Ndërlidhjet

I. KASTRATI: PRIVATIZIMIN DUHET TA KRYEJNË VENDORËT


Ismail Kastrati, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastrati administrata ndërkombëtare ka bërë ndërrime në kreun e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit. Megjithatë anëtarët vendës të bordit thonë se as tani nuk janë duke parë ndonjë përparim në procesin e privatizimit. Ku qëndron sipas jush problemi?

ISMAIL KASTRATI
Problemi rreth procesit të privatizimit dhe në përgjithësi të funksionimit të AKM-së është politizuar së tepërmi. Ka hyrë në një rrugë pa rrugëdalje. Janë ndërruar shumë manaxherë të AKM-së por rezultatet janë shumë të dobëta. Posaçërisht në rastin e emërimit të zonjës Marie Fucci situata u komplikua edhe më tepër. Unë i kuptoj këto si një çështje dhe si një luftë konceptesh, prandaj është politizuar pa nevojë. Edhe pse është bërë ndërrimi i zonjës Marie Fucci, bordi ende nuk është takuar dhe nuk ka shenja se do të ecet rreth procesit të privatizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi shefi i shtyllës së katër të UNMIK-ut Nikolas Lambsdorf ka shkarkuar dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të AKM-së Szabolsc Szekeres duke krijuar një vakuum tjetër. Sa ndikojnë këto veprime të Lambsdorfit në procesin e privatizimit.

ISMAIL KASTRATI
Po siduket vetë Lambsdorfi do të jetë pengesë e procesit të privatizimit. Ai nëse e ka shkarkuar zotin Szekeres për keqpërdorime që janë bërë në kuadër të menaxhimit të ndërmarrjeve publike, për ç'ka nuk jam i sigurt, do të ishte në rregull, por nëse e ka shkarkuar për shkak të tekave apo për shkak të mosmarrëveshjeve të një grupi apo të një grupi tjetër, atëhere kjo tregon se në të vërtetë ka inate dhe ka teka brenda procesit të privatizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastrati, ju thatë se procesi i privatizimit në një farë mënyre është politizuar, ndërkohë që njëri nga anëtarët vendas të bordit pati hedhur idenë që tërë bordi të ndërrohet, edhe ndërkombëtarët edhe vendorët të ndërrohen tërësisht. Si e shihni ju këtë ide, a do t'i zgjidhte problemet?

ISMAIL KASTRATI
Kjo do të ishte një rrugë, domethënë të ndërrohet i tërë bordi dhe të vazhdojë procesi i privatizimit. Por rruga tjetër do të ishte që procesi i privatizimit të udhëhiqet nga strukturat vendore, sepse vetëm strukturat vendore kanë interes që këto procese t'i çojnë përpara. Të tjerët më tepër i shohin këto çështje në një aspekt krejt tjetër, në aspektin e humbjes së kohës dhe së tepërmi ruajnë pozicionet e veta, ka apo s'ka mbështetje ligjore etj. Ndërsa për ne është shumë me rëndësi që procesi i privatizimit dhe i transformimit në përgjithësi të ecin me ritëm të shpejtuar.
Ajo çka është me rëndësi është që ne duhet njëherë e përgjithmonë të dëshmojmë se kjo është pronë e jona. Ne jemi popull autokton, nuk kemi ardhur këtu pasi ka ndërhyrë NATO, kemi qenë dhe më parë dhe kjo pronë është krijuar nga djersa dhe kapitali jonë, që ndërkombëtarët nuk po duan ta trajtojnë krejtësisht ashtu. Prandaj problemet janë të politizuara rreth të drejtës së pronës dhe ka interesa të ndryshme nga kampe të ndryshme, nga shtete të ndryshme, nga grupe të ndryshme. Prandaj dhe procesi i privatizimit nuk ecën.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëri nga problemet që ka bërë që të bllokohet procesi i privatizimit ishte ndërrimi i politikave operacionale që nga ardhja e zonjës Marie Fucci. Ajo tanimë është shkarkuar. A do të thotë se ky problem është zgjidhur me shkuarjen e saj?

ISMAIL KASTRATI
Për politikat operacionale është normale që diçka duhet ndërruar aty ku ato janë pengesë e zhvillimit të procesit të privatizimit, por jo në stilin siç ka pretenduar t'i ndërrojë zonja Maria Fucci, që pronarit të ri, blerësit të ri, t'i ngarkohen të gjitha borxhet historike, të cilat janë të imagjinuara dhe nuk dihet sa janë. Praktikisht ajo do të ishte një pengesë klasike e procesit të privatizimit, ku do të blente diçka siç thotë populli "me masë në thes". Prandaj nuk do të ishte në rregull që ato që i ka propozuar Marie Fucci, posaçërisht në këtë kuptim të aprovohen, të ecin. Duhen ndërruar dhe duhet ecur me forma të tjera të politikave operacionale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kastrati, mandati i AKM-së është paraparë që të përfundojë në mesin e vitit të ardhshëm. A mendoni se të gjitha ndërmarrjet që priten të privatizohen do të mund të kryejnë këtë proces deri në atë datë?

ISMAIL KASTRATI
Absolutisht nuk munden. Kjo është shumë kohë e shkurtër, por edhe të kishte shkuar me ritëm normal nuk do të mund të privatizohen të gjitha ndërmarrjet, posaçërisht pjesa e ndërmarrjeve të cilat duhet të futen në procesin e likuidimit, për çka dhe paketa ligjore nuk është komplete. Por siduket AKM-ja është krijuar më tepër për të penguar procesin e transformimit dhe privatizimit dhe ajo që në fillim ka qenë e dizajnuar që të dështojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e sheh Oda Ekonomike zgjidhjen në tërë këtë proces?

ISMAIL KASTRATI
Unë e thashë dhe më parë se ne duhet të kemi një strategji tonën. Ajo strategji duhet të jetë në drejtim të marrjes së kompetencës nga strukturat vendore, rreth menaxhimit të pronës shoqërore dhe procesit të privatizimit. Ndryshe nuk ka rrugëdalje. UNMIK-u, AKM-ja janë treguar të pazotë, të paaftë, jokompetentë shpesh herë dhe me dilema i kanë hyrë kësaj çështjeje, me interesa të ndryshme, dhe prandaj nuk ecën procesi i privatizimit. Kështu nuk mund të bëjmë transformimin dhe as fazën e tranzicionit ta kryejmë me sukses.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG