Ndërlidhjet

TELENOVELAT BARTIN PSEUDOVLERA, KIÇIN DHE SHUNDIN


Bekim Bislimi, Prishtinë

Seriale të shumta televizive latinoamerikane kanë vërshuar televizionet kombëtare në Kosovë dhe kanë fituar një numër tejet të madh të shikuesve të të gjitha grup-moshave. Ndërkaq, jo rrallë rrëfimet nga këto seriale janë temë e bisedës së përditshme të tyre. Valmira Beka, amvisë, thotë se i përcjell rregullisht dy seriale:
“E shikoj “Klonin” dhe “Për ty”. Ka të bëjë me jetën private dhe ngjarjet e dashurisë, ma merr mendja se gjithkund në botë shkojnë njësoj”.
Edhe një vocrrak tha se i shikonte teleseritë:
“ Jam Luani. I kam 5 vjet. E shikoj “Matinë” dhe “Zhadenë”.
Blerim Musliu 15 vjeç, nxënës thotë se serialet i përcjell bashkarisht me tërë familjen e tij:
“ E shikoj “Për ty” dhe “Kloni”. E shikojmë tërë familja, nëna, axhallarët e kështu me radhë. Nuk e di pse”.
Ngjashëm thotë edhe Afrim Prapashtivca nga Artana:
“E përcjell serialin “Zhadenë”. Ka disa ngjarje që janë të ngjashme këtu, në Kosovë”.
Në anën tjetër, Ibrahim Berisha, ligjerues i sociologjisë për komunikime massive në Universitetin e Prishtinës, thotë se jo rrallë shikuesit identifikojnë veten me heronjtë e këtyre serialeve:
“Atë që nuk mund ta realizojnë në jetë, e shohin se mund të realizohet atje, kështuqë, ai faktikisht, i plotëson disa kërkesa. Kërkesën nuk e ka të madhe për vlera estetike, e plotëson një kërkesë minimale estetike, e plotëson një kërkesë minimale sociale që nuk mund ta arrijë në jetën e përditshme, psh: ta ndërroj partnerin ose të bëjë një aventurë apo diçka tjetër. Dhe them kështu që, plotësohet kërshëria e shumë shikuesve prandaj edhe ka shumë shikues”.
Ndërkaq, regjisori Fahri Hysa, ligjerues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë shpreh mendimin se serialet e tilla nuk bartin vlera artistike, blehen lirë dhe shërbejnë vetëm sa për të mbushur skemën programore të televizioneve.
“E importojnë kiqin dhe shundin sepse e marrin lirë. Ndoshta, një seri e blejnë 100 Euro e na e fusin si mall, si kulturë, sepse po ju dridhen këmbët, sepse ekrani do fotografi. Atëherë, e fusin “Zhadenë”, “Për ty” e të tjera seri të pafundme, me ngjarje mazomakeq. Dhe fëmijët tanë, gratë tona, rrethi jonë edhe vetë ne, duke mos pasur mundësi tjetër, jemi në grackën e shundit dhe kiqit. Në Evropë, jo që i quajnë shund e kiq, por i ndalojnë t’i shfaqin.”.
Ndryshe, ekzistojnë edhe shikues të këtyre serialeve të cilët theksojnë se detyrimisht i përcjellin ato. Nexhmie Ahmeti nga Podujeva thotë:
“Jo pse kam dëshirë unë, por i shikojnë edhe pjesa më e madhe e familjes, kështu që më duhet edhe mua që ti shikoj”.
Ndërkaq Isak Cakolli nga Prishtina pohon:
“Jo, nuk i shikoj. Në shtëpi e shikojnë të gjithë, por unë nuk i shikoj. Nuk di, por nuk më pëlqejnë këto…S’mund të rri aty, sepse të tjerët e shikojnë televizorin. Mua më duhet të dal në tjetër dhomë ose të dal jashtë fare”.
Sociologu Berisha thotë se këto seriale bartin edhe rrezikun për dëmtimin e shikuesve:
“Të dëmshme janë aq sa edhe faktikisht është niveli i standardit të konsumuesit. Dikush mund të shikojë dhe t’i shikojë nga distanca, të mos absorbojë dhe të mos identifikohet me ngjarjen dhe dikush tjetër identifikohet plotësisht, do të thotë që, emocionalisht e përjeton. Kjo shkakton edhe dëme, shkakton ndërrim të sjelljes në familje, në shoqëri, imitim të paarsyeshëm dhe të gjitha këto pastaj, sjellin një jonormalitet në ambjentin kulturor, familjar, shkollor dhe në ambjentin në përgjithësi."
Ngjashëm thotë edhe regjisori Hysa:
“Në këto seri çdo gjë është e mundshme. Secili arrin një kulm, me vrasje, me gënjeshtra, me dhunim dhe me gjithshka është e mundur. Çojnë kah katrahura, imoraliteti, gënjeshtra, iluzioni. Realiteti është krejt ndryshe. Edhe dashuria është ndryshe, edhe karriera, dija, shkollimi janë ndryshe. Edhe trashëgimia e pasurisë është diçka ndryshe. Këtu është krejt e deformuar, nuk korrespondon me të vërtetën reale, objektive. Në rregull…filimi është një iluzion, por iluzioni ka themele në realen”.

XS
SM
MD
LG