Ndërlidhjet

DELEGACIONI I UNESCO-S VLERËSON DËMET E SHKAKTUARA NGA TRAZIRAT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Një delegacion i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë, dhe Kulturë, UNESCO, ka përmbyllur sot misionin njëjavësh në Kosovë. Ky delegacion, i kryesuar nga Marie Paul Rendil, shefe e zyrës së UNESCO-s në Venecia, ka vizituar kishat dhe manastiret e dëmtuara gjatë trazirave të marsit. Zonja Rendil tha se ekspertët e UNESCO-s që vinin nga vendet si Bullgaria, Austria, Italia dhe Rusia, kanë marrë shënime të mjaftueshme, që brenda një kohe të caktuar të dalin me rekomandime rreth mjeteve që duhen shpenzuar në riparimin e dëmtimeve të manastireve dhe kishave si dhe do të ofrojnë ndihmën profesionale në punët që duhet kryer, që këto objekte të kthehen në gjendjen e mëparshme:
“Ne kemi vizituar 24 vende dhe kemi identifikuar 35 objekte në kuadër të misionit tonë inicues që nga e hëna prej kur jemi në Kosovë”, tha Rendil. Gjatë këtij misioni, ajo tha se pengesa e vetme që ishte paraqitur ishte qasja e delegacionit në kishën e Prizrenit, por edhe ky problem, në fund është zgjidhur, tha Rendil, duke shtuar se delegacioni i ka kryer punët e veta dhe pret që në fazat e tjera të paraqesë rekomandime konkrete.
Ndërkohë, Ministri për Kulturë, Rini, Sport dhe Çështje Jorezidente, në qeverinë e Kosovës, Behxhet Brajshori, tha se pasi UNESCO t’i ofrojë rekomandimet, pritet të formohet një grup i përbashkët i cili do t’i fillojë punimet në riparimin e objekteve fetare të dëmtuara gjatë trazirave. Brajshori tha se kishte apeluar te delegacioni i UNESCO-s që krahas vlerësimeve të dëmeve të ndihmojë në gjetjen e donacioneve për riparimin e objekteve të dëmtuara si dhe të donacioneve që do të ndihmonin në mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës në përgjithësi:
“Edhe pse UNESCO është një organizatë e Kombeve të Bashkuara e cila vërtetë ofron ndihmë teknike e profesionale dhe më pak fonde ne megjithatë konsiderojmë se këta duhet të bëjnë do të thoja një lobizim të caktuar tek vendet e ndryshme që të ndajnë fonde për të përmirësuar gjenden e trashëgimisë kulturore të Kosovës si të tërë, por në veçanti edhe për t’i hyrë sanimit të dëmeve në objektet e kultit që u bënë gjatë ngjarjeve të 17 dhe 18 marsit”, tha Brajshori.
Ministri Brajshori tha se ministria e tij do të formojë një delegacion të përbashkët me ekspertët e UNESCO-s për të filluar me punën në terren.
Përndryshe, qeveria e Kosovës ka formuar tashmë një Komision Ndërministror i cili ka bërë vlerësimet e dëmeve në objektet e banimit. Në një raport paraprak të prezantuar nga ky komision, thuhet se dëmet e shkaktuara gjatë trazirave të 17 dhe 18 marsit, në objektet e banimit, shkolla dhe objekte shëndetësore, mbërrijnë vlerën prej 11.913.000 euro.
Ndërsa sa u përket dëmeve të shkaktuara në objektet fetare, vlerësimet do të dihen pas publikimit të raportit të delegacionit të UNESCO-s. Përndryshe, përveç dëmeve materiale, nga trazirat e marsit, sipas shënimeve të administratës së Kombeve të Bashkuara kanë humbur jetën 19 veta, qindra të tjerë janë lënduar, kurse nga shtëpitë e tyre janë zhvendosur mbi 4 mijë persona.







XS
SM
MD
LG