Ndërlidhjet

SKQZ- ËSHTË I GATSHËM PËR NJË FILLIM EFIKAS TË ZGJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME NË KOSOVË


Adnan Merovci, drejtor ekzekutiv i SKQZ-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Merovci, Sekretariati i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve është themeluar vitin e kaluar, dhe gjithashtu është organi i parë vendor që merr pjesë në menaxhimin e zgjedhjeve. Sa jeni të përgatitur për një fillim efikas të këtyre zgjedhjeve?

ADNAN MEROVCI
Po në fakt prej themelimit, siç e thatë në vitin e kaluar, deri tani ne jemi në mënyrë intenzive në përgatitje të njësive tona dhe departamenteve, që ekzistojnë në kuadër të këtij entiteti të ri të krijuar për menaxhim të zgjedhjeve. Mendoj se tani ndodhemi në një kohë kur do të hartohet edhe kalendari i aktiviteteve, pasi dhe korniza zgjedhore pothuajse është nënshkruar e tëra. Si rezultat do të merremi me hartimin dhe përpilimin e rregullave zgjedhore, të cilat do të aprovohen në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe ne praktikisht jemi të gatshëm për operacionet tona që kryesisht konsistojnë në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të fillojë çertifikimi i subjekteve politike?

ADNAN MEROVCI
Çertifikimi i subjekteve politike është një përgjegjësi, një aktivitet që ne e kemi si sekretariat, si trup vendor. Rregulla për çertifikim të subjekteve politike do të aprovohet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ndoshta në mbledhjen e parë, sepse është një aktivitet që kërkon urgjencë dhe nuk pret. Kështu që Komisioni Qëndror Zgjedhor, ende nuk është konsistuar i riu edhe pse rregullorja është aprovuar,sepse është një procedurë e njoftimit të delegimit të anëtarëve, egziston formula, e cila i delegon anëtarët, dhe si rezultat duhet KQZ-ja t’i aprovojë. Meqenëse ende nuk kemi KQZ me rregullore të re, atëhere kjo shtyhet por për afatet do të jenë të informuar edhe opinioni dhe subjektet në detaje. Mirëpo, për t’i dhënë një kurajo dhe garanci subjekteve të reja që regjistrohen tani ende kanë kohë. Por, kjo nuk do të thotë se ne jemi në komoditet të madh, sepse më kohë jemi shumë shkurt. Për afate të sakta tani për tani pa aprovim të asaj rregulle nuk mund të flas asgjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të jetë mënyra e votimit për qytetarët e Kosovës që momentalisht gjenden jashtë vendit?

ADNAN MEROVCI
Për qytetarët e Kosovës që ndodhen jashtë vendit, ata me të drejtë vote, do të aplikohet një mënyrë e re. Sepse në zgjedhjet e kaluara ka qenë një mënyrë e ndryshme e votimit jashtë, kurse në këtë vit është unike për të gjithë. Do të thotë të gjithë qytetarët e Kosovës do të votojnë vetëm në një mënyrë dhe ajo është mënyra e ashtu quajtur më postë. Ata në mënyrë të shkruar e shprehin interesimin dhe verifikohen si njerëz të aftë juridik për të votuar, dhe iu dergohet fletë votimi në adresën të cilën e kanë shkruar dhe vota e tyre numërohet. Pra, është i ashtuquajturi votimi më postë për të gjithë si për mërgatën tonë shqiptare, edhe për etnitetet tjera si në Serbi dhe Mal të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet e sivjetme do të mbahen me sistemin proporcional me lista të mbyllura, ndonëse ky sistem është kundërshtuar nga disa parti politike. Çka mendoni ju konkretisht për këtë sistem?

ADNAN MEROVCI
Kjo është një çështje që është diskutuar dhe debatuar mjaft edhe pse është aprovuar një sistem dhe data është shpallur. Tani e kuptoj pyetjen dhe qëllimin, edhe pse në kapacitetin e kryeshefit ekzekutiv nuk më takon të komentoj, sidoqë të jetë unë mendoj, se vlera e kësaj qëndron në debatin që është zhvilluar rreth kësaj. Kështu më pak e rëndësishme është që tani çdo gjë ka marrë fund dhe asgjë nuk mund të ndryshohet. Atë që mund të them prej kapacitetin tim është se mënyra e zgjedhur më lista të mbyllura dhe sistem proporcional do të jetë një sistem që ne mund të përballojnë për momentin dhe do t'i përfundojmë operacionet tona.
Kurse nëse më pyetni pikërisht për sistemin e tillë normalisht edhe unë e kam të drejtë vote dhe unë jam një qytetar që kam një mendim rreth këtij. Por, sidoqoftë vlera e saj qëndron në vetë debatin që është zhvilluar dhe në idetë e reja që ky system të ndryshohet me shpresë se në zgjedhjet e tjera të këtë ndonjë ndryshim.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqënëse zgjedhjet e sivjetme parlamentare fillojnë më 23 tetor, kur do të fillojë fushata elektorale?

ADNAN MEROVCI
Tani me rregullat paraprake të tre zgjedhjeve të kaluara kjo periudhë ka qenë 45 ditë, me propozim të grupit punues të zgjedhjeve edhe pse kjo nuk është futur në letër dhe nënshkruar, kjo do të shkurtohet në 30 ditë kalendarike prej ditës së zgjedhjeve. Nëse zgjedhjet fillojnë më 23 tetor fushata do të fillojë më 23 shtator. Fushata zyrtare të cilës duhet t'i nënshtrohen subjeket, të cila kanë marrë pjesë në çertifikim janë çertifikuar dhe që do të hynë në fletë votim.

Intervistoi Nadie Ahmeti


XS
SM
MD
LG