Ndërlidhjet

logo-print

M. HALILI: PËRCAKTIMI I KUFIRIT KOSOVË-MAQEDONI, DUHET BËRË MES KOSOVARËVE DHE MAQEDONASVE


Muhamed Halili, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Muhamed, Maqedonia është në pritje që të vazhdojë shënimin e vijës kufitare me Serbinë, duke përfshirë këtu edhe pjesën me Kosovën. Cili është mendimi juaj rreth kësaj?

MUHAMED HALILI
Kjo është një marrëveshje e njohur nga bashkësia ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara si marrëveshje e vlefshme. Por kujdesi përqëndrohet në atë që në të ardhmen e afërt të gjendet një gjuhë e përbashkët midis autoriteteve të UNMIK-ut, të pjesës qeveritare të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë që të eleminohen disa keqkuptime ose mosmarrëveshje që kanë të bëjnë me shënimin e linjës kufitare. Është pjekur koha, por edhe vetë të dy palët, edhe pala maqedonase, edhe ajo e UNMIK-ut dhe kosovare, konsiderojnë se këto çështje mund të zgjidhen. Por deri tek demarkacioni real duhen bërë ende përpjekje. Thelbi i kontestit qëndron në atë që kjo duhet të jetë një marrëveshje midis kosovarëve dhe maqedonasve e jo midis maqedonasve dhe serbëve e malazezëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë fillon edhe procesi i ndërrimit të forcave ushtarake kufitare me forcat policore në Maqedoni. Cili është qëndrimi i fqinjëve të Maqedonisë rreth këtyre ndryshimeve?

MUHAMED HALILI
Unë mendoj se fqinjët nuk kanë edhe pse të kenë ndonjë qëndrim të posaçëm, sepse kjo bëhet në pajtim me Shtyllën e dytë të Bashkimit Evropian që është bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, ministrive të punëve të brendshme dhe të drejtave të njeriut. Njëkohësisht këto janë përpjekje të cilat i bën Republika e Maqedonisë por që duhet t'i bëjnë dhe shtetet fqinje në të ardhmen se reforma të tilla në lëminë e funksionimit të brendshëm të shtetit duhet të bëhen dhe veçanërisht transforimi i njësive të ushtrisë. Në këtë vazhdë duke zhvilluar bashkëpunimin rajonal pushon së egzistuari frika e ndonjë sulmi ushtarak nga shtetet fqinje, sepse tërë struktura e mbrojtjes kalon në një sistem kolektiv të mbrojtjes siç do të jetë NATO-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë ishim dhe dëshmitarë të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Cili ishte roli i marrëdhënieve ndëretnike në këto vende në afrimin e këtyre vendeve drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian përballë përpjekjeve të Maqedonisë që të kyçet në këto dy struktura?

MUHAMED HALILI
Vetë fakti se marrëveshja, të cilën Republika e Maqedonisë e ka nënshkruar me Bashkimin Evropian në vetvete përmban edhe elementin e stabilizimit. Është çështje e ditur se asnjëri nuk e prish rehatinë e tij që duke marrë në gjirin e tij vende që prodhojnë jostabilitet. E kur flasim gjithnjë për forcimin e marrëdhënieve ndëretnike, komuniteti ndërkombëtar mendon se Marrëveshja e Ohrit është një themel i mirë që të forcohen këto marrëdhënie midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë. Për këtë ngulin këmbë duke e përmendur Marrëveshjen e Ohrit si një marrëveshje që mund të zgjidhë mosmarrëveshjet ndëretnike.

Intervistoi Ivan Bllazhevski
XS
SM
MD
LG