Ndërlidhjet

UNMIK: INSTITUCIONET DHE KOMUNITETET E KOSOVËS TË OFROJNË NJË PLAN PËR DECENTRALIZIMIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Reformimi i pushtetit lokal në Kosovë, përmes procesit të decentralizimit, është një çështje që po analizohet si në administratën e UNMIK-ut ashtu dhe në kuadër të institucioneve të Kosovës. Mirëpo, ndërsa UNMIK-u pohon se së bashku me Grupin e Kontaktit është duke shqyrtuar dhe planin e Serbisë për Kosovën, ku mes të tjerash parashihet dhe fuqizimi i pushtetit lokal nëpër enklavat ku aktualisht jeton komuniteti serb, përfaqësuesit kosovarë thonë se plani i Serbisë nuk mund të merret si model pasi, sipas tyre, Kosova i ka institucionet e veta dhe ato do të vendosin për decentralizimin e pushtetit. Një zëdhënëse e UNMIK-ut, Mathild Heneke, thotë se shpërndarja e pushtetit nëpër komuna është me rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik, rritjen e sigurisë dhe transparencës, por UNMIK-ut, thotë ajo, nuk pajtohet me kantonizimin e Kosovës, si koncept. Ngritja e institucioneve lokale nëpër Kosovë, të cilat nuk janë pjesë e strukturave legale të institucioneve të Kosovës, për ne në UNMIK është e papranueshme, thekson Heneke:
“Procesi i gjetjes së zgjidhjes në çështjen e decentralizimit apo zhvillimit të pushtetit lokal, për çka është angazhuar dhe shefi i UNMIK-ut në bisedën e tij me Koshtunicën, së pari duhet të zhvillohet në Prishtinë," thotë Heneke. "Kjo do të thotë se propozimin për decentralizimin së pari duhet ta japin institucionet e Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjitha bashkësise etnike, pra edhe serbëve," thekson ajo.
Në anën tjetër, kabineti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, përmes këshilltarit politik, Ramush Tahiri, thotë se Kosova ka nevojë për reformimin e pushtetit dhe paralajmëron ndërmarrjen e hapave konkretë të institucioneve të Kosovës në drejtim të propozimit të planeve dhe ligjeve konkrete.
“Ne i kemi rekomandimet e Këshillit të Evropës që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe të cilat janë të parapara të fillojnë diku në vitin 2006, mirëpo duke marrë parasysh situatën aktuale dhe duke marrë parasysh se tani kemi një mungesë të dialogut të brendshëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, apo ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve serbë qytetarë të Kosovës, atëherë del si e nevojshme që të bëjmë disa reforma në pushtetin lokal, përkatësisht në decentralizim, si një lloj bartje të pushtetit dhe kompetencave, por dhe si një lloj krijimi të ndjenjës së sigurisë për serbët e malazezët në Kosovë”, thekson Tahiri.
Në këtë proces, thotë Tahiri, duhet pritet që Kosova të ofrojë alternativën e vet, e cila do të bazohej në shpërndarjen e pushtetit nga komunat tek njësitë komunale, apo edhe në krijimin e komunave të reja. Si do të që të jetë, thotë Tahiri, kjo çështje është mjaft serioze dhe nuk mund të adoptohet me urgjencë pa një analizë paraprake:
“Gjendja është shumë urgjente, por megjithatë kjo është një zgjidhje sistemore dhe nuk mund të shkohet me urgjencë dhe nuk mund të shkohet si kushtëzim dhe si bisedim shqiptaro-serb i brendshëm i Kosovës. Kjo thjesht parashihet si nevojë dhe duhet të tregohet si vullnet, me të cilin kthehet besimi dhe me të cilin jepen garancat për sigurinë për zhvillimin e metejshëm”, thotë Tahiri.
Ndërkohë, kabineti i kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepit, përmes këshilltarit Ilir Dugolli, vlerëson se decentralizimi ka fituar një konotacion tejet negativ për faktin se pas këtij termi fshihen ambicjet e Beogradit për ndarje territoriale të Kosovës në vija etnike:
“Decentralizimi kuptohet që ka fituar një konotacion tejet negativ në ambientin tonë, ndër të tjera për shkak se pavarësisht që tingëllon si një fjalë e mirë, që është një fjalë e cila do të duhej të synojë ofrimin e pushtetit qytetarëve, në thelb paraqet, ashtu siç është prezantuar dhe shtyhet nga disa qarqe, një rrugë drejt ndarjes së Kosovës, kantonizimit, një tendencë për kantonizimin e Kosovës," vlerëson Dugolli.
Dugolli thotë gjithashtu, se institucionet vendore nuk do të ngurronin në aplikimin e reformave në pushtetin lokal përmes së cilave do të shpërndahej pushteti i centralizuar tek komunat, pa pasur nevojë në krijimin e çfarëdo kantoneve të brendshme.
Në anën tjetër, administrata e UNMIK-ut, vlerëson po ashtu, se procesi i decentralizimit nuk mund të jetë pjesë e diskutimeve Prishtinë- Beograd, para se kjo çështje të konkretizohet së pari në Prishtinë. Zëdhënësja e UNMIK-ut, Mathild Heneke, thotë po ashtu, se decentralizimi i pushtetit nuk nënkupton as fillimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, por thjesht bartjen e disa përgjegjësive tek komunat dhe ofrimin e pushtetit më afër qytetarit, në mënyrë që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet më shumë në vendimmarrje lidhur me interesat e tyre.


XS
SM
MD
LG