Ndërlidhjet

logo-print

PECI: NEVOJITET KORNIZË INSTITUCIONALE PËR PARTNERITETIN NË MES UNMIK-UT DHE VENDORËVE


Lulzim Peci, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Peci, trazirat e muajit të kaluar janë pasuar edhe me tone kritike të përfaqësuesve të administratës ndërkombëtare dhe të vendorëve, për mosefikasitet dhe ngathtësi në parandalimin e trazirave. Si i komentoni ju akuzat e të dyja palëve?

LULZIM PECI
Së pari do të isha ndalur tek akuzat e bashkësisë ndërkombëtare e cila i është drejtuar lidershipit politik të kosovarëve këtu në Kosovë. Unë mendoj se
lidershipi politik sidomos më 17 mars, nuk ka reaguar në mënyrë të vendosur për ndalimin e protestave. Këtu kisha dashur të cek sidomos punën e parlamentit në ditën e protestave, e cila nuk ka qenë në nivel të perceptimit të zhvillimeve të cilat kanë qenë në Kosovë. Në qoftë se do ishte vepruar politikisht më fort do të mund të kishte pasur një lloj ndikimi si dokudo të ndalimit edhe më të shpejtë dhe të moseskalimit të dhunës e cila ndodhi ndërkohë. Sa i përket akuzave të institucioneve tona ndaj UNMIK-ut, besoj se edhe këto akuza kanë shumë të vërteta. Së pari në aspektin e sigurisë i cili kontrollohet dhe menaxhohet nga bashkësia ndërkombëtare, mund të them se ky sistem ka kolapsuar me 17 dhe 18 mars. Për mua ka qenë shumë e çuditshme këto dy ditë që si KFOR-i dhe policia ndërkombëtare nuk kanë patur as plane e kontigjente se si të veprojnë në situata të tilla. Për mua kjo ka qenë një dështim i plotë i sistemit të sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i Kombeve të Bashkuara u ka ofruar partneritet institucioneve të Kosovës për të gjetur rrugëdalje nga situata e krijuar. Sipas jush si do të duhej të zhvillohej ky partneritet? Në çfarë kornizash?

LULZIM PECI
Që ky partneritet të realizohet dhe të jetë i aplikueshëm, mendoj se duhet të ndryshohen disa gjëra. Pikë së pari ndoshta ka nevojë për një rishikim mjaft të konsiderueshëm të mandatit të tanishëm të UNMIK-ut, që të kemi më shumë lidership politik nga ana e UNMIK-ut sesa administrim si kemi patur deri tani, ndërsa partneriteti mund të ndërtohet vetëm në mes të partnerëve. Për këtë arsye nevojitet edhe korniza institucionale për ta përcaktuar këtë partneritet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Peci, gjatë kësaj jave pritet të mbahet një takim ndërmjet autoriteteve ndërkombëtare, përfaqësuesve shqiptarë e serbë për rindërtimin e besimit të humbur ndëretnik. Çfarë mund të bëhet më shumë në këtë drejtim?

LULZIM PECI
Në këtë aspekt çështja kryesore që duhet të adresohet në këtë moment është siguria e përgjithshme në Kosovë, sidomos siguria e pakicave kombëtare në Kosovë. Në anën tjetër kemi nevojë që të rishqyrtohet mënyra e integrimit të serbëve në Kosovë. Këtu ka mjaft punë dhe nuk mendoj se mund të bëhet me një takim sepse është një punë mjaft serioze. Për t'u siguruar një efektivitet nevojitet një presion shumë më i madh ndërkombëtar mbi Beogradin që ta ndalë politikën agresive mbi Kosovën. Nëse kjo nuk bëhet unë jam skeptik se mundemi të bëjmë diçka.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të mund të ndikonin të gjitha këto zhvillime në përmbushjen e standardeve të përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar dhe cila rrugë duhet ndjekur për ta përmbushur afatin e caktuar?

LULZIM PECI
Unë së pari mendoj se duhet ndërtuar ky partneritet me një kornizë të qartë institucionale dhe politike, sepse pa të dhe pa lidership politik për ta shtyrë këtë proces përpara, është shumë e vështirë që të mund të realizohen këto standarde në kohën e caktuar, ndoshta dhe në një afat më të gjatë. Ngjarjet e fundit kanë treguar dhe disa të meta të standardeve se si janë planifikuar që të bëhen. Së pari sa i përket çështjes së sigurisë në standarde nuk ka elemente të cilat do të kishin mundësuar zhvillimin e kontrollit demokratik mbi forcat e sigurisë prej qeverisë tonë, këtu mendoj në polici. Për sa i përket çështjes së gjyqësisë duhet të punohet seriozisht në lidhje me këtë punë, por po flas konkretisht për dy ministri, ministrinë e punëve të brendshme dhe ministrinë e drejtësisë. Mirëpo mendoj se përsa i përket dialogut rajonal edhe më tutje ne kemi nevojë që së paku ta ndërtojmë bërthamën e ministrisë së punëve të jashtme në atë nivel që do të kishte karakter këshillues, sepse pa zgjidhur statusin vështirë është që të funksionojë në mënyrë normale. Mendoj se këto janë pikat me të cilat duhet të rishikohet edhe vetë koncepti i standardeve.

Intervistoi Bekim Bislimi


XS
SM
MD
LG