Ndërlidhjet

logo-print

MERI:"KOSOVARËT RESPEKTOJNË VETËM PRANINË USHTARAKE AMERIKANE"


Uejn MERI, ekspert në Këshhillin amerikan për Politikë të Jashtme


Duke folur për trazirat e fundit në Kosovë, ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit dhe Pentagonit, aktualisht ekspert në Këshillin amerikan për Politikë të Jashtme, Uejn Meri, thotë:
"Dhuna në Kosovë sinjalizon se paqja në rajonin, që para pak kohësh ishte arenë e një konflikti, përkatësisht lufte, ishte mashtruese. Konfliktet dhe dhuna nganjëherë mashtrojnë. Mund t'ju duket se keni arritur shumë për zgjidhjen e problemeve të natyrës politike dhe pastaj mjafton një incident, për shpërthimin e sërishëm të dhunës. Këtë fare mirë e kuptojnë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, por jo edhe qeveritë që janë larg kësaj hapësire", thotë Uejn Meri.
Ai, në vazhdim, flet për mundësinë e zgjidhjes së çështjes së statusit të Kosovës.
"Nuk e di se si do të zgjidhet statusi i Kosovës. E di se shumica e vendeve perëndimore nuk do të donin fare të merreshin me këtë çështje", thotë Uejn Meri, i cili më pastaj trajton çështjen e zëvendësimit të mundshëm të trupave të NATO-s në Ballkan me kontingjentin e forcave evropiane:
"Në Bosnjë evropianët kanë mundur ta marrin këtë mision më herët. Sa i përket Kosovës, atje roli i NATO-s ka peshë specifike në planin politik dhe ushtarak. Në Kosovë ka shumë të tillë që respektojnë vetëm praninë ushtarake amerikane".
I pyetur nëse vendet siç janë Bosnja dhe Serbia mund të presin, që në samitin e NATO-s që do mbahet në Turqi në muajin qershor, të bëhen anëtare të 'Partneritetit për paqe', që do t'i paraprinte anëtarësimit në Aleancën Veriatllantike, Uejn Meri thotë:
"Parakusht kyç për anëtarësimin e dikujt në 'Partneritetin për paqe' është që ai vend të ketë ushtri të bashkuar nën komandën kompetente civile dhe të parlamentit. Rrjedhimisht, e kam të vështirë të parashikoj se si mund të kualifikohet Bosnja për 'Partneritetin për Paqe'", thotë Uejn Meri.
Ai, në vazhdim, pohon se ka shumë vende që dëshirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, por kjo nuk mjafton: "Kohë më parë Argjentina kishte kërkuar të bëhej anëtare e NATO-s, por ajo kurrë nuk është pranuar. Pra, nuk kemi të bëjmë me një çështje formale, siç mendojnë disa vende në Ballkan. Senati amerikan nuk e kupton anëtarësimin në NATO si një formalitet", thotë zoti Meri.
I pyetur nëse në një të ardhme të afërt mund të realizohet synimi i Serbisë, që me gjithë ndërhyrjen e Aleancës Veriatllantike në Kosovë, të bëhet anëtare e plotëfuqishme e NATO-s, Uejn Meri thotë se "nëse me një të ardhme të afërt mendoni në 5 vitet e ardhshme, përgjigjia e ime është jo. Unë këtë nuk mund ta paramendoj".
”Konsideroj se jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe për shumë vende të tjera të NATO-s, 5 vjet janë periudhë minimale që gjërat vërtet të ndryshojnë në Beograd", përfuundon intervistën për Radion Evropa e Lirë, Uejn Meri, ekspert në Këshillin për Politikë të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
XS
SM
MD
LG