Ndërlidhjet

REXHEPI TAKOHET ME PËRFAQËSUESIT E PARTIVE POLITIKE NË SHKUP


Isuf Kadriu, Shkup

Në takimin e përbashkët të kryeministrit Bajram Rexhepi me përfaqësuesit e partive politike, janë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me Kosovën Maqedoninë dhe rajonin në përgjithësi.
"U njohëm shumë për situatën në Kosovë në mënyrë direkte prej kryeministrit, për atë çfarë ndodh në Kosovë, për qëllimet e mëtejshme të Kosovës, për përpjekjet për t'i treguar një realitet botës dhe fqinjëve. Kosova do të jetë një gur i sigurtë i stabilitetit të Ballkanit dhe për këtë na bindi zoti Rexhepi", tha përfaqësuesi i BDI-së Xhevat Hyseini.
Problemet mund të zgjidhen vetëm përmes komunikimit, tha ndërkohë përfaqësuesi i Lidhjes Socialdemokrate Tito Petkovski, duke apeluar për intensifikimin e takimeve dypalëshe.
"Sinqerisht mendoj se duhet të ketë komunikim më të shpeshtë dhe shkëmbim të mendimeve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë zgjidhje të problemeve nëse për to bisedojmë e që mund dhe duhet të na bashkojnë", tha Petkovski, sipas të cilit shmangia e komunikimit mund të krijojë vetëm ndarje dhe asgjë më shumë. Nga ana tjetër përfaqësuesi i Partisë Demokratike Shqiptare Zamir Dika, u shpreh:
"Ishte një bisedë e hapur e sinqertë. Nga të dyja anët u shpreh kënaqësia për prezencën e kryeministrit të Kosovës në Maqedoni. E inkurajuam që ky nivel i bashkëpunimit ë rritet mundësisht edhe në nivel institucional, në mënyrë që të mund të materializohen këto vizita nga aspekti i kortezisë në aspektin e bashkëpunimit praktik".
Përfaqësuesi i Partisë së Prosperitetit Demokratik Ismet Ramadani, tha se kryeministri Bajram Rexhepi ishte i hapur për të gjitha çështjet, ndërsa veçon atë që ka të bëjë me përcaktimin e vijës kufitare mes dy vendeve.
"Kryeministri ishte i qartë për atë që të mos biem pre e provokimeve të Serbisë, në lidhje me demarkacionin e kufirit Kosovë-Maqedoni. Është e diskutueshme ajo që është në pjesën e Debëlldesë dhe Tanushës, mirëpo ne gjithnjë jemi të përgatitur që për këtë të bisedojmë më tutje dhe ta bëjmë punën në mënyrë që të gjithë të jemi të kënaqur dhe me një qëllim, duke intensifikuar bashkëpunimin Maqedoni-Kosovë, për të gjetur zgjidhje për atë pjesë të diskutueshme të kufirit".


XS
SM
MD
LG