Ndërlidhjet

GAJTANAS: "INSTITUCIONET E KOSOVËS, TË BASHKËPUNOJNË, JO VETËM TË PRESIN"


Ari Gajtanas, zëdhënësi i OKB-së në Nju Jork

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gajtanas, javën e kaluar Këshilli i Sigurimit ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Anan që të paraqesë rekomandimet e nevojshme për të lejuar kalimin e përgjegjësive jo të rezervuara tek institucionet kosovare. A po punohet në këtë drejtim dhe kur mund t'i paraqesë zoti Anan këto rekomandime?

ARI GAJTANAS
Kam frikë se nuk mund t'ju them një datë të saktë. Dihet që këto gjëra marrin kohën që u nevojitet dhe siç mund ta merrni me mend, Kosova është në një situatë të vështirë, e cila kërkon një përgjigje të plotë. Sa i përket afatit kohor nuk mund të them dicka konkrete, pasi varet se si do të ecet përpara në këtë situatë shumë të komplikuar, veçanërisht nën dritën e ngjarjeve të fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
A nënkupton deklarata e Këshillit të Sigurimit se
UNMIK-u po punon ngadalë në kalimin e kompetencave?

ARI GAJTANAS
Mendoj që Sekretari i Përgjithshëm i jep një mbështetje të plotë punës së UNMIK-ut në Kosovë. Por sërisht duke u bazuar në atë çfarë ndodhi në mars, kërkohet një rishikim ndaj disa qasjeve të UNMIK-ut, sidomos në fushën e sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka debate në mesin e ekspertëve, madje dhe në mesin e përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit për riorganizmin e UNMIK-ut. A ka diskutime të tilla dhe në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe brenda UNMIK-ut?

ARI GAJTANAS
Mendoj se Kombet e Bashkuara janë gjithmonë të ndërgjegjshme që duhet, ndoshta jo të ndryshojnë shumë, por të përshtaten për të plotësuar kërkesat e situatave të ndryshme. Për momentin përgjigjjet e deritanishme dhe përparimi i UNMIK-ut kanë qenë ashtu sic ka menduar Organizata e Kombeve të Bashkuara, ndaj dhe aktivitetet e UNMIK-ut në Kosovë kanë gëzuar një mbështetje të plotë të OKB-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Përvec mbështetjes që ju i jepni UNMIK-ut, a mund të na thoni konkretisht nëse ka diskutime për të riparë mënyrën se si OKB-ja është e pranishme në Kosovë?

ARI GAJTANAS
Mendoj se çështja më e rëndësishme këtu nuk është përqëndrimi tek efikasiteti i UNMIK-ut, por ashtu siç e theksoi dhe Sekretari i Përgjithshëm, zoti Anan, në raportin e tij para Këshillit të Sigurimit, komuniteti ndërkombëtar nuk mund t'i përmbushë i vetëm detyrat, për të ndihmuar Kosovën drejt një progresi të bashkëjetesës dhe ripajtimit. Qytetarët e Kosovës, institucionet e saj politike, udhëheqësit e saj, duhet të japin ndihmën e tyre dhe të punojnë së bashku me komunitetin ndërkombëtar dhe jo të mbështeten apo presin vetëm nga UNMIK-u, që t'u japë rezultatet që priten.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është pozicioni i OKB-së për planin e fundit të qeverisë serbe lidhur me decentralizimin e Kosovës, plan i cili është hedhur poshtë nga institucionet kosovare?

ARI GAJTANAS
Nuk mendoj se Kombet e Bashkuara kanë marrë zyrtarisht një kopje të raportit në fjalë. Nuk kam lexuar asnjë raport lidhur me këtë, ndaj nuk besoj se do të komentohet në tërësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke kaluar në të tjera zhvillime, raporti i fundit i Amnesty International akuzon se ka në mesin e personelit ndërkombëtar në Kosovë të përfshirë në trafikun e femrave dhe të tjerë që shfrytëzojnë shërbimet e femrave të trafikuara. Cila është përgjigja e Kombeve të Bashkuara në këtë rast dhe çfarë masash po merrni?

ARI GAJTANAS
UNMIK-u ka lëshuar një deklaratë në të cilin e vlerëson raportin e Amnesty International si shumë të pabalancuar, dhe që nuk adreson situatën reale me të cilën po përballen viktimat e trafikut në rajon. UNMIK-u gjithashtu tha se kushtet e rënda që kanë egzistuar në këtë rajon në 1999 –2001, kur UNMIK-u ishte në fillimet e tij dhe nuk kishte rezultate konkrete në adresimin e krimeve serioze, kanë ndikuar në këtë drejtim. Ky është qëndrimi i UNMIK-ut ndaj raportit.
Duke folur rreth kësaj cështje do ishte më mirë të thuhej se Kombet e Bashkuara kanë një qasje tepër të ashpër, bazuar në legjistlacionin që është në fuqi në terren, ndaj të gjithë atyre që bëjnë shkelje të rënda të kësaj natyre, përfshi dhe ata që shkojnë në vende të palejueshme apo ku ka persona të trafikuar. Do të doja të shtoja se kanë qenë 2000 operacione të ndërrmarra nga policia e UNMIK-ut vitin e kaluar në rajon dhe vetëm në një rast një ka qenë një polic ndërkombëtar dhe 3 punonjës civilë ndërkombëtarë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme. Ndaj tyre janë marrë masa, në bazë të rregullores për luftën kundër trafikimit të njerëzve në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç justifikimeve që dalin nga UNMIK-u mbi këtë problem, mendoni se do të merren masa për të ndaluar edhe ato që ju mund t'i quhen raste të izoluara?

ARI GAJTANAS
Mendoj që UNMIK-u gjithmonë bën çfarë mundet për të parandaluar çdo lloj rasti të izoluar apo jo. Mesazhi i UNMIK-ut për çdo viktimë të trafikimit është: "Mos u druani të vini në polici, UNMIK-u do t'ju shpëtojë." Dhe nëse keni qenë ndonjëherë në ndonjë vend ku njerëzit trafikohen apo burgosen, ju lutemi bashkëpunoni me UNMIK-un që të ndihmoni në zgjidhjen e situatës.

RADIO EVROPA E LIRË
Më 11 maj Këshilli i Sigurimit do diskutojë sërisht rreth Kosovës. Cilat do jenë pikat kryesore të debatit?

ARI GAJTANAS
Nuk do të kisha dëshirë të spekulloja mbi atë që mund të diskutohet. Por mendoj se do të trajtohen ngjarjet e fundit që nga marsi, të cilat mund të adresohen së bashku me masat për të ndihmuar në parandalimin e përsëritjes së tyre. Por siç e thashë nuk do doja të spekulloja mbi agjendën e diskutimeve.

Intervistoi Iliriana A. Bajo

XS
SM
MD
LG