Ndërlidhjet

PATTEN: BE DËSHIRON TË SHOHË KOSOVËN SI SIMBOL TË DEMOKRACISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Chris Patten, ka thënë sot në Prishtinë se pas zhvillimeve të turpshme në Kosovë gjatë muajit mars, ai më në fund po ndihet i kënaqur për faktin se planet e qeverisë për rindërtimin e shtëpive, kishave e shkollave të dëmtuara po fillojnë të zbatohen. Këto komente, Patten i ka bërë pas takimeve të ndara që zhvilloi me udhëheqësit më të lartë vendorë dhe ata ndërkombëtar. Në emër të BE-së, Patten kërkoi kthimin e njerëzve të zhvendosur gjatë trazirave nëpër shtëpitë e tyre, kurse nga institucionet dhe popullata shumicë të ndërtojnë besimin me komunitetet:
“Ajo që unë pash sot dhe ajo çka diskutova sot me kryeministrin paraqet një fillim pozitiv dhe mendoj se edhe ai e di shqetësimin tonë që ky fillim pozitiv duhet të vazhdojë më tutje”, tha Patten, pas takimit me kryeministrin Bajram Rexhepi dhe disa nga ministrat e kabinetit të tij të kyçur në procesin e rindërtimeve pas trazirave të marsit. Më pas, Patten është përqëndruar dhe në procesin e reformimit të pushtetit lokal. Duke i komentuar planet e Beogradit për decentralizimin, Patten tha se pas Prishtinës do të shkojë në Beograd për të diskutuar dhe këtë çështje, por duke shtuar se një plan për refomimin e pushtetit lokal ka dhe Këshilli i Evropës:
“Unë do të shkoj në Beograd dhe besoj se do të plasohen shumë ide, por edhe Këshilli i Evropës e ka vënë një propozim, i cili besoj se është bazë e mirë për fillimin e një debati nga i cili do të dalin propozime që të gjithë qytetarëve në Kosovë t’u garantohet siguri dhe vetëbesim”, ka thënë Patten.
Në anën tjetër, përfaqësuesit vendorë janë zotuar se do të shpejtojnë punët në sanimin e dëmeve të shkaktuara gjatë trazirave të marsit. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se në këtë process do të kyqen të gjithë në mënyrë që Kosova të ecën më shpejt drejt integrimeve evropiane:
“Biseduam për mundësinë e investimeve në Kosovë që zoti Patten siq e dini ka ndihmuar shumë dhe të kalojmë shpejt në procesin e asocijim-stabilizimit me Bashkimin Evropian. Dhe, gjithsesi sivjet kemi një vit të zgjedhjeve dhe ne do të angazhohemi që të kemi zgjedhje të lira, që të kemi institucione stabile dhe do të punojmë në stabilitetin e Kosovës”, tha Presidenti Rugova.
Ndërkohë, kryeministri Bajram Rexhepi duke u përqëndruar në temën rreth decentralizimit, tha se ai më tepër e mbështetë termin reformë në pushtetin lokal, për shkak të konotacioneve që ka fituar termi decentralizim pas përpjekjeve të Beogradit për kantonizimin e saj përmes këtij procesi:
“Ne më me qejf e quajmë reformë për administratë lokale sesa administrim, dhe i kemi disa arsye të hezitimit dhe mendoj se aty e ndamë përafërsisht mendimin e njëjtë se është e domosdoshme që komunat të jenë sa më afër qytetarëve, të kenë sa më tepër kompetenca. Të njëjtën kohë duhet të bëhet edhe forcimi edhe i nivelit qëndror në mënyrë që më pas do të lirohet deri te niveli lokal”, tha kryeministri Rexhepi.
Gjatë kësaj vizite, Patten u është drejtuar qytetarëve të Kosovës dhe me disa mesazhe në lidhje me Ditën e Evropës. Komisioneri Patten, i cili ndodhet në fund të mandatit të tij, tha se Bashkimi Evropian dëshiron që të shohë Kosovën si një simbol të demokracisë dhe si një vend që do t’i përmbushë standardet e vëna, ngase kjo tha ai, është rruga e vetme që e drejton Kosovën kah integrimi i saj në Evropë. Por, ai tërhoqi vërejtjen se ngjarjet e marsit e kishin dëshpëruar atë dhe e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës në përgjithësi, duke shfaqur me pas shpresën se këo ngjarje do të tejkalohen dhe në Kosovë do të ndërtohet një shoqëri, ku të gjithë do të jetojnë së bashku. Kam shpresuar se populli i Kosovës së bashku me ndihmën ndërkombëtare mund të ndërtojë një shoqëri tolerante, demokratike dhe stabile që do të jetë në gjendje të zë vend në familjen evropiane”, ka thënë Patten në vizitën e tij të fundit në Kosovë në postin e Komisionerit të BE-së për Politikë të Jashtme.


XS
SM
MD
LG