Ndërlidhjet

HOLKERI: UNMIK-U PËRGJEGJËS PËR DHËNIEN E MUNDËSIVE KOSOVARËVE PËR VETËQEVERISJE


INTERVISTE EKSKLUZIVE E Z. HOLKERI PER EVROPA E LIRË

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Holkeri, gjatë fjalës suaj në Këshillin e Sigurimit keni folur për nevojën e ecjes përpara në procesin e privatizimit, dialogun ndëretnik, kalimin e përgjegjësive dhe përparimin drejt përcaktimit të statusit përfundimtar.
Këto janë njëherësh dhe shqetësimet e institucioneve të Kosovës. A do të thotë kjo se tani UNMIK-u po merr parasysh shqetësimet e përfaqësuesve të Kosovës?

HARI HOLKERI
Ne gjithmonë i kemi marrë seriozisht shqetësimet e kosovarëve. Por më duhet të them se Këshilli i Sigurimit dhe ne në punën tonë kemi një numër prioritetesh.
Mendoj se decentralizimi është një nga problemet kryesore dhe vështirësitë që ne përballemi. Privatizimi, i cili është i lidhur me zhvillim e përgjithshëm ekonomik të Kosovës, gjithashtu është një tjetër përparësi që ne kemi në punën tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Privatizimi është themelor për zhvillimin e Kosovës dhe përmbushjen e standardeve. Kur do të rifillojë ky proces dhe çfarë hapash konkrete janë bërë drejt rifillimit të privatizmit gjatë vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara?

HARI HOLKERI
Procesi i privatizimit ka filluar, derisa për momentin kemi një morri pyetjesh që lidhen me faktin se si duhet të vazhdojë ky proces. Kam besim se kam marrë dhe kam dhënë angazhime, se do të bëjmë gjithë çfarë është e mundur, në mënyrë që të shënohet përparim në një të ardhme të afërt. Ne kemi nevojë për disa sqarime që lidhen me çështje ligjore, si dhe një numër hapash që duhet të merren menjëherë. Nga Nju Jorku nuk mund të them më shumë, por kur të kthehem në Kosovë do të sqaroj me shtyllën e Katërt që është përgjegjëse për privatizmin dhe Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të thoni konkretisht kur do rifillojë privatizimi, për shembull brenda një apo dy muajsh?

HARI HOLKERI
Po e përsëris se privatizimi ka rifilluar më shumë se një muaj më parë. Është bërë privatizimi i një numri ndërmarrjesh në pronësi shoqërore. Në raundin e parë ishin 16 ndërmarrje, u zhvillua raundi i dytë, derisa po punohet për raundin e tretë. Për këtë arsye nuk e pranoj që privatizmi ka ngecur, pasi ky proces po lëviz.

RADIO EVROPA E LIRË
A planifikoni të kaloni së shpejti përgjegjësi të parezervuara tek institucionet vendore dhe në çfarë kohe mund të ndodh transferimi më i afërt?

HARI HOLKERI
Transferimi i kompetencave është një çështje pak e komplikuar për t'u diskutuar. Por do të thosha se duhet të flasim për aftësitë qeverisëse.
Ne po përpiqemi të jemi në bashkëpunim me institucionet e qeverisjes së përkohshme, me Qeverinë, dhe të punojmë me ta në mënyrë që të zgjidhim këto probleme. Natyrisht nëse ka probleme të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët decentralizimin si një nga shqetësimet tuaja më të mëdha. A mund të na thoni diçka më shumë?

HARI HOLKERI
Gjithkush e di se decentralizimi është një çështje e cila lidhet me shumëetnicitetin e Kosovës. Si të zgjidhet ky problem në mënyrë që të kemi një Kosovë shumëetnike? Kjo përbën një çështje për të cilën duhet të punojmë shumë, të gjithë së bashku.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit dhe ju personalisht në KS kërkuat gjetjen e rrugëve të reja për administratën e UNMIK-ut, në mënyrë që ajo të jetë sa më efikase. Sipas këndvështrimit tuaj, cilat janë reformat dhe ndryshimet që duhet të ndërmarrë UNMIK-u për të plotësuar misionin të tij në Kosovë?

HARI HOLKERI
Sigurisht që UNMIK-u është një administratë e përkohshme dhe duhet ta marrim shumë seriozisht faktin që jemi përgjegjës për dhënien e mundësive kosovarëve për vetëqeverisje.

Intervistoi Iliriana A. BAJO

XS
SM
MD
LG