Ndërlidhjet

PRISHTINA PËRSHËNDET FJALËN E HOLKERIT NË KS-TË OKB-SË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit kosovarë e kanë cilësuar fjalimin e djeshëm të shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, para Këshillit të Sigurimit, si përmbajtësor dhe korrekt. Ata kanë dalluar sidomos angazhimet e Holkerit për partneritet me institucionet vendore dhe premtimet e tij për dorëzimin e kompetencave.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, në një vlerësim të përgjithshëm tha se e sheh si pozitiv qëndrimin e Holkerit si dhe të disa prej vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit:
“Pjesa e kryeadministratorit Holkeri është mjaft e mirë, ndërsa diskutimet, disa kanë qenë mjaft të mira, në këtë rast fjalimi i ambasadorit të Pakistanit, disa të tjera pak, jo që përkojnë me qasjen positive të Kosovës, por këto janë përafërsisht të ngjashme, shpesh herë”, tha kryeministri Rexhepi.
Vlerësime pozitive për raportin e zotit Holkeri dhe seancën e djeshme ka dhënë dhe zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Muhamet Hamiti. Ai ka përshëndetur sidomos angazhimet e Holkerit për fuqizimin e institucioneve vendore duke e parë këtë si fillim të procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës:
“Na vjen mirë që po ndihet gjithnjë e më shumë nevoja për partneritet të institucioneve ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë, për bartje të kompetencave dhe të nevojës të përfshirjes së institucioneve të Kosovës edhe në pushtetet që njihen si të rezervuara, me synimin natyrisht që të ketë qeverisje më efektive në vend. Do të thoja po ashtu se është i mirëseardhur edhe paralajmërimi i PSSP-së për rikonfigurimin e UNMIK-ut, të strukturës së tij, i cili duhet të kalojë nga roli administrues në rol monitories, ndërsa po afrohet koha për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës që do të jetë sigurisht pavarësia”, tha zëdhënësi Hamiti.
Ndërkohë, për kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, sipas këshilltarit të tij Ramush Tahiri, fjalimi i Holkerit ishte tejet pozitiv dhe korrekt:
“Për dallim prej raportimeve të mëhershme ka edhe vision dalës për Kosovën dhe ka propozime konkrete si për rregullimin e brendshëm ashtu edhe për vizionin për të ardhmen e Kosovës”, tha Tahiri.

Tahiri tha po ashtu se i mbështeste dhe pikëpamjet e Holkerit për riorganizimin e administratës së UNMIK-ut, duke e parë këtë si shenjën e parë drejt fazës finale të përmbylljes së misionit të Kombeve të Bashkuara dhe fillimit të një faze kur vendorët do të marrin më shumë përgjegjësi për të siguruar një qeverisjeje më efikase në Kosovë:
“Kjo e dëshmon që misioni është i suksesshëm, kjo dëshmon që parteneriteti ka qenë i mirë dhe kjo dëshmon që organet e Kosovës janë përgjegjëse, institucionet e Kosovës të zgjedhura me votën e lirë që t’i marrin përgjegjësitë që i takojnë një vendi. Normalisht këto përgjegjësi do të jenë edhe më vonë edhe si mbikqyrje edhe si këshilldhënëse nga ndërkombëtarët”, pohoi Tahiri.
Të kënaqur me seancën e djeshme për Kosovën thonë se janë dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të koalicionit “Kthimi”, Dragisha Kërstoviç thotë se në këtë seancë, çështja e Kosovës është trajtuar më me seriozitet dhe si e tillë ajo premton një qasje tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi që sipas tij, aty është marrë për bazë dhe plani i Serbisë për Kosovën:
“Mendoj se plani i Serbisë nuk është hedhur poshtë, por përkundrazi ai është marrë si një dokument tejet serioz dhe si një plan serioz mbi të cilin mund të zgjidhet situata politike në Kosovë, apo të paktën të shërbejë si bazë për bisedimet e mëtejme”, tha Kërstoviç.
Përndryshe, në fjalimin e tij, Holkeri është angazhuar për një reformë në pushtetin lokal, duke e kundërshtuar idenë për kantonizimin e Kosovës, ndërsa ka premtuar dhe një ristrukturim të misionit të Kombeve të Bashkuara dhe më shumë përgjegjësi tek institucionet vendore.


XS
SM
MD
LG