Ndërlidhjet

logo-print

KËSHILLI I NATO-S DISKUTOI GJENDJEN NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Bruksel

Këshilli i NATO-s ka diskutuar sot në Bruksel edhe njëherë për situatën në Kosovë dhe me këtë rast janë analizuar përshtypjet nga vizita që ky organ më i lartë politik i NATO-s i ka bërë Kosovës javën e shkuar. Ambasadorët sot kanë thënë se vizita ju ka shërbyer për të parë në terren gjendjen dhe për t'u njohur nga dora e parë për nevojat e misionit të KFOR-it në Kosovë. Thuhet se në këtë takim të KFOR-it është vlerësuar se afër 20 000 ushtarë sa ka në këtë moment KFOR-i në Kosovë, duhet të kenë mbështetjen e plotë të Këshillit të NATO-s edhe për punën e tyre në vazhdim. NATO-ja mendon se në këtë moment nuk ka hapësirë për të menduar për ndonjë zvogëlim të trupave në Kosovë, pasi situata mbetet ende e brishtë.
Këshilli i NATO-s edhe sot ka nënvizuar se duhet të vazhdohet angazhimi më i gjerë politik i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe në këtë drejtim është përshëndetur takimi në përbërje më të gjerë i grupit të Kontaktit me NATO-n dhe BE-në, që është zhvilluar javën e shkuar për Kosovën, ndërsa NATO-ja vlerëson se takimet e këtij grupi duhet të jenë në të ardhmen më të rregullta. Zyrtarët e NATO-s edhe sot pas takimit të Këshillit kanë përsëritur se të gjithë përgjegjësit për aktet e dhunës në Kosovë duhet të sillen para drejtësisë, ndërkaq për veprimet e sotme të KFOR-it në rajonin e Drenicës, nuk ishin në gjendje të japin ndonjë hollësi. Ajo që ne mundemi të themi është se secili i dyshuar për veprime të palejueshme në Kosovë duhet ta dijë se NATO-ja nuk do të hezitojë për t'i arrestuar dhe sjellë para drejtësisë, ka thënë sot një zyrtar i NATO-s, duke komentuar arrestimin e zotit Samil Lushtaku, por duke refuzuar që të japë hollësi të tjera. Temë tjetër e takimit të sotëm të Këshillit të NATO-s ishin edhe pregatitjet që janë në vazhdim e sipër për të dorëzuar misionin e NATO-s në Bosnje Hercegovinë, që deri në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm duhet të kalojë në duart e Bashkimit Evropian.




XS
SM
MD
LG