Ndërlidhjet

logo-print

KOMISIONERI I PËRKOHSHËM PËR MEDIA KRITIKOI TELEVIZIONET E KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Tre televizionet kombëtare të Kosovës sipas raportit të Komisionerit të Përkohshëm për Media, Robert Gillette, bartin një pjesë të përgjegjësisë për nxitjen e trazirave të marsit.
Raporti është përqëndruar më shumë në natën e 16 marsit, kur katër fëmijë shqiptarë nga fshati Çabër në veri të Kosovës janë futur në lumin Ibër, tre prej të cilëve gjetën vdekjen. Mediat vendore kanë raportuar se fëmijët janë mbytur në përpjekje për të shpëtuar nga një grup serbësh dhe qeni i tyre. Por, në raportin e Komisionerit të Përkohshëm për Media, thuhet se deri më tani këto pohime nuk janë konfirmuar dhe rrethanat në të cilat janë mbytur fëmijët edhe sot mbeten të paqarta. Fundosja e fëmijëve në lumin Ibër është vlerësuar si shkak për protestat që përshijnë Kosovën në mars, që kanë pas vetes dhjetëra të vrarë, qindra të plagosur dhe shumë dëme materiale. Në raport thuhet se tre televizionet ngjarjen në fshatin Çabër e kanë cilësuar pa argumente si incident me motive ndëretnike. Më së shumti është kritikuar transmetuesi publik RTK, për të cilin në raport thuhet se me mbulimin e ngjarjeve në fshatin Çabër më 16 mars, ky televizion e ka shndërruar vdekjen e tre fëmijëve nga një ngjarje në një teatër të rrezikshëm politik.
“Në natën e 16 marsit dhe në 24 orët e ardhshme RTK ka shkelur besimin e publikut. Duke filluar me edicionin e Blicit RTK shumë shpejt e ka lënë prapa gazetarinë dhe mbulimi i ngjarjes së vdekjes së tre fëmijëve dhe mbulimi i incidenteve në Mitrovicë, mund të përshkruhet vetëm si propagandë,” tha Gillette.
Sikurse RTK-ja, edhe Raditoetelevizioni 21 dhe Kohavizioni kritikohen për përdorim të shprehjeve “banditët dhe kriminelët serbë", duke i dhënë konotacion ndëretnik ngjarjeve në Çabër. Por, Komsioneri i Përkohshëm për Media në raportin e tij thotë se KTV dhe RTV 21 janë përpjekur që të përmbahen nga politizimi i ngjarjeve.
“KTV dhe RTV 21 e kanë ndërruar skemën programore, vetëm pasi ka shpërthyer dhuna në tërë Kosovën, dhe jo siç ka bërë menjëherë më 16 mars RTK-ja. Këto dy televizione fundosjen e fëmijëve e kanë konsideruar vetëm si një lajm tragjik," thotë zoti Gillette, i cili megjithatë u rekomandon këtyre televizioneve trajnime të gazetarëve për raportime nga konflikti dhe rishqyrtimin e korrespondentëve nga terreni.
Ndërkaq për RTK-në rekomandon kthimin e mbikqyrësve dhe këshilltarëve ndërkombëtarë.
“Nuk ka arsye pse RTK të mos ketë ende këshilltar ndërkombëtar. RTK ka nevojë për udhëheqje profesionale dhe të qëndrueshme në menaxhimin e lajmeve, posaçërisht me mbulimin e situatave konfliktuoze vendore dhe të paraqesë gazetari shpjeguese dhe të orientuar në lajmet e tyre," thotë Gillette duke kërkuar që të paktën deri në fund të këtij viti të kthehet një këshilltar i lartë ndërkombëtar. I pyetur nëse ky hap kthen para proceset në Kosovë në kohën kur institucionet duan të bëhen sa më të pavarura, Gillette është shprehur.
“ Ne të gjithë këtu po punojmë që ta shtyjmë Kosovën drejt një statusi tërsësisht të pavarur dhe sovran. Këto janë pikëpamjet e mia personale," tha Gillette duke shtuar se në këtë drejtim ngjarjet e marsit ishin një hap i madh prapa për Kosovën.
Përveç mediave që bartin një pjesë të përgjegjësisë, sipas zotit Gillette kanë qenë edhe tre faktorë të tjerë që kanë çuar në shpërthimin e trazirave: niveli i lartë i frustrimit të qytetarëve me gjendjen ekonomike dhe politike, armiqësia e vazhdueshme mes shqiptarëve dhe serbëve, si dhe organizatat që e kanë orkestruar dhunën.
Raporti i Komisionerit të Përkohshëm për Media pason atë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në të cilin është vlerësuar se raportimi i papërgjegjshëm dhe sensacional ka qenë një nga faktorët që ka shkaktuar dhunën në Kosovë.

XS
SM
MD
LG