Ndërlidhjet

OPINIONE TË SOCIALISTËVE DHE OPOZITËS PËR LËVIZJEN "NANO IK"


Alma Çupi, Tiranë

Për deputetët socialistë, lëvizja Nano Ik e cila ka përfshirë të gjitha qytetet e Shqipërisë konsiderohet e dështuar. Ndryshe nga deputetët e Opozitës, që e cilësojnë si një nga lëvizjet më të mëdha, Deputeti socialist Sabit Brokaj thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo lëvizje nuk e arriti synimin për shkak të mungesës së strategjisë dhe indirekt sipas tij kryeministri Nano ka fituar pikë.
"Opozita nuk operoi, nuk veproi si duhej për të sjellë produktin që kërkonte, largimin e Nanos. Kështu që vetvetiu, kjo duke kaluar nga një shkallë në tjetrën, nga një veprim në një veprim tjetër, nuk solli fuqizimin e saj. Madje në një farë mase dhe i vuri një mbrojtje Nanos indirekt", thotë Sabit Brokaj.
Ndërsa opozitari Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane mendon se kjo lëvizje, duhet çuar më tej dhe e quan si lëvizje e shpresës së qytetarëve.
"Unë mendoj se lëvizja "Nano Ik" është pjesë e qëndresës qytetare, për të shprehur indinjatën dhe mospajtimin me një qeverisje siç është qeverisja Nano, por njëkohësisht duhet kuptuar dhe si një angazhim i opozitës shqiptare për të sjellë shpresën tek qytetarët shqiptarë. Në qoftë se pjesa e parë është realizuar deri tani, unë mendoj se duhet edhe pjesa e dytë, që të kompletohen të gjitha përmasat e saj".
Dashamir Shehi, deputet i Partisë Demokrate të Re, thotë se lëvizja "Nano Ik" e ka realizuar një pjesë të qëllimeve, por kërkesën për të larguar Nanon e konsideron të palogjikshme si shpëtim për situatën.
"Kjo lëvizje një pjesë të rezultateve i ka arritur. Vazhdimi kështu pa një rregullsi të caktuar, pa ndonjë objektiv të caktuar, me duket se është një shpenzim i kotë energjie. Mesa duket Nano nuk ka ndërmend të largohet dhe ky është një realitet që tashmë është bërë i dukshëm".
Deputeti i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Kristo Goxhi, aleat me Partinë Socialiste nuk e shikon efikase lëvizjen "Nano Ik" për faktin që qëllimi i kësaj lëvizjeje është të detyrojë kryeministrin Nano të japë dorëheqjen.
"Në lidhje me efektivitetin e kësaj lëvizjeje kam dyshimet e mia se nuk është gjetur rruga efikase për të hequr Nanon nga pozicioni i kryeministrit të Shqipërisë".
Përsa i përket deklaratave të fundit të deputetëve të opozitës që opozita do të bojkotojë zgjedhjet parlamentare të 2005 nëse Nano nuk jep dorëheqjen, mendimi i deputetëve është se kjo deklaratë është e nxituar.
Deputeti socialist Ndre Legisi përkrahës i grupit të Ilir Metës, thotë se bojkotimi i zgjedhjeve i humb pikë opozitës dhe se nëse zgjedhjet do të jenë të lira apo të ndershme nuk varen nga kryeministri Fatos Nano.
"Ajo është një deklaratë e nxituar. Opozita nuk mund të bojkotojë zgjedhjet për shkak të largimit ose jo të zotit Nano. Zgjedhjet nuk janë në shërbim dhe në favor të opozitës, të liderëve të opozitës që shprehen për zgjedhjet. Zgjedhjet janë në shërbim të gjithë qeverisjes së vendit dhe të gjithë elektoratit shqiptar. Zgjedhjet nëse do jenë apo jo të ndershme nuk varen nga kryeministri apo vetëm nga Partia Socialiste, por varet nga mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i të gjitha forcave politike në Shqipëri", thotë Ndre Legisi.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, parti aleate me Partinë Demokratike, thotë se opozita nuk duhet të dalë me idenë për të bojkotuar zgjedhjet, pasi kjo i shton pikë Nanos, por të dalë me idenë se penguesi kryesor për zgjedhje të lira dhe të ndershme është vetë kryeministri Nano.
"Unë mendoj se nuk duhet të dalim me idenë që hyjmë apo nuk hyjmë në zgjedhje, për t'i dhënë rastin kryeministrit të fillojë një propagandë që opozita do të bojkotojë zgjedhjet, por duhet në bashkëpunim me gjithë shoqërinë shqiptare dhe me faktorin ndërkombëtar, t'i bëjmë të qartë ndërkombëtarëve se Nano nuk është i prirur për të patur zgjedhje të lira dhe të barabarta në Shqipëri dhe pastaj kur të vijë momenti vendim marrës të jemi të gjithë në një gjykim që Shqipëria ka apo s'ka kushte për zgjedhje të lira dhe të barabarta."
Deri më tani lëvija "Nano Ik" është e shtrirë në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Kjo nga opozita konsiderohet lëvizja më e madhe qytetare, e cila do të vazhdojë me protesta të tjera. Bojkotimi apo jo i zgjedhjeve pritet të diskutohet sërisht nga tryeza e deputetëve të opozitës në ditët në vazhdim.


XS
SM
MD
LG