Ndërlidhjet

logo-print

JAKUPI: LAMBSDORF PENGON PROCESIN E PRIVATIZIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shtylla e katërt e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e cila drejtohet nga Bashkimi Evropian, i është përgjigjur një letre me shkrim të drejtuar nga anëtarët vendorë në Bordin e Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit, përmes së cilës ata kërkojnë një mbledhje urgjente të këtij agjensioni lidhur me vazhdimin e procesit të privatizimit. Sipas zëdhënësit të shtyllës së BE-së në Kosovë, Chriss Littier, përgjigja e zyrtarëve ndërkombëtarë nga AKM-ja, është që në vend të një takimi urgjent formal siç e kanë kërkuar vendorët, mund të thirret një takim joformal i të gjithë anëtarëve të Bordit të AKM-së, që të bisedohet lidhur me mundësinë për vazhdimin e privatizimit:
“Duhet të organizohet një takim joformal me anëtarët e Bordit në mënyrë që të përgatitet takimi formal i radhës dhe po kjo u është sugjeruar dhe anëtarëve vendorë, të cilët e dërguan letrën e tyre lidhur me thirrjen e një takimi urgjent”, ka thënë Littier, duke shtuar se një vendim i tillë ka dalë dhe nga takimi i fundit i AKM-së ku kanë qenë të pranishëm dhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi dhe zëvendësi i parë i shefit të UNMIK-ut Çarls Brajshou.
Në anën tjetër, Ministri për Tregëti dhe Industri në qeverinë e Kosovës, njëkohësisht dhe nënkryetar i Bordit të AKM-së, Ali Jakupi thotë se qëllimi i letrës së dërguar përgjegjësve ndërkombëtar lidhur me vazhdimin e procesit të privatizimit ka qenë sensibilizimi rreth nevojës së rifillimit të këtij procesi dhe shprehja e shqetësimit të vendorëve për këtë proces, i cili reflektohet në stagnimet e përgjithshme në zhvillimin e ekonomisë kosovare:
“Qëllimi ka qenë që ta sensibilizojmë atë sferën kompetente dhe t’i hapë dyert, t’i rifillojmë aktivitetet rreth privatizimit, sepse kjo është një brengë e madhe, ky është shqetësim shumë i madh për kosovarët, për ekonominë e sektorit shoqëror, e cila dita më ditë është duke u shkatërruar. Dhe, për t’i ikur një kollapsi të plotë, ajo kështu e ashtu ndodhet në kollaps, por për t’i ikur një kollapsi edhe më të thellë ne bëjmë përpjekje në çfarëdo mënyre që të rifillohet procesi i privatzimit”, tha Jakupi.
Ndërsa zoti Chriss Littier nuk ka dashur të komentojë asgjë lidhur me akuzat e vendorëve drejtuar njeriut numër një të BE-së në Kosovë, Nikolas Lambsdorff, i cili udhëheq me procesin e privatizimit, ministri Jakupi, thotë se Lambsdorff përmes një vendimi arbitrar është ai i cili e ka bllokuar privatizimin në Kosovë:
“Ne nuk kemi ndikim, fundi i fundit as Bordi e as qeveria në ndryshimin e mendjes së tij te konceptet e tij, për arsye se atë e ka emëruar në postin e tij, siç kemi informacione, vetë Kofi Anani. Por sidoqoftë askush s’mund të na e mohojë të drejtën që ta themi, nëse mendojmë se është pengesë, që ta themi atë publikisht. Unë mendoj se është pengesë, Lambsdorff-i paraqet një personalitet që e pengon procesin e privatizimit”, theksoi Ministri Jakupi.
Lidhur me vazhdimin e procesit të privatizimit dhe ndryshimin e disa politikave operative, fundjavën e kaluar kanë sugjeruar dhe përfaqësuesit e zyrave të vendeve nga peshja e madhe. Ndërsa me qëllim të vazhdimit të një procesi më efikas të privatizimit, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri pati shkarkuar dhe drejtoreshën e AKM-së Marie Fucci, e cilësuar nga vendorët si përgjegjësja kryesore për bllokimin e këtij procesi. Sidoqoftë, procesi ka mbetur i bllokuar, kurse zgjidhja e nyjës së vënë, sipas zëdhënësit Chriss Littier do të provohet të zgjidhet në takimin e radhës ku do të ftohen dhe shefi i qeverisë vendore dhe ai i misionit ndërkombëtar në Kosovë.



XS
SM
MD
LG