Ndërlidhjet

logo-print

ISH DIPLOMATË AMERIKANË KRITIKOJNË POLITIKËN E BUSHIT NË LINDJEN E MESME


Frank Csongos

A munden Shtetet e Bashkuara të funksionojnë si ndërmjetësues i paanshëm në konfliktin e gjatë ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve?
Disa ish diplomatë amerikanë thonë jo.
Në një letër drejtuar presidentit George Bush, ata thonë se Uashingtoni e ka humbur të drejtën të arbitrojë në konfliktin në Lindjen e Mesme, për shkak të vendimeve të fundit për të mbështetur njërën anë, në kurriz të tjetrës.
Grupi i ish diplomatëve amerikanë i ka dënuar politikat e Lindjes së Mesme të presidentit George Bush, duke thënë se ato anojnë nga Izraeli dhe përfundimisht e minojnë sigurinë kombëtare të Amerikës.
Kritikat e pazakonshme u shprehën në formën e një letre, të nënshkruar nga 60 ish diplomatë, përfshirë disa ambasadorë të pensionuar, që kishin shërbyer në Lindjen e Mesme.
Letra, e frymëzuar nga protesta e ngjashme javën e kaluar, që 52 ish ambasadorë britanikë iu dorëzuan kryeministrit britanik Tony Blair, u bë publike të martën në Uashington.
Grupi shpreh shqetësime për mbështetjen që Bushi i dha planit të kryeministrit izraelit Ariel Sharon, sipas të cilit ata thonë se 3 milionë refugjatëve palestinezë nga lufta e vitit 1948, do t'u mohohet e drejta të kthehen prapë në Izrael. Plani gjithashtu parasheh tërheqje të pjesërishme të Izraelit nga Rripi i Gazës.
Në letër thuhet se Shtetet e Bashkuara nuk janë partner i paanshëm, kështu që diplomatët, civilët dhe ushtarakët amerikanë që punojnë jashtë, janë rrezikuar nga shkaku i rritjes së anti-amerikanizmit. Letra i kërkon Bushit t'i ripohojë parimet amerikane të drejtësisë.
Andrew Killgore, ish diplomat amerikan në Katar është një nga nënshkruesit e letrës.
"Ne i bëmë vërejtje presidentit sepse, shkaku i realiteteve të reja, siç i quan ai, ua merr palestinezëve të drejtën të kthehen, ndërsa Sharonit ia jep të drejtën të mbajë 5 vendbanime në Bregun Perëndimor", thotë Killgore.
Robert Keeley, ish ambasador në Greqi, tha se Shtetet e Bashkuara më nuk mund të pohojnë se janë ndërmjetësues i paanshëm mes izraelitëve dhe palestinezëve.
"Politika amerikane ishte që zgjidhja e konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve të negociohet me të dyja palët, ndërsa Shtetet e Bashkuara të jenë ndërmjetësues i ndershëm", thotë Keeley.
Diplomatët vërejtën se 52 diplomatët britanikë, në letrën drejtuar Tony Blairit, e kanë kritikuar politikën e tij në Lindjen e Mesme dhe kanë kërkuar ndikim më të madh të Britanisë te Shtetet e Bashkuara. Ish diplomatët amerikanë thanë se vendosën ta ndjekin shembullin e britanikëve, sepse ishin thellë të shqetësuar mbi politikën e jashtme amerikane dhe kredibilitetin e Shteteve të Basghkuara në botë.
I pyetur nëse kritikat ndaj Bushit do të ndihmojnë në ndryshimin e politikës amerikane, Killgore tha.
"Mendoj se nuk do ta tepronim nëse flasim për rëndësinë që kemi. Por ka mijëra gjëra që e përbëjnë opinionin publik amerikan dhe kjo është njëra prej tyre. Kemi përvojë, i njohim ato vise dhe kemi jetuar si diplomatë", thotë ish ambasadori amerikan në Katar.
Ndërkaq Keeley i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të luajë rol të rëndësishëm në procesin e paqes. I pyetur për rolin e Kombeve të Bashkuara, ai tha se kjo çështje është sfida qendrore.
"Është një pyetje e mirë. Nuk i veçova sepse Izraeli nuk i do Kombet e Bashkuara për arsye që dihen. Thashë bashkësia ndërkombëtare, sepse çfarëdo që të bënin Kombet e Bashkuara, Izraeli do ta refuzonte. Unë vetëm jam i dëshpëruar me Shtetet e Bashkuara, që nuk e përdorin ndikimin e tyre për t'i drejtuar gjërat", tha ish ambasadori amerikan në Greqi.
XS
SM
MD
LG