Ndërlidhjet

logo-print

SCHEFFER: JAM I ZHGËNJYER ME LIDERËT KOSOVARË


Albana Isufi, Prishtinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer ka kritikuar sot liderët shqiptarë të Kosovës se nuk kanë bërë shumë në rindërtimin e besimit dhe nuk e kanë dënuar fuqishëm dhunën pas trazirave të marsit, siç ishte kërkuar nga ta para një muaji.
Scheffer, thotë se është i zhgënjyer pasi që ka pritur nga udhëheqësit shqiptarë të bëjnë më shumë në ngritjen e besimit ndëretnik.
Këto komente Scheffer i bëri në një konferencë për gazetarë në fund të vizitës së tij në Kosovë, pasi kishte takuar liderët e institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare. Scheffer qëndroi në Kosovë së bashku me 26 ambasadorët e Këshillit Veriatlantik si dhe me Komandantin Suprem të NATO -së gjeneralin James Johnes dhe me komandantin e krahut jugor të Aleancës admiralin Gregory Johnson.
“Jam thjesht i zhgënjyer se nuk mjafton që të dënohet dhuna. Nuk mjafton thjesht që të ndërtohen shtëpitë pasi ato u dogjën, sikurse kishat dhe manastiret. Kështu, që e them me keqardhje se nuk e pranojmë pasivitetin e shumicës shqiptare të Kosovës," tha Scheffer, duke kërkuar nga ata që të udhëheqin dhe të marrin përgjegjësi.
”Udhëheqës politikë të shumicës shqiptare të Kosovës udhëhiqni, merrni vendime, merrni përgjegjësitë tuaja, dënoni dhunën, ndalojeni që të mos ndodhë sërish, bëjeni atë që duhet ta bëni," tha Scheffer duke shtuar se në mesin e liderëve shqiptarë të Kosovës nuk sheh iniciativa të tilla që liderin e bëjnë të jetë lider, por më shumë sheh një qëndrim të tyre duarkryq.
Scheffer ka përsëritur përkushtimin e NATO-së për të ofruar siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe ka shtuar se dhuna e marsit nuk do të lejohet që të përsëritet më kurrë. Ai ka thënë se nuk s’ka kërkim falje për dhunën dhe se ekstremistët shqiptarë që shkaktuan trazirat mos të mashtrohen se bashkësia ndërkombëtare mund ta pranojë sjelljen e tyre.
“Askush mos të mashtrohet se bashkësia ndërkomëbatre mund të heqë dorë nga politika e standardeve për Kosovën për shkak të dhunës së marsit. Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm këtë proces dhe është me rëndësi që komuniteti serb t’i bashkohet këtij procesi”, tha Scheffer duke shtuar se duhet të zhvillohet edhe dialogu i brendshëm në Kosovë sikurse edhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.
Scheffer ka thënë se NATO është duke marrë parasysh emërimin e një emisari të saj për të qenë më afër zhvillimeve politike në Kosovë, por ende nuk ka ndonjë vendim definitiv për këtë. Ai ka thënë se trupat shtesë të NATO-s do të qëndrojnë edhe më tej në Kosovë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Jaap de Hoop Scheffer qëndroi para një muaji në Kosovë me ç’rast u pati bërë thirrje liderëve kosovarë që të dënojnë dhunën dhe të ndërtojnë besimin e humbur.

XS
SM
MD
LG