Ndërlidhjet

EKSPERTËT TË PAKËNAQUR ME NDRYSHIMET NË KREUN E AKM-SË


Albana Isufi, Prishtinë

Ahmet Shala dhe Szabolsc Szekeres, të cilët do ta zëvendësojnë Marie Fuccin deri në zgjedhjen e drejtorit të ri të AKM-së do të kenë autoritetin e plotë për të marrë vendime, në mënyrë që të çohet përpara procesi i privatizimit, thotë zëdhënësja e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Monikë de Groot.
Megjithatë, edhe pas largimit të zonjës Fucci asgjë e re nuk ka lëvizur në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit. Anëtarët vendas të AKM-së, pas vendimit të shefit të UNMIK-ut Hari Holkerit për largimin e zonjës Fucci patën shpresuar se në mbledhjen e Bordit të AKM-së që duhej të mbahej më 19 prill do të merreshin hapa për të shtyrë përpara procesin e privatizimit.
Ajo mbledhje nuk u mbajt, ndërkohë që nuk është paraparë ndonjë e tillë as në të ardhmen.
“Për momentin nuk ka takime të reja. Një mbledhje e tillë nuk qe paraparë që të mbahej më 19 pril, kështu që nuk është anuluar ajo," thotë zëdhënësja e Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Monikë de Groot.
Drejtori i Institutit Ekonomik të Kosovës Musa Limani thotë se të gjitha mangësitë në udhëheqjen e AKM-së janë duke ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e procesit të privatizimit.
“Duhet të ndërrohet e tërë muzika dhe këngëtarët, për të pasur efekt procesi i privatizimit në Kosovë duhet të ndërrohet edhe forma edhe modeli edhe i gjithë personeli, i cili e udhëheq edhe Shtyllën e Katërt, edhe AKM-në, qoftë kur është fjala për ndërkombëtarët, qoftë për vendorët”, thotë Limani duke shtuar se nëse nuk ndodh kjo, pavarësisht se kush do të vijë në krye të AKM-së, procesi i privatizimit nuk do të ketë sukses.
Por, zëdhënësja Monikë de Groot ka përsëritur qëndrimin se privatizimi është çështje urgjente që duhet duhet të lëvizë pëprara.
“Ajo që mund të them është se çdokush pajtohet se është çështje urgjente që të fillojë sërish ky proces, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit të menaxhohet mirë dhe të punohet për të gjetur një zgjidhje të mirë për të ardhmen e privatizimit. Ma merr mendja se këto çështje do të zgjidhen shpejt dhe ne do të vazhdojmë rrugën të cilën e kemi nisur," thotë De Groot.
Drejtori i ri i AKM-së do të zgjidhet përmes konkursit. Monikë de Groot thotë se aplikanti duhet të njohë shumë mirë problemin e privatizimit në Kosovë dhe se duhet të jetë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Procesi i privatizimit në Kosovë ka ngecur që nga tetori i vitit të kaluar. Pas kërkesave të vazhdueshme të qeveritarëve kosovarë, Harri Holkeri ka larguar nga posti i saj drejtoreshën e AKM-së Marie Fucci, e cila konsiderohej nga kosovarët si pengesë e procesit të privatizimit. Këtë vendim ai e ka arsyetuar me faktin se dëshiron që procesi i privatizimit të vazhdojë më me vendosmëri.




XS
SM
MD
LG