Ndërlidhjet

MOORE: SHBA-TË DO VAZHDOJNË TË MBETEN NË KOSOVË


Patrick Moore, analist i Radios "Evropa e Lirë"

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, gjatë këtij muaji forcat amerikane në Irak janë duke u ballafaquar me sfidat më të mëdha që nga fillimi i luftës atje. Por, hulumtimet e opinionit tregojnë se presidenti Bush ka rritje të popullaritetit dhe jo rënie në raport me kundërkandidatin Kerry. Si e shpjegoni këtë çështje?

PATRICK MOORE
Kjo ka dy arsye. Së pari, çështja qendrore për amerikanët nuk është Iraku, por ekonomia dhe njerëzit prisnin që do të kishte probleme në Irak, prandaj fakti që ka probleme nuk është ndonjë befasi e madhe. Njerëzit që duket të gëzohen nga raportet për problemet në Irak janë më tepër në vendet që ishin kundër luftës dhe që, dyshoj, se nuk u uruan amerikanëve sukses. Gjithsesi, çështjet prioritare për amerikanët janë ekonomia dhe vendet e punës. Kemi patur raporte që disa muaj pas asaj që u quajt hapje e vendeve të punës, jo vetëm që ekonomia në tërësi, në sensin e saj është duke e marrë veten, por gjithashtu ka më shumë vende pune për njerëzit. Dhe, kjo është ajo për të cilën janë të interesuar njerëzit. E dimë që ka patur sondazhe të opinionit publik jo shumë kohë më parë, të cilat tregonin se John Kerry, kandidati demokrat për postin e presidentit, po e arrinte presidentin Bush në nivelin e preferencës, madje në disa raste ishte dhe para tij. Dhe, kjo më shtyn të mendoj një arsye të dytë pse presidenti Bush vazhdon të jetë më përpara në këto sondazhe. Arsyeja e dytë mendoj se pavarësisht nga fakti që John Kerry ka 20 vjet që është në Senat, njerëzit nuk e njohin atë jashtë shtetit të tij. Prandaj ai mbetet i panjohur në Shtetet e Bashkuara si tërësi, dhe republikanët me sa duket po ia dalin mbanë ta portretizojnë si një njeri që i ndryshon këndvështrimet e tij shumë shpesh. Pra, me fjalë të tjera, njerëzit po përqendrohen në ekonominë, e cila duket mirë, dhe kjo i shton pikë presidentit Bush dhe së dyti ata ende nuk e njohin Kerry-n sa duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, besoj se pajtoheni se 6 muaj para zgjedhjeve është kohë e hershme që hulumtimet e opinionit publik të merren si përfundimtare. Rrjedhimisht çfarë mendoni se do të jetë vendimtare për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara?

PATRICK MOORE
Ish kryeministri britanik Ëillson tha dikur se një javë është kohë e gjatë në politikë. Dhe mund t'ju siguroj se 6 muaj e gjysmë janë një kohë shumë e gjatë në politikë. Pra, mund të ndodhë çdo gjë dhe nuk duhet të përpiqemi të bëjmë ndonjë parashikim të qartë tani. Mund të ndodhë që zgjedhjet të influencohen nga "trende negative", le të themi nëse ekonomia fillon të keqësohet, apo nëse këto vende pune për të cilat sapo folëm fillojnë të zhduken; këta faktorë do të mund të ndikonin në rezultat. Mund të ketë edhe ngjarje të papritura - ndonjë sulm terrorist, që mund t'i largojë apo afrojë preferencat e votuesve nga presidenti Bush, në varësi të situatës. Por, siç e thashë, njerëzit prisnin që të kishte probleme në Irak, dhe do të shikojnë më tepër të ardhmen e vendeve të tyre të punës. Ajo është më thelbësorja për shumë votues amerikanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, edhe një pyetje. Çfarë do të thotë fitorja e Bushit ose e Kerry-t për Ballkanin?

PATRICK MOORE
Nuk jam i sigurt për përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe do të doja shumë të dija se për çfarë mund t'ju siguroj. Na kujtohet se para zgjedhjeve të fundit presidenciale në vitin 2000, në tetor, disa javë para zgjedhjeve, Condoleeza Rice, e cila tani është Këshilltare për Çështjet e Sigurisë, i dha një intervistë gazetës "Neë York Times", në të cilën tha se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga Ballkani. Shohim se pas 11 shtatorit dhe sulmeve terroriste, amerikanët kanë rishikuar këndvështrimin për Ballkanin në mënyrë që një prezencë ushtarake e kufizuar, të paktën, duket të jetë diçka e mundshme për të ardhmen në Bosnjë dhe në Kosovë. Shikojmë për shembull se si Bashkimi Evropian ishte më se i padurueshëm që të merrte përsipër sigurinë në fund të këtij viti, por amerikanët e bënë të qartë se duan ta ruajnë praninë e tyre përmes NATO-s që të kapin kriminelët e luftës dhe të merren me terrorizmin. Pra, nën presidencën aktuale, të paktën sa i përket terrorizmit, shikojmë një interes të vazhdueshëm në Ballkan. Por, sigurisht nuk është lloji i aktivizimit që ka qenë nën administratën Clinton. Sa i përket Kerry-t nuk dimë shumë. Nuk dimë se kush do të jetë nënpresidenti i tij, nuk dimë se kush do jetë Sekretari i Shtetit, apo këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare. Prandaj, nuk është asnjë momentalisht që mund të japë intervista për " Neë York Times" dhe të flasë me autoritetet për politikën e jashtme. Ajo që kemi parë është se ish-ambasadori Richard Holbrooke ka kryer udhëtime në Evropë kohët e fundit, dhe shumë mendojnë se ai mund të jetë sekretari i shtetit për Kerry-n, por nuk e dimë ende. Dimë që Holbrooke e ka kritikuar politikën amerikane në Ballkan, duke vlerësuar se SHBA-të nuk ishin mjaftueshmërisht të angazhuara në këtë rajon. Megjithatë, nuk e dimë se sa gjatë do të donte Richard Holbrooke të mbante praninë amerikane në Ballkan, apo nëse do ishte i predisponuar t'ia linte atë Bashkimit Evropian. Këtë ende nuk e dimë. Ajo që do të doja të thosha është se në 6 muaj e gjysmë deri në mbajtjen e zgjedhjeve do ketë shumë mundësi për të zbuluar përgjigjen e kësaj pyetjeje të rëndësishme që ngritët.

Intervistoi Melazim Koci

XS
SM
MD
LG