Ndërlidhjet

UDHËHEQËS TË QENDRAVE TELEVIZIVE KUNDËRSHTOJNË VLERËSIMET E KOMISIONERIT TË PËRKOHSHËM PËR MEDIAT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Fajësimi i mediave në masën që po prezantohet në lidhje me ngjarjet e marsit nuk është i drejtë, vlerësojnë drejtuesit e Televizionit Publik të Kosovës dhe ata të transmetuesit të pavarur Kohavizion. Sipas tyre, transmetuesit vendorë, nuk mund të thuhet se kanë qenë të përkryer, por në analizat rreth shkaqeve që nxitën trazirat e marsit, sipas këtyre dy televizioneve, duhet analizuar dhe puna e institucioneve ndërkombëtare dhe atyre vendore.
Liridon Cahani, drejtor i Televizionit të Kosovës, është i bindur se përkundër disa lëshimeve, Televizioni i Kosovës nuk mund të thuhet se ka qenë një prej nxitësve të asaj që ndodhi gjatë 17 dhe 18 marsit:
"Unë mendoj se është e vërtetë që mediat po fajësohen më tepër se ka qenë roli i vërtetë i mediave në këto trazira. Nuk kam parë një qasje të tillë analitike ta quajmë, të kujtdo qoftë, të cilitdo institucion ndërkombëtar që ka ndërmarrë një lloj pune të tillë; domethënë një raport të tillë për punën e vet", thotë Liridon Cahani.
Në anën tjetër, drejtori i Kohavizionit, Lekë Zherka, pohon se autoritetet, siç janë në këtë rast OSBE-ja dhe Komisioneri i Përkohshëm për Media, kanë gjetur, sipas tij, viktimën më të lehtë për ta fajësuar, respektivisht transmetuesit dhe mediat vendore:
"Caku i parë i raportimeve janë bërë mediat. Unë nuk mendoj që mediat janë ato të cilat e kanë shkaktuar konfliktin. Konfliktin e ka shkaktuar inerca, ai mosfunksionalitet i institucioneve ndërkombëtare në Kosovë."
Lekë Zherka thotë po ashtu se nuk ka shumë vërejtje në raportin e Komisionerit të Përkohshëm për Media dhe shprehet se nuk mund të pajtohet sidomos me raportin e prezantuar nga OSBE-ja, pasi ai raport sipas tij, është bërë pa një analizë konkrete:
"Mund të them më zbuti ky raport, ndërsa raportin e OSBE-së do ta quaja si një raport qëndrim-keq, i cili aspak nuk i kontribuon qetësimit të situatës në Kosovë, nuk i kontribuon zhvillimit të mëtejshëm të mediave në Kosovë, por përkundrazi e kthen edhe procesin zhvillimit të mediave disa hapa prapa."
Ndërkohë, Liridon Cahani, nga Televizioni i Kosovës, thotë se raporti i OSBE-së dhe ai i Komisionerit të Përkohshëm për Media, mund të quhen raport i vetëm, pasi sipas tij, qasjet e tyre nuk dallojnë shumë. Ai thotë se edhe stafi i Televizionit të Kosovës ka bërë një analizë interne, sipas të cilit janë evidentuar lëshimet, por ato sipas tij, nuk janë në atë masë, sa të mund të cilësohen si nxitëse të trazirave:
" Mirëpo jam thellë i bindur që të gjitha ato lëshime të vogla, ato dobësi të vogla që janë paraqitur, dhe ato jo vetëm në Radio Televizionin e Kosovës, por të njëjtën gjë mund të them për shumicën dërmuese të mediave në Kosovë, apo më mirë të them për të gjitha, në asnjë mënyrë nuk mund të karakterizohen si nxitëse, apo që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën dhe zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë në 16 dhe 17 mars."
Në kuadër të rekomandimeve që dalin nga raportet e fundit të OSBE-së dhe Komisionerit të Përkohshëm për Media, përmendet dhe përforcimi i stafeve redaktuese të transmetuesve kosovare me staf ndërkombëtar dhe fillimi i disa trajnimeve për gazetarë se si të raportojnë në raste të konflikteve dhe tensioneve. Në lidhje me këto rekomandime, Cahani pohon se kjo qasje sado që kuptohet si ndihmë për transmetuesit vendorë, mund të jetë kthim prapa:
"Jo pse ne në Kosovë apo gazetaria në Kosovë nuk ka nevojë për trajnime të ndryshme, apo për njerëz të ndryshëm profesionalë, që do të ndihmonin në ngritjen e cilësisë së mediave, por për faktin se është një kthim mbrapa në proceset që po zhvillohen në Kosovë dhe mendoj për më tepër që është dhe në kundërshtim me standardet".
Ndërkohë, Lekë Zherka, vlerëson se trajnimet e mediave nga ana e OSBE-së, nuk janë të dobishme, përveçse nëse bëhet fjalë për trajnues me përvojë nga mediat me kredibilitet ndërkombëtar:
"Tani na vinë me disa rekomandime, për trajnerë etj etj, për të cilët ne mendoj se nuk kemi nevojë. Në qoftë se duam trajnerë, nuk na duhen aspak trajnerët anonim të OSBE-së, por le të angazhojë njerëz me kredibilitet, njerëz të cilët kanë shumë përvojë nëpër konflikte, nëpër demonstrata etj".
Në lidhje me këto raporte, sot ka reaguar dhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, ku thuhet se raportet e të dyja institucioneve, OSBE-se dhe Komisionerit të Përkohshëm të Mediave, kanë ngjashmëri të dukshme, dhe në pjesën më të madhe të tyre janë të pranueshme, por thuhet gjithashtu se ky asociacion konsideron që është ekzagjeruar roli i mediave gjatë ngjarjeve të marsit. Gjithashtu ky asociacion pohon se raporti në mënyrën se si është përpiluar në një formë anon nga gjetja e fajtorit kujdestar tek mediat.



XS
SM
MD
LG