Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK: NUK KA DËSHMI TË MJAFTUESHME QË MBYTJA E FËMIJËVE NË IBËR ISHTE VRASJE E SHUMËFISHTË


Albana Isufi, Prishtinë

Në raportin paraprak të Departamentit të Drejtësisë së administratës ndërkombëtare lidhur me rastin e Çabrës, prokurori ndërkombëtar Peter Tiensley ka konstatuar se bazuar në hetimet e bëra dhe nga dëshmitë e mbledhura, më 16 mars në Çabër nuk ka pasur vepër kriminale kundër një individi ose disa individëve. Për këtë arsye rasti është mbyllur, me mundësi vazhdimi nëse ofrohen dëshmi të reja të besueshme.
Më 16 mars në Çabër janë mbytur në lumin Ibër fëmijët Egzon Deliu(12), Avni Veseli(11) dhe Florent Veseli(9), ndërkaq i mbijetuari i vetëm është Fitim Veseli(13), dëshmia e të cilit është cilësuar si e joebesueshme nga ana e prokurorit ndërkombëtar. Prokurori ka konstatuar se ka pasur ndryshueshmëri në dëshminë e Fitim Veseli, i cili ka thënë se ai së bashku me tre fëmijët tjerë janë hedhur në lumë në përpjekje për t’i shpëtuar një qeni, të cilin ua kishin vërsulur pas dy të rinj serbë të fshatit Zupc.
Prokurori ndërkomëbtar, në pajtim me një gjykatës hetues nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë dhe me hetuesit e tjerë të policisë ka mbyllur këtë rast për këto arsye:
“Nuk janë gjetur të dyshuarit e përshkruar nga fëmija i mbijetuar, me asgjë nuk mbështetet ekzistimi i personave të tillë. Po ashtu nuk është gjetur as qeni i përshkruar në deklaratë. Ka ndryshueshmëri në deklaratat e djaloshit të dhëna më 17 mars dhe 22 mars. Ka mungesë të vërtetësisë në deklaratën e djaloshit të mbijetuar,” tha zëdhënësi për polici dhe drejtësi Neeraj Singh.
Raporti në fjalë nuk shpjegon arsyen e hedhjes në lumin Ibër të 4 fëmijëve, tre nga të cilët kanë gjetur vdekjen.
“Pyetja për hetuesit ka qenë se pse fëmijët kanë hyrë në lumin e rrëmbyeshëm: a ka qenë kjo një aksident, a ka qenë kërcënimi më i madh sesa vetë natyra e lumit. Ne nuk mund të spekulojmë për këtë. Dëshmitë e mbledhura deri tani nuk na ofrojnë prova të mjaftueshme për të dyshuar se kjo ka qenë një vrasje e shumëfishtë. Por, për këtë arsye ne nuk e kemi mbyllur tërësisht rastin dhe nëse ka prova të tjera rasti do të fillojë sërish të hetohet," thotë Singh.
Në raport thuhet se prokurori ndërkombëtar ka intervistuar edhe dy fëmijët e tjerë, të cilët kishin qenë fillimisht me fëmijët e mbytur. Sipas raportit ata nuk kishin parë hedhjen e fëmijëve në lumë, nuk kishin parë dy të rinjtë serbë, për të cilët, Fitim Veseli ka deklaruar, se i kanë ndjekur. Por, ata kishin parë një qen, të cilin hetuesit e policisë gjatë hetimeve nuk kanë mundur ta gjejnë.
Po ashtu është intervistuar edhe një i moshuar serb, i cili në kohën kur janë mbytur fëmijët po punonte në arë. Por ai ka mohuar të ketë parë të dyshimtit, ose edhe fëmijët që më vonë ishin hedhur në lumë.
Ndërkaq i mbijetuari Fitim Veseli është intervistuar vetëm dy herë nga prokurori. Sipas raportit, intervistimi i mëvonshëm nga organet e drejtësisë është ndaluar nga babai i tij, për shkak se mjekët kishin konstatuar se Fitimi ka pësuar trauma nga përsëritja e vazhdueshme e ngjarjes së 16 marsit për një mori gazetarësh.
Raporti i është dërguar familjarëve të fëmijëve të mbytur sot në mëngjes. Po ky raport është publikuar para dy ditësh në mediat serbe. Zëdhënësi për polici dhe drejtësi Neeraj Singh thotë se ky raport mund të jetë vjedhur nga dikush dhe se UNMIK-u është duke e hetuar rastin se si ka mundur të depërtojë ky raport në mediat serbe.

XS
SM
MD
LG