Ndërlidhjet

AMNESTY INTERNATIONAL PUBLIKON RAPORTIN PËR TRAFIKIMIN E FEMRAVE NË KOSOVË


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Misionet ndërkombëtare janë përgjegjëse për shkallëzimin e industrisë së seksit në Kosovë, e cila bazohet në keqtrajtimin e femrave dhe trafikimin e tyre, ka vlerësuar organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International.
Në raportin e kësaj organizate të publikuar sot në Prishtinë, thuhet se në vitet 1999 dhe 2000, 80 % e klientëve të femrave të trafikuara, kanë qenë pjesëtarë të organizatave ndërkombëtare, kurse sot kjo përqindje llogaritet për klientët vendorë. Shon Xhons, përfaqësuese e Amnesty International thotë se misionet ndërkombëtare dhe forcat paqeruajtëse në mbarë botën mundësojnë zhvillimin e industrisë së seksit.
"UNMIK-u dhe KFOR-i janë përgjegjës pse në Kosovë është ndier nevoja për trafikimin e femrave. Ardhja e organizatave ndërkombëtare, ka qenë pikë kthesë në zhvillimin e trafikimit dhe UNMIK-u e KFOR-i nuk kanë arritur të përdorin autoritetin e tyre për të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e trafikimit dhe shfrytëzuesit e shërbimeve të viktimave të trafikuara", thotë zonja Xhons.
Në raportin e kësaj organizate, që përfshin hulumtime të bëra që nga viti 1999, thuhet se shumica e femrave të trafikuara nuk i nënshtrohen kujdesit mjekësor. Ato shpesh herë shndërrohen edhe në viktima të sistemit gjyqësor, për faktin se nga autoritetet e rendit arrestohen si prostituta dhe jo si viktima të trafikimit. Sipas zonjës Xhons është e domosdoshme që autoritetet kompetente në Kosovë, të sigurojnë respektimin e të drejtave të njeriut për këto femra dhe t'u ofrojnë atyre masa të nevojshme mbrojtjeje.
"Për zgjidhjen e kësaj çështjeje është e nevojshme të egzistojë vullneti politik. UNMIK-u dhe institucionet kosovare me gjithë gjendjen e rëndë në Kosovë, nuk guxojnë të harrojnë shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut të femrave të trafikuara", thotë zonja Xhons.
Mendim të ngjashëm ka dhe Sevdije Ahmeti, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve:
"Në të vërtetë është çështja edhe e viktimave. Mbrojtja e viktimës dhe asistenca e viktimës. Nuk mund të mbahet një viktimë me 30 euro në muaj, e cila për shembull është në varësi, domethënë i është dhënë drogë, e pi duhanin dhe është me një kategori shumë të ulët sociale, domethënë me gjendje ekonomike katastrofike. Si do ta kthejmë atë viktimë në jetë normale? Mos përmendet problemi tjetër i ambjentit që nuk e pranon fare", thotë zonja Ahmeti.
Ndryshe të dhënat e sotme të organizatës Amnesty International flasin se gratë dhe vajzat e trafikuara dhe të detyruara në prostitucion, vijnë nga vendet e varfëra evropiane, Moldavia, Bullgaria, Rumania dhe Ukrajina, nën premtimet e trafikuesve për vende të mira pune. Ato pastaj shiten për 50 deri në 3500 euro, dhe nga Kosova transferohen në vendet e Evropës Perëndimore, në Itali, Hollandë dhe Britani të Madhe. Në raport gjithashtu tërhiqet vërrejtja se trafikimi ka filluar të shtrihet edhe brenda kufijve të Kosovës dhe viktimat janë kryesisht vajzat e reja nga Kosova.


XS
SM
MD
LG