Ndërlidhjet

SJELLJET NË BURGUN IRAKIEN, ABUZIME APO TORTURË


ANDREW F. TULLY

Raporti për abuzimin e të burgosurve irakienë nga gardianët amerikanë dhe britanikë, gjithandej shkaktoi zemërim, si në Perëndim ashtu edhe në Lindjen e Mesme.
Kritikët kanë përdorur gjuhë tepër të ashpër për t'u distancuar nga sjelljet e keqtrajtimit të paraqitura në opinion. Por, a thua këto pamje mund të quhen abuzim, apo torturë?
"Këta të burgosur nuk janë kriminelë. Ata më shumë janë të burgosur politikë. Ky incident, kjo praktikë e tmerrshme nuk duhet të kalojë lehtë. Shtetet e Bashkuara duhet t'u kërkojnë ndjesë zyrtare irakienëve dhe të burgosurve që janë dhunuar", tha të shtunën në Bagdad Ghazi al-Yawar, anëtar i Këshillit Qeverisës të Irakut. Ai reagoi ndaj fotografive që i pa gjithë bota, irakienët e burgosur dhe lakuriq, që u ishinnënshtruar përçmimeve seksuale dhe keqtrajtimeve tjera në praninë e rojeve të buzëqeshur amerikane në burgun Abu Ghraib të Bagdadit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush i kërkoi Pentagonit të ndërmarrë veprime ndaj autorëve të akteve "tmerruese", siç i quajti ai. Sjellja gjithashtu u dënua edhe nga bota myslimane, duke u cilësuar si abuzim, mizori, shkelje e konventave ndërkombëtare apo torturë.
A janë aktet në fotografi torturë apo vetëm sjellje abuzive? Sipas James Ross nga Human Rights Watch, përgjigja e kësaj pyetjeje është e vështirë.
"Askush nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë qartë ku përfundon keqtrajtimi dhe ku fillon tortura. Një sjellje e ligë e bërë disa herë, brenda një kohe të shkurtër mund të mos jetë torturë. Por, kur përsëritet më gjatë, mund të jetë torturë", thotë Ross.
Artikulli 3 i Konventës së Gjenevës e ndalon trajtimin e vrazhdët dhe torturimin e të burgosurve, përfshirë "përbuzjen dhe trajtimin degradues" të tyre.
Por Ross thotë se natyra seksuale e pozave mund të shihet si torturë nëse subjektet pësojnë dëme të rënda psikologjike, apo nëse vijnë nga shoqëritë dhe fetë ku aktivitetet seksuale, e sidomos ato homoseksuale, janë rreptësisht të ndaluara, siç ndodh në botëm myslimane.
"Ajo që diku thjesht është keqtrajtim, diku mund të shihet si torturë. Pyetja është, çfarë ndikimi mund të ketë patur te i dëmtuari", thotë Ross.
Ndërkaq Amnesty International nuk e ka shumë vështirë të bëjë dallimin mes abuzimit dhe torturës. Zëdhënësi Alistair Hodgett i tha radios "Evropa e Lirë" se organizata vetëm e ndjek shembullin e qeverisë amerikane.
"Vetë qeveria e Shteteve të Bashkuara, në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit mbi praktikat e shkeljes së të drejtave të njeriut, sjelljen që ndodhi në burgun Abu Ghraib e përshkruan si torturë. Ne vetëm duhet të shohim atë që e sheh qeveria amerikane", thotë Hodgett, duke shtuar se Amnesty International nuk e përdor lehtë fjalën torturë.
"Ne përpiqemi t'i përdorim bashkë shprehjet 'keqtrajtim apo torturë', keqtrajtim që mund të ishte i barazvlefshëm me torturën. Konteksti ka të bëjë shumë. Jo gjithçka që ka ndodhur në burgun Abu Gharib ka qenë torturë, por në fund të fundit, gjithçka ishte e ndaluar", thotë Hodgett.
Të dyja organizatat, Amnesty International dhe Human Rights Watch u janë bashkangjitur kritikëve tjerë që kërkojnë hetime të pavarura. Këshilli Qeverisës i Irakut madje kërkoi të angazhohen Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.
Hodgett ndërkaq thotë se është përgjegjësi e Uashingtonit që skandali të zbardhet.
XS
SM
MD
LG