Ndërlidhjet

BONDOW: KOSOVA PJESË E ÇËSHTJES EVROPIANE


Doug Bondow, analist nga Instituti CATO në Uashington

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bondow, si e vlerësoni gjendjen në Kosovë, 5 vjet pas luftës së NATO-s kundër forcave serbe?

DOUG BONDOW
Situata është mjaft dëshpëruese, sepse vizioni për një Kosovë paqësore shumëetnike, doli se është një ëndërr që nuk do të realizohet. NATO-ja e bëri gabimin kryesor duke menduar se do ta arrijë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas trazirave të fundit në mars, u formua Grupi për Përkrahjen e Kosovës. A mendoni se shkaku i këtyre ngjarjeve të dhunshme, çështja e Kosovës sërish e zuri vendin në listën e prioriteteve të Perëndimit?

DOUG BONDOW
Retë nga Kosova u futën në radarët e ekraneve të Perëndimit, në mënyrën që ato me siguri nuk do ta dëshironin të ndodhë. Sinqerisht, do të jetë e vështirë që kjo çështje të hyjë në prioritetet e Uashingtonit, madje edhe me trazirat e fundit, sepse nga pikëpamja e Uashingtonit, Iraku është një katastrofë më e madhe.
Por evropianët duhet të marrin shënime, sepse Kosova është më afër tyre, dhe më tepër është pjesë e çështjes evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Në trazirat u shpreh pakënaqësi e lartë me rolin e administratës ndërkombëtare në Kosovë. Si e shihni rolin e saj?

DOUG BONDOW
U bë e qartë se administrata ndërkombëtare virtualisht nuk ishte në gjendje të bëjë asgjë për t'i mbrojtur serbët dhe minoritetet në Kosovë. Shumica u përzunë para 5 vitesh, kurse me këto trazirat e fundit, tani ishte hera e dytë. Pra, ajo që shohim është se administrata ndërkombëtare nuk ka qenë në gjendje ta shndërrojë Kosovën në një shoqëri demokratike shumëetnike, dhe ky ishte qëllimi, i cili fillimisht ishte përcaktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bondow, shumë analistë thonë se administrata e Shteteve të Bashkuara e ka lënë pasdore çështjen ende të pazgjidhur të Kosovës. Cili është mendimi juaj mbi këtë?

DOUG BONDOW
Mendoj se administrata thjesht nuk i ka kushtuar kujdes Kosovës. Ajo asnjëherë nuk ka qenë prioritet për administratën e Bushit, ndërsa administrata e Klintonit, pasi shkoi në luftë, çështjen e la mënjanë. Nuk ishte shumë e interesuar të shkojë më tutje, pjesërisht sepse nuk kishte përgjigje të duhura. Ata nuk deshin t'ia mundësojnë Kosovës pavarësinë, kurse nga ana tjetër, nuk shohin ndonjë zgjidhje të kënaqshme për ta mbajtur Kosovën nën Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është mendimi juaj për rezolutën 1244 në rrethanat aktuale?

DOUG BONDOW
Për fat të keq, nga ajo me të cilën përballemi në Kosovë, unë shoh se nuk ka përgjigje të drejtë, nuk ka rezultat pozitiv pothuajse në asnjë drejtim. Është vështirë të paramendosh që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, kurse pavarësimi i Kosovës do të dukej si një shpërblim për dhunën, të cilën e pamë në mars. Bashkësia ndërkombëtare në një farë mënyre ka ngecur dhe nuk mund të lëvizë në asnjë drejtim. Gjithashtu është vështirë të shihet se në çfarë kahje do të zhvillohen bisedimet, sepse serbët dëshirojnë që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, kurse shqiptarët etnikë duan të jenë të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Para ca ditësh parlamenti serb miratoi një plan për kantonizimin e Kosovës, që hasi në reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë. Si e shihni rolin e politikës së Beogradit ndaj Kosovës?

DOUG BONDOW
Po, Beogradi thjesht ka vetëm një rol juridik, sepse teknikisht Kosova mbetet pjesë e Serbisë. Nga ana tjetër, është vështirë të shohësh se si shqiptarët e Kosovës do të pranonin ndonjë rol tjetër të Beogradit.
Mendoj se opcioni i vetëm është një farë lloji i kantonizimit, apo mundësisht i ndarjes. Këtu nuk ka ndonjë rezultat, i cili do t'i kënaqte të dyja palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, sipas jush, çfarë do të ishte ndikimi i kësaj ndarjeje në rajon?

DOUG BONDOW
Mendoj se ndikimi do të varet nga mënyra se si do të negociohet, dhe nëse do të mund të përfshihen të gjitha vendet. Qartësisht, kjo duhet të jetë diçka që do të bëhet me mirëkuptimin e rajonit, ku vendet për rreth, si Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria, do të përfshiheshin për të gjetur një zgjidhje, e cila do të funksiononte.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju kështu e shihni ardhmërinë e Kosovës!

DOUG BONDOW
Po, dhe fatkeqësisht nuk shoh ndonjë të ardhme pozitive për Kosovën. Mendoj se përgjigja e vetme është ta pranojmë faktin se qëllimi i NATO-s para 5 vjetësh, nuk do të realizohet, dhe tani ne duhet të dalim me përgjigjen më të mirë, e cila do t'u mundësonte të dyja bashkësive të jetojnë në paqe.

Intervistoi Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG