Ndërlidhjet

FAMILJA MITROVIÇ NUK BRAKTISI SHTËPINË AS GJATË MARSIT


Albana Isufi, Prishtinë

Tre muaj kanë kaluar që kur janë kthyer në vendin ku kishin kaluar tërë jetën e tyre. Bashkëshortët serbë Dragoljub dhe Vukosava Mitroviç, ditët e pleqërisë kanë vendosur t’i kalojnë në shtëpinë e tyre përdhese në një lagje të Prishtinës të banuar tërësisht me shqiptarë, rreth 300 metra larg nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.
Asgjë nuk e dallon këtë shtëpi nga shtëpitë e tjera shqiptare në lagje. Nuk ka forca sigurimi për të ruajtur këtë familje, e cila është kthyer vullnetarisht nga Vërnjacka Banja e Serbisë ku ishin strehuar që nga viti 1999. Dhe deri tani nuk kanë patur asnjë problem me fqinjët e tyre shqiptarë, të cilët i kishin mirëpritur që nga kthimi i tyre.
“Askund nuk është më mirë se në shtëpinë tënde”, thotë e zonja e shtëpisë Vukosava Mitroviç, derisa rrëfen për përpjekjet e saj dhe të bashkëshortit për të rregulluar shtëpinë, të cilën e kishin gjetur pothuajse të boshatisur.
Zonja Mitroviç thotë se që nga kthimi kanë kaluar mirë dhe nuk kanë pasur probleme madje as gjatë trazirave të marsit.
“Jo, jo, askush nuk na ka ngacmuar, por jemi frikësuar pak. Por s’kemi patur probleme, gjithshka është në rregull. Por problemi është se nuk kemi nga se të jetojmë, të kishim të paktën një televizor," thotë zonja Mitroviç, e cila shpjegon se pas ndihmave fillestare që kishin marrë më nuk u është ofruar ndihmë nga asnjë organizatë humanitare.
“Pas trazirave askush nuk ka ardhur, as të na vizitojë, as të na shikojë nëse na duhet diçka për ushqim ose diçka tjetër, askush nuk ka ardhur”, thotë Vukosava Mitroviç, e ulur në dhomën e ditës, dyshemeja e së cilës edhe më tej ka mbetur gjysmë e mbuluar. Ndërkaq i zoti i shtëpisë Dragoljub Mitroviç përpiqet që kohën ta kalojë duke rregulluar oborrin e vogël dhe të ngushtë të shtëpisë.
“Në shtëpinë time ndjehem mirë dhe i sigurt. Ka patur pak probleme, por kështu është jeta, nuk është vetëm tek ne, por njësoj është në tërë botën," thotë Mitroviç, i cili gjatë ditës edhe del jashtë shtëpisë për të kryer obligimet e nevojshme familjare.
“Dal, por jo larg, për të blerë dicka këtu afër, për të shëtitur pak, por deri tani askush nuk më ka bërë ndonjë problem. Por, ndjehem edhe i sigurt edhe jo i sigurt tani për tani, sepse mund të gjendet ndonjë grup që e sheh ndryshe botën. Do të doja që të kishte më shumë liri të lëvizjes”
Bashkëshortët Mitroviç nuk kanë dashur ta lëshojnë shtëpinë gjatë trazirave të marsit edhe pse kjo u ishte kërkuar nga organizata të ndryshme humanitare.
“Kemi qenë këtu kemi dëgjuar për trazirat. Kemi kujdestaruar pak, por s’kemi pasur probleme. Na kanë ofruar që të na evakuojnë, por s’kemi dashur, kemi konsideruar se nuk do të na bëjë askush keq, edhe pse gjithshka mund të ndodhë dhe të rinjtë nuk mendojnë më thellë. Por trazirat kaluan dhe shpresojmë të mos përsëriten më,” thotë z. Mitroviç.
Familja Mitroviç është kthyer në Prishtinë në fillim të muajit shkurt. Të dy bashkëshortët që janë rreth të 70 – ve nuk marrin as pensione e as ndihma sociale. Të katër fëmijët e tyre jetojnë ende në qytete të ndryshme të Serbisë.

XS
SM
MD
LG