsëriten më kurrë në Kosovë. Rugova më pas tha se definimi i statusit të Kosovës do të qetësonte gjendjen në Kosovë dhe rajon:
“Biseduam që duhet ta vazhdojmë progresin e Kosovës dhe gjithsesi edhe pavarësinë tonë, nesër sa më shpejtë ta bartim në Evropë, siç e kanë bartur edhe vendet tjera, siç është Britania e Madhe dhe kjo do t’i kënaqte njerëzit dhe do të kishim ecur shumë më shpejt”, tha presidenti Rugova.
Kurse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas takimit me zotin McShane, se ka besim që kredibiliteti i dëmtuar i UNMIK-ut dhe legjitimiteti në krizë i institucioneve vendore pas ngjarjeve të marsit, megjithatë do të riparohet pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë:
“Pesë vite pasi që arritëm lirinë e Kosovës, jam i bindur se angazhimi, politik, diplomatik e ushtarak i ndërkombëtarëve, nuk do të tradhëtohet nga institucionet e vendit dhe nga populli i Kosovës, sepse edhe përkushtimi ynë është që të kemi një status në përputhshmëri me vullnetin e popullit të Kosovës, por mbi të gjithat duhet të kuptojmë se viti 2005 nuk do të jetë vetëm për statusin final, por do të jetë dhe për statusin evropian të Kosovës, aty ku edhe e kemi vendin”, ka thënë Thaçi.
Dje dhe sot, Dennis McShane, ka takuar dhe shefin e UNMIK-ut, Harri Holkeri, kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi, kryeparlamentarin Nexhat Daci, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj si dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Pas Prishtinës, McShane tha se do të udhëtojë për në Beograd për të vizituar mes tjerash dhe xhaminë e dëmtuar atje.



XS
SM
MD
LG