Ndërlidhjet

logo-print

H. KUÇI: ËSHTË VËREJTUR PAAFTËSI NË MENAXHIMIN E KRIZAVE


Hajredin Kuçi, deputet i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, si e shihni ju qasjen kritike të bashkësisë ndërkombëtare ndaj institucioneve dhe lidershipit kosovar, pas trazirave të marsit dhe si e përcaktoni ju shkallën e përgjegjësisë së këtij lidershipi me atë që ndodhi më 17 dhe 18 mars?

HAJREDIN KUÇI
Çështja e përgjegjësisë shpesh herë, jo vetëm në Kosovë por edhe diku tjetër në përgjithësi mbetet e njëanshme dhe jo e të gjithë faktorëve që kanë ndikim në ndryshimin e gjëndjes në mënyrë pozitive. Natyrisht se përgjegjësinë apo paaftësinë për ndikim në ngjarjet e 17 e 18 marsit, nuk mund ta mohojnë institucionet apo liderët politikë të Kosovës, por njëkohësisht paaftësinë për siguri të qytetarëve dhe objekteve të tjera nuk mund ta mohojnë dhe organet e UNMIK-ut respektivisht të KFOR-it. Pra përgjegjësia këtu është e përbashkët dhe mendoj se sanimi i këtyre pasojave duhet të jetë i përbashkët.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa atëherë konsideroni se kishte një mobilizim dhe bashkëveprim të institucioneve vendore gjatë trazirave?

HAJREDIN KUÇI
Është vërejtur qartaz se shpesh kemi folur përpara për mundësitë e ushtrimit të pushtetit, por mund të them se edhe atë pushtet që kemi patur, sidomos ndikimin politik te masa qytetare, është vërejtur plotësisht që egziston një paaftësi në menaxhimin e krizave, siç ishte ajo e 17-18 marsit dhe mëtej më shumë egziston një paaftësi në koordinimin e aktiviteteve për sanimin e pasojave. Dhe tani e shihni të gjithë kemi veprime të shkëputura të institucioneve dhe liderëve politikë, dhe nuk kemi ndonjë veprim të përbashkët, i cili do të ndërtonte edhe strategji të përbashkët, por edhe përgjegjësia do të ishte e përbashkët. Ndoshta kemi një lojë politike edhe në mes të vetë institucioneve të Kosovës, nga e cila mund ta fitojë pushtetin dikush në Kosovë, por mesiguri do të dëmtojë imazhin e Kosovës jashtë në bashkësinë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë efektet e këtyre trazirave në procesin e standardeve, kur dihet se pakica serbe, e cila dhe ashtu nuk merrte pjesë në këtë proces, pas zhvillimeve të marsit ka parashtruar dhe më tepër kushte për kthim dhe në institucionet dhe proceset e përgjithshme në Kosovë?

HAJREDIN KUÇI
Ne edhe më herët kemi pasur një perceptim të ndryshëm për standardet. Në radhë të parë perceptimi ynë ka qenë se përmbushja e standardeve krijon pavarësinë e Kosovës, ndërsa në anën tjetër është menduar nga serbët se mospërmbushja e tyre pengon pavarësinë. Mendoj të dy qëllimet apo të dy perceptimet kanë qenë të gabuara, pasi as nuk e sjellin pavarësinë dhe as nuk e ndalojnë, por mendoj se duhet të plotësohen për një jetë më të mirë, për institucione demokratike dhe mirëqënie sociale. Standardet kanë patur dhe kanë pengesat e veta. Natyrisht 17-18 marsi do të ndikojnë në përmbushjen e këtyre standardeve, apo në thellimin e këtij hendeku që ka qenë në mes të etniciteteve. Por mbi të gjitha mendoj se është një punë e zakonshme, e cila duhet të merret vazhdimisht pa marë parasysh ngjarjet apo veprimet që duhet të bëhen, për rendin, qetësinë etj. Ndoshta standardi i dialogut do të ketë pengesa jo vetëm nga 17-18 marsi, por edhe nga qeveria e dalë nga zgjedhjet e fundit në Serbi, e cila ka qëllime të njëjta me ato që kishte dhe regjimi i Millosheviçit. Pra nuk duhet t'i shikojmë vetëm dy ditë si përparësi apo si pengesë të standardeve, por duhet të shikojmë edhe veprimet paraprake dhe të mëtejshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zhvillimet e marsit thuhet se kanë ndikuar edhe në nevojën e ripërcaktimit të raporteve ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë vendore. Bazuar në aspektin ligjor dhe kushtetues, sa mund të jenë reale pritjet për ripërcaktimin e këtyre raporteve?

HAJREDIN KUÇI
Mendoj se këto janë veprime të cilat janë individuale, mund ta quaj kështu, jo krejt institucionale, dhe për të ridefinuar raportet mes UNMIK-ut dhe qeverisë duhet të ndryshojë baza juridike dhe baza politike e Kosovës dhe baza juridike sipas kornizës kushtetuese dhe rezolutës 1244, autoritet suprem në Kosovë parasheh përfaqësuesin special, respektivisht UNMIK-un dhe mbi bazën e saj ne mund të kemi disa lëshime dhe ushtrim të atyre funksioneve çfarë janë me kornizë kushtetuese. Pra qeveria nuk mund të pretendojë të marrë diçka më shumë, para se të ndryshojë gjendjen juridike. Në drejtim të kësaj ne duhet të orientohemi më shumë, jo duke e parë UNMIK-un si konkurent, dhe kush do t'i marë tjetrit më shumë kompetenca, por si partner dhe bashkarisht të ndryshojmë bazën juridike, ku një ditë roli i UNMIK-ut por edhe i të tjerëve do të jetë rol që dikush e quan këshilldhënës, por unë mendoj ndoshta rol pasiv në politikën e Kosovës. Për momentin këto janë veprime të cilat mund t'i lëshojë UNMIK-u por megjithatë kontrolli i plotë do të mbetet në duart e tij. Është mirë që të funksionojë diçka, që të ndryshojë diçka, por ndryshimet kozmetike, ndryshime të cilat janë sa për sy e faqe, nuk duhet të na gëzojnë shumë, apo të na zbrapsin nga qëllimi për ndryshimin e plotë të bazës politike dhe juridike të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në zhvillimin aktual apo përparimin në Kosovë, siç po përdoret si shprehje, sa konsideroni se pritjet që çështja e statusit të Kosovës do të mund të hapet për definim gjatë vitit 2005 janë reale?

HAJREDIN KUÇI
Mendoj se duhet të kemi 2 dallime. Dallimi i parë është se a do të hapet çështja e statusit apo do të zgjidhet. Zgjidhja e statusit final të Kosovës nuk do të bëhet në vitin 2005 sipas mendimit tim personal. Mund të hapen tema që lidhen me statusin final të Kosovës, por mund të themi se për statusin final nuk duhet pritur një datë e caktuar nga të tjerët kur do të fillojë, por duhen bërë veprime paraprake nga institucionet vendore, dhe ato institucionet të kërkojnë pastaj veprimin nga të tjerët. E kundërta nuk ka ndodhur askund dhe nuk do të ndodhë as tek ne.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG