Ndërlidhjet

logo-print

REFORMA E PUSHTETIT LOKAL MUNDËSON INTEGRIMIN E PAKICAVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, sipas paralajmërimeve, pritet që në Kosovë të hapet një debat lidhur me reformimin e pushtetit lokal. Si bazë për këtë dialog, ku do të përfshiheshin institucionet e Kosovës dhe të gjitha komunitetet, do të merret plani i Këshillit të Evropës për decentralizimin e pushtetit. Kjo është thënë dhe nga vetë zoti Harri Holkeri. Ndërkohë, ky debat, sipas Ramush Tahirit, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, do të përcillet me miratimin e disa ligjeve nga Kuvendi i Kosovës të cilat do të rregullonin pushtetin lokal dhe reformimin e tij:
“Ne kemi llogaritur që konform rekomandimeve të Këshillit të Evropës të fillojmë dhe me ligjet nga Kuvendi i Kosovës. Është një spektër ligjesh që ka të bëjë edhe me pushtetin lokal, edhe me ndarjen territoriale, edhe me çështjet e tjera të administrimit, të shkojmë diku në vitin 2006. Mirëpo, situata e kërkon që me këtë çështje të hyjmë më herët që të mund t’i bëjmë integrimet përbrenda Kosovës, që të mund të realizojmë atë që ne e thamë, bartje të pushtetit qëndror në nivelet lokale”, tha Tahiri.
Përshpejtimi i këtyre reformave të parapara për vitin 2006, sipas Ramush Tahirit, do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit aktual të enklavave dhe pjesës veriore të Kosovës, pasi përmes ketyre reformave, do të mund të bëhej integrimi i enklavave në strukturat e zgjedhura legale.
Në anën tjetër, serbët e Kosovës thonë se decentralizimi i pushtetit është kushti kryesor që popullata serbe, sipas tyre, të mund të mbijetojë në Kosovë. Sllaxhan Iliç, kryetar i Kuvendit Komunal të Komunës së Shtërpces, thotë se hapi i parë që duhet të ndërmerret në këtë drejtim është hapja e bisedimeve ndërmjet qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës, duke mos prejudikuar çështjet politike e statusore, por duke trajtuar vetëm çështjen e decentralizimit:
“Projekti i shumë-etnicitetit në Kosovë, pas pesë vitesh ka pësuar kollaps dhe tani shtrohet çështja se a mundet që ndoshta përmes decentralizimit të sigurohet mbijetesa e serbëve në Kosovë”, thekson Iliç. Sipas tij, askush në Kosovë nuk ka nevojë të shqetësohet se përmes decentralizimit do të realizohen planet për kantonizimin apo ndarja e Kosovës:
“Decentralizimi mund të sjellë stabilitet në Kosovë, pasi serbët do të jenë të motivuar politikisht që të angazhohen në këtë proces politik”, thekson Iliç.
Ndërkohë, Ramush Tahiri, mendon se kjo reformë mund të ketë sukses vetëm nëse serbët do t’i pranojnë institucionet vendore dhe nëse ata do të integrohen në këto institucione. Sipas Tahirit, integrimi i serbëve dhe krijimi i komunave të reja do të ndihmonte në realizimin e interesave të serbëve të Kosovës pa pasur nevojë në mbajtjen në jetë të enklavave ekzistuese:
“Përmes, t’i themi kushtimisht, reformës së pushtetit lokal, apo edhe decentralizimit, përmes krijimit të komunave të reja në Kosovë t’i realizojmë edhe ato që janë interesa nacionale të serbëve që janë qytetarë të Kosovës dhe që e pranojnë pushtetin e Kosovës si pushtet të vetin”, theksoi Tahiri.
Përndryshe, në qëndrimin e tij të shprehur disa herë publikisht, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, ka pohuar se ai e mbështet përdorimin e termit reformë në pushtetin lokal dhe jo termin decentralizim, pasi sipas tij, përmes planeve të qeverisë së Beogradit decentralizimi është munduar të shfrytëzohet për ndarjen dhe kantonizimin e Kosovës.


XS
SM
MD
LG