Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI I KOSOVËS SHQYRTOI DOKUMENTIN STANDARDET PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka formuar sot një grup punues, i cili do të ketë për detyrë të përcjellë procesin e përmbushjes së standardeve. Grupi do të përbëhet nga shefat e grupeve parlamentare dhe sekretari i Kuvendit. Ai do të raportojë para deputetëve çdo muaj në lidhje me ecurinë e përmbushjes së standardeve. Përndryshe, gjatë shqyrtimit të standardeve Kuvendi ka vlerësuar se dokumenti “Standardet për Kosovën”, i prezantuar nga nënsekretari amerikan i shtetit Marc Grossman, ishte hap përpara, ndërsa plani për zbatimin e standardeve është vlerësuar se është hap prapa.
Sabri Hamiti shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, dhe kryetar i Komisionit parlamentar për bashkëpunim ndërkombëtar, tha se përgjegjësitë për përmbushjen e standardeve në shumicën e rasteve i ka uzurpuar UNMIK-u, prandaj ai kërkoi ridefinimin e raporteve në mes administratës ndërkombëtare dhe qeverisë vendore, duke shtuar se transferi i kompetencave është mënyrë e vetme për përmbushjen e tyre. Hamiti kundërshtoi standardin për decentralizimin e pushtetit para zgjidhjes së statusit të Kosovës, kurse teksti i planit për zbatimin e standardeve, tha ai ka shumë retorika politike, ku janë përfshirë dhe formulime politike të nxitura pas trazirave të marsit:
“Në shumë pika ka retorikë politike dhe unë mendoj se është dhe e gabueshme e cila është stërpikur pak a shumë me ngjarjet që kanë ndodhur në mars të këtij viti. Nuk ka nevojë që në tekste të tilla programore të krijohen implikime politike të ditës sepse vetëm bëjnë dëm dhe asgjë nuk ndreqin”, tha Hamiti.
Ai parashtroi si kërkesë dhe zhbërjen e strukturave paralele, ngase pa zhbërjen e tyre, theksoi ai, asnjëri prej standardeve që flet për integrimin e minoriteteve nuk do të mund të plotësohet.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arsim Bajrami, tha se ai është i bindur se standardet i kalojnë kërkesat dhe mundësitë e shumë shteteve më të zhvilluara sot në botë, por sidoqoftë tha ai, institucionet vendore duhet të angazhohen maksimalisht për përmbushjen e tyre.
Edhe Bajrami tha se parakushti i parë për plotësimin e tyre, është bartja e kompetencave dhe i ftoi të gjithë udhëheqësit vendorë dhe ata ndërkombëtarë që të përkrahin ndryshimet kushtetuese, si rrugë e vetme e bartjes së këtyre përgjegjësive.
“Përmes këtyre amendamenteve ne kemi kërkuar kompletimin e qeverisë së Kosovës me të gjitha ministritë, duke përjashtuar Ministrinë e Mbrojtjes, e cila përderisa Kosova është nën përkujdesjen ndërkombëtare nuk është e mundshme të formohet, por mendojmë se të gjitha ministritë e tjera, pra jo vetëm zyrat, por ministritë mund të formohen”, tha Bajrami.
Deputeti i PDK-së kërkoi që të instalohen treguesit realë të vlerësimit të standardeve në mënyrë që vlerësimi i tyre të jetë sa më objektiv.
Në anën tjetër, Bajram Kusumi, deputet i AAK-së, tha se plani “Standardet për Kosovën” dallon shumë nga plani për zbatimin e tyre. Ai madje shtroi dilemën se a është plani për zbatim vepër e qeverisë apo vetëm një dokument i servuar si i gatshëm nga UNMIK-u. Për këtë arsye, Kosumi kërkoi që kryeministri Bajram Rexhepi të dalë para Kuvendit dhe të tregojë nëse ka marrë pjesë në hartimin e tij dhe qeveria e Kosovës, apo është rezultat i UNMIK-ut:
“Nga një nismë e mirë diplomatike për çuarjen e procesit të përgjithshëm politik në Kosovë përpara, çfare ishte nisma “Standardet për Kosovën”, kjo nismë dalëngadalë po ngulfatet në darat e UNMIK-ut duke e shndërruar në një dokument burokratik dhe me pak vlerë çfarë është dokumenti Plani për Zbatimin e Standardeve për Kosovën”, tha Kosumi.
Sidoqoftë, ka më tepër se dy vite që standardet për Kosovën fillimisht qenë përcaktuar, nga ish-kryeadministratori Mihael Shtajner, e më pas ato qenë operacionalizuar nga nënsekretari amerikan i shtetit Marc Grossman, kurse shqyrtimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës, ishte i pari që nga miratimi i tyre zyrtar më 10 dhjetor të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG