Ndërlidhjet

B. HAXHIU: UNMIK-U DHE INSTITUCIONET BËJNË PRESION MBI GAZETARINË


Albana Isufi, Prishtinë

Liria e shtypit në Kosovë është e kufizuar, ndërkaq gazetarët nuk gëzojnë as mbrojtje ligjore, konstatojnë përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.
Një përfaqësues i këtij Këshilli, Ibrahim Makolli, thotë se Këshilli ka evidencuar raste të shumta kur gazetarët janë penguar ta bëjnë puën e tyre nga faktorë të ndryshëm, por edhe nga persona përgjegjës nëpër institucione të Kosovës.
“Po ashtu është e kufizuar liria e lëvizjes së përfaqësuesve të mediave, nuk kanë qasje të lirë në shumë pjesë të Kosovës dhe po ashtu janë të anashkaluar nga ana e autoriteteve. Në këtë rast nuk mund të flasim për një gazetari të pavarur, gazetari të mundshme, e cila do t’i kryente obligimet që i parashtrohen para një organi medial”, tha Makolli.
Kushtet e vështira në të cilat punojnë gazetarët, ndërlidhja e biznesit në raport me mediat, mentaliteti kosovar si dhe presioni i institucioneve mbi udhëheqësit e mediave, sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës Baton Haxhiu, nuk lejojnë që në Kosovë të zhvillohet media e lirë.
“UNMIK-u dhe institucionet në njëfarë mënyre bëjnë presion mbi gazetarinë. E para shumica e shefave kanë lejuar që të rekrutohen njerëz nga partia për t’i përcjellë lajmet dhe e dyta telefonatat janë aq të shpeshta sikurse edhe presionet ndaj redaktorëve, saqë presioni bëhet i pashmangshëm edhe pse kështu duket jo i fuqishëm. Unë konsideroj se presioni i telefonatave është i tmerrshëm,” thotë Haxhiu.
“Po të mos ishin mediat nuk do të ndodhnin ngjarjet e marsit”. Ishte ky konstatim i një raporti të OSBE-së lidhur me raportimin e mediave gjatë trazirave, ku mediave kosovare iu vishet një pjesë e fajit për shpërthimin e dhunës. Kjo sipas vëzhguesve i ka frikësuar udhëheqësit e mediave dhe tani ato gjatë raportimit po vetëcensurohen.
Njëri nga përpiluesit e këtij raporti, Miklos Harastzi, thotë se OSBE nuk e ka ndërmend të cenzurojë mediat. Për dallim nga kosovarët, Harastzi thotë se në Kosovë ka liri të shtypit.
“Ka liri të shypit, por problemi ynë ishte se në ditët qënësorë të mesit të marsit treguan se disa elemente të kësaj lirie mungonin, si liria e zërave të pluralitetit, në fakt mungonte ana e përgjegjësisë, që do t’i bënte mediat të sigurojnë të gjitha faktet, të gjitha versionet, siç do të bëhej në çdo shoqëri demokratike, thotë Harastzi, i cili shton se pas këtij raporti mediat nuk do të duhej të vetëcenzurohen, por të forcohen dhe të punojnë me më shumë profesionalizëm.
Ndërkohë, aktivistët për të drejtat e njeriut mungesën e infrastrukturës ligjore e shohin si një arsye më shumë se pse në Kosovë ka kufizim të lirisë të shtypit. Por, zyrtarët e OSBE-së fajësojnë institucionet kosovare për mosmiratimin e ligjit përkatës për lirinë e shtypit.
“Ligji duhet të kalojë është duke u përgatitur, por me këtë ligj qeveria e Kuvendi po luajnë ping -pong," thotë Miklos Harastzi.

XS
SM
MD
LG