Ndërlidhjet

B. REXHEPI: DO T'I NDIHMOJMË KOMUNAT QË PËSUAN DËME GJATË TRAZIRAVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka nisur sot me realizimin e projektit për vënien e dialogut ndëretnik dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara gjatë trazirave të marsit, fillimisht me komunën e Fushë Kosovës, si një prej atyre që pësoi dëme të konsiderueshme. Pas një takimi që kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi zhvilloi me autoritetet lokale në këtë komunë dhe përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në Fushë Kosovë, të gjithë u shprehën tejet optimistë se besimi i humbur ndërmjet komuniteteve do të kthehet, sikurse që do të punohet edhe në sanimin e dëmeve materiale:
“Është ruajtur ajo që ka qenë më së vështiri, besimi në njëri tjetrin. Prandaj, unë i inkurajoj se dëmet materiale do të riparohen, por besimi dhe konfidenca është më vështirë të ndërtohet. Do t’ju ndihmojmë dhe shumë shpejt do të fillojë rehabilitimi i dëmeve dhe mendoj për dy- tre ditë në 24 banesa banoret do të kthehen dhe për 10 shtëpi të tjera me prioritet ka dalë tenderi dhe pas dy javëve edhe aty do të fillojë”, tha kryeministri Rexhepi.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, Skënder Zogaj, tha se kishte marrë përkrahjen e kryeministrit Rexhepi në angazhimet e autoriteteve lokale të kësaj komune, që bashkarisht me përfaqësuesit serbë, të punohet në kthimin e gjendjes dhe jetës në këtë komunë në rrethana normale:
“Është mirë kur një përkrahje të një kryeministri, i cili ndanë nga koha e vet edhe vjen në një komunë ku merr pjesë në punët konkrete që do t’i bëjmë. Do të thotë kjo është inkurajuese shumë dhe ne zotohemi se ne si komunë do të bëjmë të pamundurën për të përmiruar imazhin tonë, sepse nuk jemi ata që jemi treguar në këto shkatërrime”, tha Skënder Zogaj.
Pas takimit të përbashkët edhe përfaqësuesi serb, Milan Gjekiç, nënkryetar i Komunës, është shprehur i kënaqur dhe optimist se krahas sanimit të dëmeve edhe raportet e dëmtuara në mes komuniteteve do të përmirësohen:
“Personalisht jam i kënaqur, sepse po të mos isha i kënaqur, nuk do të merrja pjesë fare sot këtu. Unë besoj në ardhmëri dhe jam optimist”, tha Gjekliç, për të shtuar se premtimet e qeverisë janë serioze dhe se ai beson që sikurse qeveria ashtu edhe komuna do të veprojnë ashtu siç duhet.
Në anën tjetër, kryeministri Rexhepi u ka ofruar mbështetjen morale dhe financiare të qeverisë së Kosovës të gjitha atyre komunave, të cilat po angazhohen në sanimin e dëmeve:
“Të gjitha ato komuna që dinë çka duan dhe i ndërtojnë raportet ndërnjerëzore, do ta kenë përkrahjen e plotë të qeverisë”, tha kryeministri Rexhepi. Ai paralajmëroi se gjatë javës me qëllim të rivendosjes së dialogut ndëretnik dhe sanimit të dëmeve, do t’i vizitojë dhe disa komuna tjera të përfshira në trazirat e 18 dhe 18 marsit. Ndërsa burime të tjera kanë pohuar se nëpër shumë komuna ka gadishmëri të komuniteteve që të përkrahin politikën e kryeministrit, përveç Mitrovicës, respektivisht pjesës veriore të saj, e cila siç dihet, që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara, vazhdon të administratohet kryesisht nga strukturat paralele serbe të përkrahura nga Beogradi zyrtar.



XS
SM
MD
LG