Ndërlidhjet

logo-print

HOLKERI DHE SOLANA DISKUTOJNË NË BRUKSEL PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë Harri Holkeri është duke qëndruar sot në Bruksel ku ka patur takime me përfaqësuesin e lartë të BE-së Havier Solanën dhe me zyrtarë të lartë të Aleancës Veriatllantike. Holkeri nuk deshi të flasë për përmbajtjen e bisedimeve gjatë takimit me Solanën por u përgjegj vetëm në disa pyetje lidhur me planin e ri të Serbisë për, siç thotë plani, zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai tha se e ka marë vetëm sot këtë plan dhe nuk kishte deri më tani rastin ta lexonte. Pas takimit me Solanën Holkeri deklaroi se të gjithë duhet të fillojnë procesin i cili do të ketë një cak të vetëm dhe ai është se problemet duhet të zgjidhen. Nëse fillojmë të diskutojmë vetëm për dallimet që kemi në qëndrime nuk do të fitojmë asgjë. Mirëpo nëse bashkarisht fokusohemi në zgjidhjen e çështjeve që janë me interes të përbashkët, siç është decentralizimi, atëhere mund të dalim me rezultate pozitive, tha Holkeri.
Ai u shpreh se në mesin e komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë ka vullnet të mirë për zgjidhjen e problemeve. Plani i Beogradit paraqet dëshminë e gadishmërisë së tyre për zgjidhje të problemeve, vlerësoi shefi i UNMIK-ut.
Dhuna e marsit ishte po ashtu temë e pashmangshme e bisedimeve mes përfaqësuesit të lartë të BE-së Havier Solanës dhe Harri Holkerit dhe është paraqitur sërisht në këtë takim qëndrimi që dhuna në asnjë mënyrë nuk do të shpërblehet, sidomos nuk do të shpërblehen ata të cilët qëndrojnë prapa trazirave të muajit të shkuar në Kosovë.
Për situatën në Kosovë sot në Bruksel kanë biseduar dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Havier Solana me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë Kastriot Islami.
Shefi i diplomacisë shqiptare ka thënë se ai ka përsëritur qëndrimin në takim me Solanën, se Shqipëria e dënon dhunën e marsit në Kosovë dhe është e papranueshme ajo dhunë, prandaj dhe duhet të rindërtohen objektet e shkatërruara gjatë kësaj dhune.


XS
SM
MD
LG