Ndërlidhjet

A. BAJRAMI:"PLANI PËR AUTONOMINË E SERBËVE SYNON COPTIMIN E KOSOVËS"


Arsim BAJRAMI, nënkryetar i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, këto ditë, Beogradi ka nxjerrë një plan për Kosovën, i cili parasheh një lloj autonomie për serbët e Kosovës. Disa diplomatë perëndimorë kanë vlerësuar se ky plan nuk paraqet bazë për diskutim mbi decentralizimin në Kosovë, se është shkaktar i problemeve, por ka edhe vlerësime se ky plan mund të shihet si pikënisje për fillimin e dialogut. Si i komentoni ju këto vlerësime?

ARSIM BAJRAMI
Mendoj se plani për autonominë territoriale të serbëve paraqet një sfidë të vërtetë për Kosovën dhe misionin ndërkombëtar, ngase ai parasheh krijimin e zonave autonome, që bie ndesh me Rezolutën 1244, e cila njeh integritetin e Kosovës dhe kufijtë ekzistues të Kosovës. Është fjala për një projekt politik, i cili plotësisht korrespondon me politikën aktuale të qeverisë serbe për ndarjen e Kosovës. Mendoj se projekti për autonomi territoriale është vetëm hyrje në realizimin e projektit të mëvonshëm për ndarjen e Kosovës, sepse me këtë krijohet një njësi autonome brenda teritorit të Kosovës, me tre pushtete plotësisht të pavarura dhe të ndara, pra, me një kuvend të pavarur, me një qeveri dhe me një sistem gjyqësor, që në fakt është thyerje e integritetit ligjor, kushtetues dhe territorial të Kosovës dhe që paraqet një rrezik permanent të coptimit territorial të Kosovës, do të thoja një ndarje të plotë të këtij teritori dhe bashkangjitje një shteti tjetër. Ky projekt, siç e thashë është një sfidë e veçantë dhe nuk ka të bëjë me projektet e decentralizimit, për shkak se decentralizimi nënkupton sigurimin e një rendi unik, i funksionimit unik të pushtetit dhe bartjen e kompetencave nga qendra e poshtë. Këtu nuk është fjala për decentralizimin, por për krijimin e një parasistemi, një sistemi brenda një sistemi, i cili në fakt më shumë ka të bëjë me federalizimin e Kosovës se sa me decentralizimin. Unë mendoj se kjo nuk është krejt e rastësishme, por është pjesë e logjikës që para hapjes së çështjes së statusit final të krijohen realitetet, të cilat esencialisht do të ndikojnë edhe në zgjidhjen finale të statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, megjithatë, dialogu me Beogradin është një prej standardeve që duhet përmbushur deri në vitin 2005. Sipas jush, a do të jetë Kosova e gatshme t’i përmbushë standardet e përcaktuara për të hyrë në bisedime mbi statusin përfundimtar?

ARSIM BAJRAMI
Dialogu me Beogradin nuk nënkupton negocimin apo bisedimin për krijimin e zonave autonome në territorin e Kosovës, por është fjala për një proces që duhet të fillohet për zgjidhjen e shumë çështjeve kontestuese. Unë mendoj se pikërisht projekte të tilla të Beogradit ndikojnë në ngadalësimin e procesit të përmbushjes së standardeve, për shkak se një nga standardet është vetë vendosja e dialogut të mirëfilltë me Beogradin, por jo edhe hapja e negociatave për krijimin e zonave autonome brenda territorit të Kosovës. Shpresoj se bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë se legjitimimi i projekteve të tilla, në fakt është largim nga standardet dhe një element që vazhdimisht do ta mbajë Kosovën në gjendje të tensionuar ndëretnike dhe do të ndikojë në destabilizimin e situatës së përgjithshme politike.

RADIO EVOPA E LIRË
Serbët e Kosovës vazhdojnë të mos marrin pjesë në punimet e institucioneve të Kosovës në kërkim të ndryshimit të konceptit politik mbi Kosovën. Sa është duke i vështirësuar një qëndrim i tillë proceset aktuale, përfshirë këtu edhe përmbushjen e standardeve?

ARSIM BAJRAMI
Fatkeqësisht, serbët e Kosovës nuk kanë investuar në stabilitetin politik në Kosovë dhe funksionalitetin e institucioneve. Që nga fillimi ata e kanë zgjedhur llogjikën e destruksionit dhe do të thoja edhe të bojkotit. Tani po shihet se ata më shumë po investojnë në krijimin e strukturave etnike, siç janë këto strukturat që po parashihen me konceptin e autonomisë territoriale dhe unë mendoj se, veprimi i tillë i serbëve të Kosovës dhe i përfaqësuesve të tyre politikë, në esencë është edhe kundër interesave vitale të serbëve, sepse ata po vazhdojnë të përdoren si instrument politik i qeverisë së Beogradit në planet për Kosovën dhe derisa ata nuk fillojnë të shprehin shqetësimet reale për pozitën e tyre brenda institucioneve të Kosovës, mendoj se ata nuk po luajnë rolin që kanë dhe kjo po ndikon në relaksimin e raporteve ndëretnike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet vendore janë duke u përballur me kritika të vazhdueshme mbi, si thuhet, paaftësinë për ta menaxhuar krizën e krijuar gjatë trazirave të marsit. Çfarë mund të bëjnë më shumë institucionet në këtë plan?

ARSIM BAJRAMI
Akoma nuk kemi një raport përfundimtar rreth shkaqeve dhe pasojave të marsit, por këto trazira kanë treguar shumë faktorë që janë indikativë. Një nga ata faktorët është edhe efikasiteti dhe funksionaliteti i institucioneve të Kosovës dhe aftësia e tyre menaxhuese. Unë mendoj se fuqia menaxhuese dhe efikasiteti i organeve do të ishte shumë më i shprehur sikur ato të bëheshin të përgjegjshme, pra sikur të bëhej bartja e kompetencave tek institucionet e Kosovës, atëherë ato do të mund të akuzoheshin për mosefikasitet, në qoftë se do të kishin patur kompetenca dhe autorizime për ta menaxhuar situatën. Shpresoj se ky dualizmi i pushtetit që është reflektuar edhe në ngjarjet e marsit, do të ndikojë që UNMIK-u t’i bëjë më të përgjegjshëm kosovarët. Kur them t’i bëjë të përgjegjshëm, mendoj që të fillojë t’i bartë të ashtuquajturat pushtete të rezervuara, në mënyrë që, në fakt, vetë institucionet e Kosovës, pra, ekzekutivi dhe legjislativi i Kosovës të marrin përgjegjësinë për gjendjen dhe njëkohësisht, ato vetë të ndërtojnë projekte për stabilitetin e përgjithshëm në Kosovë.

Intervistoi: Bekim BISLIMI
XS
SM
MD
LG