Ndërlidhjet

FOTOGRAFITË E FALSIFIKUARA DHE ROLI I MEDIAVE NË IRAK


Jan Jun

Para dy javësh, e përditshmja britanike "Daily Mirror" ka publikuar disa fotografi në të cilat shiheshin disa persona duke u keqtrajtuar brenda një automjeti ushtarak nga disa njerëz të veshur në uniforma ushtarake. Gazeta pohonte se këto fotografi kanë dëshmuar se edhe ushtarët britanikë kanë keqtrajtuar të burgosurit në Irak.
Por, zyrtarët britanikë thonë se fotografitë janë të fallsifikuara. Ministri britanik i Mbrojtjes, Adam Ingram, ka thënë se hetimet ushtarake kanë dëshmuar se imazhet e publikuara nuk janë autentike. “Këto fotografi kategorikisht nuk janë realizuar në Irak. Madje, unë mund t’i them Parlamentit se ky nuk është vetëm mendim i hetuesve zyrtarë, por edhe i atyre të pavarur. Automjeti në të cilin janë fotografuar pamjet nuk ka qenë kurrë në Irak”, ka thënë zoti Ingram. Ai ka shpjeguar se këto fotografi jo vetëm që kanë dëmtuar reputacionin e ushtarëve britanikë, por edhe kanë rrezikuar jetën e tyre. “Që nga fillimi i këtij episodi, e përditshmja Daily Mirror ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria që të veprojnë në bazë të standardeve më të larta, me sinqeritet, transparencë dhe profesionalizëm. Unë tani e sfidoj gazetën që të bëjë të njëjtën gjë”, tha zoti Ingram. Por, kryeredaktori i kësaj gazete, Piers Morgan, ka refuzuar të tërhiqet duke thënë se zoti Ingram nuk ka arritur të dëshmojë se fotografitë janë të falsifikuara.
Kjo çështje ka ngritur dyshime mbi etikën e gazetarëve dhe rolin e media në kohën e luftës. Ruth Therrington nga Universiteti Warwick në Londër thotë se ky skandal ka hapur shumë pyetje jo vetëm për gazetarët, por edhe për editorët dhe pronarët e mediave. “Ekziston një kufi, deri ku duhet shkuar për të vërtetuar burimet dhe faktet para se të shkruhet artikulli. Mendoj se në të kaluarën gazetarët kanë vërtetuar më shumë, kanë qartësuar sa më shumë hollësi, por tash për shkak të ngutisë për të zënë rrëfimin sa më parë, disa etika janë lënë anash”, thotë zonja Therrington.
Sidoqoftë, zbulimi i fotografive të falsifikuara nuk ka arritur të spastrojë në tërësi ushtrinë britanike, e cila është duke vazhduar hetimet mbi një rast të dokumentuar vitin e kaluar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, sipas të cilit ushtarët britanikë kanë rrahur për vdekje një irakien në qytetin Basra.
Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International këtë javë ka publikuar një raport në të cilin ushtarët britanikë akuzohen për vrasjen e civilëve në rrethana jokërcënuese. Në mesin e të vrarëve ishte edhe një vajzë tetë vjeçare.


XS
SM
MD
LG