Ndërlidhjet

V. HAJRULLAHU: KOSOVA NË BE NË VITIN 2020


Venera Hajrullahu, Koordinatore e Zyrës së Mekanizmit Përcjellës të A-S

RADIO EVROPA E LIRË
Pas valës së fundit të hyrjes në Bashkimin Evropian të dhjetë anëtarëve të rinj, ku qëndron Kosova dhe cila është pozita e saj karshi Bashkimit Evropian?

VENERA HAJRULLAHU
Vala e fundit e zgjerimit të Bashkimit Evropian, me ç'rast janë bërë anëtare dhjetë vende të reja ka lënë në listën e vendeve që priten të anëtarësohen në raundin e ardhshëm Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë. Turqia është duke pritur mendimin e BE-së në lidhje me një fillim të mundshëm të negociatave, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu dhe Kosovën, në asnjë mënyrë nuk priten të jenë pjesë e zgjerimit të ardhshëm. Sipas analizave të instituteve të pavarura, do të ishte reale të pritet që Kosova t'i përmbushë kriteret e domosdoshme për anëtarësim rreth vitit 2020. Kjo natyrisht nuk përjashton zhvillim më të shpejtë, por sidoqoftë është një vlerësim që qëndron.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka apo nuk ka gjasa që Kosova edhe para vitit 2020 të jetë e gatshme t'i arrijë standardet evropiane?

VERONIKA HAJRULLAHU
Është vështirë të thuhet sot. Nuk është i përjashtuar një zhvillim më i shpejtë, mirëpo sidoqoftë duhet të bëhen analiza që të mund të dalim me ndonjë vlerësim tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju drejtoni zyrën e Mekanizmit Përcjellës të Asociim Stabilizimit. Në çfarë drejtimi janë të përqëndruara sugjerimet që vijnë nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian?

VERONIKA HAJRULLAHU
Sugjerimet e dhëna deri tani kanë mbuluar fushat, të cilat janë shqyrtuar nëpërmjet pyetësorëve të Komisionit Evropian. Kryesisht orientohen në fushën e legjislacionit, pra parashohin që të plotësohet korniza ligjore, dhe legjislacioni të jetë në përputhje me Aquis Communitaire. Nga ana tjetër rekomandimet po ashtu shkojnë në drejtim të përputhjes së politikave sektoriale me ato evropiane përsëri. Risia në këtë drejtim është se në kuadër të dokumentit për partneritet evropian, të cilin e ka përgatitur Komisioni Evropian për Kosovën, janë të përfshira prioritetet, të cilat nuk do t'i quaja më rekomandime, prioritetet e përgjithshme dhe prioritetet e tjera, në bazë të të cilave duhet të orientohemi që të dimë në çfarë drejtimi të shkojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë këto prioritete?

VERONIKA HAJRULLAHU
Prioriteti i përgjithshëm është përmbushja e standardeve, ky shkon si kapitull i veçantë. Dokumenti parasheh prioritete afatshkurtra dhe afatmesme dhe ky do të shkonte si prioritet afatshkurtër, ndërsa më tej kemi natyrisht prioritetet e zakonshme të cilat janë sundimi i ligjit, krijimi i institucioneve demokratike, etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç statusit të papërcaktuar, cilat janë pengesat e tjera që i pamundësojnë Kosovës nënshkrimin e Marrëveshjes për Asociim Stabilizim?

VERONIKA HAJRULLAHU
Statusi do të ishte një pengesë formale për çfarëdo nënshkrimi. Sidoqoftë mendoj se Kosova ka vetëm një vit që ka filluar të ketë këtë proces, i cili e shpie drejt integrimit evropian dhe është shumë herët të flasim për përmbushje të standardeve. Ka ende shumë punë dhe shumë kohë nevojitet për të folur për arritje të standardeve evropiane.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG