Ndërlidhjet

A RREZIKON GJYQI I XHINXHIQIT TË KTHEHET NË FARSË?


Julia Geshakova

Vrasja e kryeministrit serb Zoran Xhinxhiq ishte politikisht e justifikuar, ka deklaruar për mediat një person që veten e ka identifikuar si "kapiten Xho", dhe anëtar të njësisë për operacione speciale në kohën e Sllobodan Millosheviçit.
"Të vrasësh për ne nuk është asgjë, unë personalisht nuk kam probleme ta bëjë një gjë të tillë," ka deklaruar për mediat i ashtëquajtuari kapiten Xho. Njësia e operacioneve speciale e njohur me emrin "Beretat e kuqe" ishte një njësi e forcave policore elitë të përfshira në krimet më të rënda gjatë kohës së Millosheviçit.
Zvezdan Jovanoviç, njeriu i cili akuzohet se ka qëlluar Xhinxhiqin ka qenë zëvendëskomandant i "Beretave të Kuqe". Ndërsa ai që besohet të jetë hartuesi i planit të vrasjes së kryeministrit serb, Millorad Lukoviç, i njohur si Legija ka qenë komandant i këtyre trupave. Legija është një ndër tetë të akuzuarit që nuk janë kapur ende.
Në të njëjtën intervistë kapiteni Xho thotë se Beretat e kuqe do të vishen sërish në uniformë dhe do të jenë të pranishëm së shpejti në hollin e Gjykatës ku po mbahet gjyqi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Xhinxhiqit. Ai gjithashtu ka deklaruar se është në kontakt me Legijën. Kërcënimi në fjalë nuk duhet të lihet pas dore derisa vetëm pak ditë më parë, anëtarët e "Beretave të Kuqe" u shfaqën në mjediset e gjyqit për vrasjen e Xhinxhiqit me bluza që kishin shenjën e njësisë së operacioneve speciale.
Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se kjo paraqitje synon të theksojë faktin se strukturat e Millosheviçit janë ende aktive.
Rajko Danilloviç, avokati i familjes së Xhinxhiqit thotë se nuk është i befasuar nga incidente të tilla.
"Përmbajtja e intervistës në Kurir tregon se unë kam pasur të drejtë kur thashë se në Serbi është krijuar një frymë e tillë ku është e ligjshme vrasja e një kundërshtari politik", pohon Danilloviç.
Edhe Dushan Petroviç një nga drejtuesit e partisë së Xhinxhiqit, nënvizon faktin se në Serbi ka struktura të organizuara, përfshi dhe anëtarë të forcave të sigurisë që janë të gatshëm të kryejnë vrasje politike.
"Aktualisht vetëm strukturat e aparatit shtetëror, të cilat e dinë se çfarë po ndodh në rrethet të cilave u përket dhe i intervistuari i Kurir, kapiten Xho mund të thonë nëse ata po përgatiten për veprime konkrete", pohon Petroviç nga Partia Demokratike serbe.
Aktivistja e të drejtave të njeriut Biljana Kovaçeviç ndan të njëjtin mendim.
"Për fat të keq intervista e Kurir nuk është rasti i parë. Më duhet të them se veprime të tilla si të vrasësh Xhinxhiqin për së vdekuri, apo të justifikosh krimin janë gjëra të cilat në Serbi po ndodhin, madje janë shtuar gjatë dy-tre muajve të fundit", thotë Kovaçeviç.
Kryeministri aktual Vojisllav Koshtunica fillimisht u përpoq të mohojë se incidente të tilla si paraqitja e beretave të kuqe në sallën e gjyqit kanë ndodhur. Por më vonë edhe pas intervistëts në Kurir ai kërkoi hapjen e hetimeve.
Megjithatë qeveria aktuale është e varur nga mbështetja e socialistëve të Millosheviçit. Por aktivistja e të drejtave të njeriut Kovaçeviç shkon dhe më tej duke thënë se qeveria aktuale ndonëse nuk mbështet drejpërdrejt incidente të tilla si vrasja e Xhinxhiqit sërish ajo përpiqet që të minimizojë rëndësinë e kryministrit të vrarë si udhëheqës politik. Kjo shtron edhe pyetjen nëse ai që është quajtur gjyqi i shekullit në Serbi po shndërrohet në një farsë?


XS
SM
MD
LG