Ndërlidhjet

A. GASHI: PLANI I BEOGRADIT PËR KOSOVËN, PËR NE PLOTËSISHT I PAPRANUESHËM


Alush Gashi, deputet i LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, këto ditë Beogradi ka dalë me një plan për Kosovën. Fillimisht si e shihni ju këtë plan dhe cila është përgjigja juaj ndaj nismave të tilla që vijnë nga Beogradi?

ALUSH GASHI
Kosova i ka planet e veta të zhvillimit dhe planet për ngritjen e administratës së Kosovës, plane të cilat janë vlerësuar shumë mirë nga komuniteti ndërkombëtar. Angazhimi jonë themelor është të krijojmë një administratë, e cila do t'u përgjigjej kërkesave të qytetarëve të Kosovës, në bazën e barazisë së plotë të tyre. Për pakicat ne jemi të angazhuar dhe u japim garanca vendorëve dhe ndërkombëtarëve që ato i kanë të drejtat siç janë paraparë edhe në Këshillin e Evropës. Lidhur me këtë që po pyesni ne nuk marrim pjesë në lojërat e Serbisë, lojëra në një farë mënyre të pakufi. Fatkeqësisht ata dalin me projekte të cilat nuk i kontribuojnë paqes, stabilitetit. Projekti më i ri i Serbisë është projekt i cili kundërshtohet nga komuniteti ndërkombëtar, i cili së bashku me kosovarët angazhohet që të jetë një Kosovë demokratike, ku nuk do të ketë qytetarë të izoluar apo etni të izoluara, minoritetet që do të jetojnë nëpër enklava apo në formë të izoluar. Me një fjalë plani i Serbisë për ne është plotësisht i papranueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Administrata e UNMIK-ut i është përgjigjur këtij plani. Cili është vlerësimi juaj rreth përgjigjes që ka dhënë zyra e shefit të UNMIK-ut në Prishtinë?

ALUSH GASHI
Po në atë përgjigje të pjesërishme të tyre, ne mirëpresim pjesën e përgjigjes ku UNMIK-u angazhohet për një Kosovë demokratike ku nuk do të ketë priviligjime apo izolime të një minoriteti. Pra përshëndesim qasjen e UNMIK-ut për një Kosovë, për një administratë ku gjithë qytetarët e Kosovës do të jenë të barabartë, dhe ku minoritetet do t'i gëzojnë të drejtat e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në atë që aktualisht është duke u zhvilluar dhe në atë që vazhdimisht po thirret si përparim në Kosovë, sa ju personalisht prisni që në vitin 2005 Kosova do të jetë e gatshme që të fillojë dhe bisedimet për statusin e saj?

ALUSH GASHI
Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një përgjigje korrekte, për një përgjigje të saktë dhe të qëndrueshme, e cila pritet nga komuniteti ndërkombëtar. Ne i kemi besuar dhe i besojmë deklarimit të qeverisë amerikane për zgjidhjen e statusit apo për fillimin e tij në vitin 2005, dhe nuk kemi arsye që të kemi pikëpyetje në këtë përcaktim. Por njëkohësisht jeta është shumë konkrete dhe qytetarëve të Kosovës i nevojitet sigurimi i një prosperiteti ekonomik, një komoditet më i mirë sa i përket dhe sigurisë, por është shumë vështirë të bisedohet në Kosovë për një prosperitet nëse nuk ka siguri. Njëkohësisht siguria nuk mund të arrihet pa një zhvillim ekonomik. Një zhvillim ekonomik nuk mund të arrihet pa siguri përsëri. Kjo do të thotë që nevojitet një qasje shumë më e sinqertë. Kosova në arenën ndërkombëtare duhet ta ketë trajtimin e një shteti në ndërtim, jo të një projekti i cili nuk dihet se si do të përfundojë. Prandaj për një mbështetje edhe më të fuqishme të qytetarëve të Kosovës në afrim të vitit 2005, apo në plotësim të të ashtuquajturave standarde, nevojitet një garancë e plotë ndërkombëtare për pavarësi të Kosovës.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG