Ndërlidhjet

logo-print

(Ç)RRËNJOSJA E KORRUPSIONIT


Milazim Krasniqi

Zemërimi i dy piktorëve shqiptarë nga Shqipëria, të cilëve u janë vjedhur pikturat për të bërë muralet problematike në ambjentet e Kuvendit të Kosovës, është një denoncim publik ndaj kulturës së shpërdorimit dhe të vjedhjes që është instaluar gjithandej në jetën shoqërore në Kosovë. Vjedhjet individuale dhe kolektive, private dhe institucionale janë shndërruar në dukuri gjithëpërfshirëse. Ato ndeshen dhe në fushën e muzikës, ku thjesht vidhen meloditë nga muzika e huaj dhe pastaj i adaptohen një teksti shqip.
Vjedhje dhe abuzime janë përhapur porsi metastaza në administratë dhe menaxhmentin e shumë ndërmarrjeve publike kosovare, për ç'ka aty këtu kanë filluar edhe kundërpërgjigjet simbolike të gjyqësisë. Kjo prirje euforike pas grabitjes së pronës së tjetrit, pa vrasjen më të vogël të ndërgjegjes, pati filluar menjëherë pas luftës. Në fillim cak i kësaj prirjeje ishin pronat e serbëve. Paaftësia e administratës që të ndërpritej kjo dukuri e shëmtuar, ishte e bashkëdyzuar me një moral të rremë patriotik, që gjoja ishte e lejuar të merrej prona serbe. Në këtë mënyrë u instalua kultura e grabitjes dhe e shpërdorimit të pronës së tjetrit dhe që pas pesë vjetësh arriti me simbolikën e vet deri në hollet e Kuvendit të Kosovës.
Zbulimi i vjedhjes ordinere që u është bërë veprave artistike të piktorëve shqiptarë Qamil Prizreni dhe Zef Shoshi nga organi ligjvënës i Kosovës, vetëm simbolizon gjendjen që ka pllakosur nga metastazat e grabitjes dhe të shpërdorimit në shoqërinë e sotme kosovare. Edhe nëse piktorët e grabitur e marrin një satisfaksion gjyqësor dhe material për abuzimin që u është bërë punëve të tyre artistike, përsëri pasojat që janë shkaktuar nga kjo kulturë e shpërdorimit, do të mbeten. Kjo për një arsye psikologjike. Kur organi ligjvënës është autor i abuzimeve, atëhere gjasat që të korrigjohen dukuritë e tilla në shoqëri janë të zymta. Aq më pak mund të korrigjohen pasojat politike që janë shkaktuar prej veprimeve të tilla. Është e ditur se ato morale shërbejnë si provokim ndaj administratës civile ndërkombëtare në Kosovë. Përfaqësuesi special Harri Holkeri pati premtuar se nuk do të hynte në ato ambjente të Kuvendit derisa të hiqeshin muralet kontestuese. Ndërsa deputetët serbë e shfrytëzuan promovimin e atyre muraleve si pretekst për largim nga Kuvendi. Përderisa Holkeri u rikthye në ato ambjente pas fshehjes së muraleve pas bezeve, deputetët serbë ende nuk janë kthyer në vendet e tyre, gjë që paraqet një ngarkesë të rëndë për jetën institucionale të Kosovës. Kur shikon zhvillime të tilla, nuk duket aspak e çuditshme që Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar ndonjë ligj për mbrojtjen e pronës së qytetarëve nga grabitja. Nuk është e çuditshme as që Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar një ligj për të drejtat e autorit. Për të qenë situata krejt absurde, kohë më parë edhe presidenti i Kosovës ka propozuar legalizimin e ndërtimeve paleje në Prishtinë. Askush nuk ka denjuar t'u japë përgjigje se si mund të bëhet kjo, kur legalizimi i tillë në shumë raste legalizon grabitjen, vjedhjen dhe përvetësimin e pronës së tjetrit. Kjo çoroditje morale dhe ligjore që po ngulfat shoqërinë ka rrezik që të vazhdojë dhe për aq kohë sa demagogjia politike dhe patriotizmi verbal të jenë mbulesë për shpërdorime vjedhje dhe krime. Ndërprerja e këtij cikli vetëvrasës është e mundshme vetëm me një kuadër të qartë ligjor, i cili do të saktësojë se cilat veprime janë ligjore e cilat janë në sferën e shpërdorimit e të krimit ordiner. Por kjo kërkesë na kthen në fillim: tek Kuvendi i Kosovës si organi ligjvënës, i cili as për veten e vet nuk e ka krijuar vijën ndarëse ndërmjet veprimit korrekt ligjor dhe shpërdorimit të pronës së tjetrit, për ç'ka është paralajmëruar nxjerrja e tij në gjyq nga piktorët e grabitur.


XS
SM
MD
LG