Ndërlidhjet

MARADONA DHE BECKHAM TREGOJNË SE SUKSESI NË SPORT NUK ËSHTË RRUGË E LEHTË


Breffni O'Rourke

Diego Maradona, ylli i futbollit që e çoi Argjentinën drejt kupës së Botës në vitin 1986, gjatë ditëve të fundit është përballur me rrezikun për jetën në një klinikë në Buenos Ajres. Për gati një javë Maradona ishte i detyruar të merrte frymë artificialisht pas problemeve të zemrës dhe frymëmarrjes.
Mjekët kanë qenë të kujdesshëm që të mos lidhin sëmundjen e Maradonës me problemin e tij që po vazhdon prej vitesh, atë të përdorimit të lëndëve narkotike. Por është e qartë se përdorimi i drogës ka ndikuar negativisht edhe në problemet e fundit shëndetësore nëpër të cilat po kalon Maradona. Në fakt ka qenë droga që i solli fundin karrierës së tij sportive, sukseset e të cilit në futboll e bënë atë të adhuruarin e miliona njerëzve në botë.
Ngritja dhe rënia e Maradonës në fakt nuk ka të bëjë thjesht me të. Është një problem me të cilin përballen yjet e sportit në përgjithësi. Fama bën që çdo veprim i tyre të jetë nën sytë e publikut, çfarë i vë ata në një presion të jashtëzakonshëm psikologjik.
Reinhart Shtelter nga federata evropiane e psikologjisë sportive thotë se sportistët sot përballen me shumë më tepër presione psikologjike se në të shkuarën.
"Atletët duhet të përmbushin ato që mjedisi pret prej tyre në mënyrë plotësisht të ndryshme nga e kaluara. Ka më shumë para të përfshira, ka më shumë sponsorë dhe bëhet fjalë për të ndërtuar një personalitet të caktuar në marrëdhënie me publikun", thotë Shtelter, i cili më tej shton se yjet e sportit kanë gjithnjë e më shpesh nevojë për mbështetje psikologjike për të përballuar stresin.
Të njëjtin mendim shpreh dhe eksperti britanik Dejvid Laval:
"Mendoj se kemi të bëjmë me një element që besoj se njerëzit do të mund ta quanin të shkosh nga hero në hiç. Dhe këtu kam parasysh mënyrën se si i perceptojnë adhuruesit e tyre yjet e sportit. Kjo do të thotë se nëse dikush në një moment të caktuar nuk nxjerr në pah më të mirën e tij apo të saj ka një presion nga publiku që sportisti në fjalë të eliminohet", thotë eksperti britanik Laval.
Por psikologu Shtetler thotë se edhe mediat kanë pjesën e përgjegjësisë në këtë mes. Ai sjell rastin e Dejvid Bekamit ish lojtarit të Mançester Junajtid që tani është pjestar i ekipit të Real Madridit. Për shumë kohë ai dhe e shoqja Viktoria ishin më të dashurit e publikut, por u desh shumë pak që ky imazh të ndryshonte.
"Bekami kishte krijuar një imazh në media, ndoshta dhe me ndihmën e këshilltarëve të mencur, si ai është një baba i sjellshëm dhe i këndshëm, që kujdeset për fëmijët dhe gruan. Dhe papritur disa gra dolën në media duke deklaruar se kanë pasur marrëdhënie seksuale me të", thotë Shtetler. Në këtë rast sipas tij mediat kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë.
Megjithatë edhe në të shkuarën e yjet e sportit apo të muzikës kanë pasur probleme të shkaktuara nga fama.
I ngjashëm është rasti i futbollistit britanik Xhorxh Best të viteve '60 '70 i cili ishte për çdo ditë në media. Por erdhi një ditë që ai iu kthye alkolit pasi nuk mundi të përballonte famën e tij. Si duket për Best dhe të tjerët të qenit yje nuk ka qenë një rrugë e lehtë.

XS
SM
MD
LG