Ndërlidhjet

A NDIKUAN LIDERËT AMERIKANË NË ABUZIMIN E TË BURGOSURVE?


Andrew F. Tully

Në çdo luftë, liderët përpiqen t'i demotivojnë ushtarët e armikut për të luftuar.
As lufta në Irak nuk ishte përjashtim, kur presidenti amerikan Xhorxh Bush e portretizonte Sadam Huseinin dhe rrethin e tij të ngushtë si njeri, i cili e ka viktimizuar popullin e vet.
A mund të ketë kontribuar kjo edhe në abuzimin e të burgosurve irakienë nga forcat amerikane?
Prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001, presidenti Bush e bëri të qartë se beson që armiqtë e perëndimit nuk paraqesin vetëm pikëpamje të ndryshme ndaj botës, por e paraqesin ligësinë.
Asokohe, Bushi i portretizoi Shtetet e Bashkuara si mishërimin e të mirave të botës, kurse për shumicën e njerëzve të saj tha se janë të drejtë. Madje as skandali për abuzimin e të burgosurve në Irak nuk ndikon në lëvdatatat e tij për mirësinë amerikane.
Ndjenjat e tilla Bush i shfaqi edhe këtë javë në Uashington.
"E di sa e dhimbshme është të shohësh kur një numër i vogël njerëzish e çnderojnë kauzën e ndershme. Ajo që ndodhi në Irak nuk e pasqyron karakterin e mbi 200 mijë vetave në Irak, që kanë shërbyer prej fillimit të operacionit Liria e Irakut", tha presidenti amerikan.
Megjithatë, abuzimet ndodhën dhe u kryen nga burra dhe gra, për të cilët pak veta besonin se kanë natyrë aq të vrazhdët. A kishte të bëjë kjo me trajnimin apo kulturën e tyre?
Po, thotë ish gjenerali amerikan në pension Keneth Allard, ligjërues i çështjeve ushtarake në Universitetin George Washington, i cili i tha Evropës së Lirë se shumë ushtarë amerikanë, 11 shtatorin e morën mjaft seriozisht. Allard thotë se motivimi i ushtarëve është gjë e mirë, por ai duhet mbajtur nën kontroll.
"Atyre iu thanë se arsyeja për të shkuar në Irak ishte në lidhje të drejtpërdrejtë me 11 shtatorin. Por, doli se ajo marrëdhënie as për së afërmi nuk ishte e tillë.
Prandaj kur dikë e dërgoni në luftë, duhet ta stërvitni me kujdes dhe ta këshilloni, në mënyrë që ai të vetëpërmbahet", thotë Allard.
Sipas tij, kjo vetëpërmbajtje nuk u zbatua nga mbikqyrësit e burgjeve. Në rastin më të keq, oficerët nuk i përfillën, madje i inkurajuan dhe i urdhëruan vartësit e vet që t'i abuzojnë irakienët.
Allard thotë se abuzimi i të burgosurve nuk është diçka e re në luftë, meqë jeta e ushtarëve është në rrezik të vazhdueshëm. Por ai thotë se komandantët duhet të jenë të vetëdijshëm për emocionet e vartësve të tyre.
"Gjithmonë kur keni një situatë me të burgosurin e luftës, duhet të jeni koshientë për abuzimet e mundshme. Duhen marrë masa për t'i pandaluar ato", thotë Allard, i cili megjithatë e hedh poshtë nocionin që krerët e ushtrisë të jenë përgjegjës për ndikimin te mllefi i ushtarëve ndaj armikut.
Por Peter Kuznick thotë se askush nuk duhet fajësuar më shumë se Bushi për dehumanizimin e armikut irakien. Profesori i historisë nga Universiteti Amerikan në Uashington thotë se Bushi së tepërmi i thjeshtësoi thirrjet për luftë.
"Ajo që ndodhi në këtë luftë është se fill pas 11 shtatorit, presidenti Bush tha se kjo është një luftë madhore ndërmjet të mirës dhe të keqes, e cila në mendjet e shumë njerëzve u përkthye si luftë ndërmjet Krishterimit dhe fundemantalizmit islamik, si antitezë e gjitha vlerave tona perëndimore. Kjo çoi në idenë se irakienët janë fundamentalisht të ndryshëm", thotë Kuznick, duke shtuar se megjithatë, gjithë faji nuk qëndron te Bushi.
"Ushtarët e rinj amerikanë u rritën në një botë me video lojëra, me dhunë të theksuar në film dhe televizion. Nuk mendoj se kultura jonë e çmon jetën e njeriut ashtu siç e bënte para 4 dekadash. Shekulli i 20, në shumë mënyra ishte shekull i tmerrshëm, kur jeta dukshëm u zhvleftësua", përfundon Kuznick.

XS
SM
MD
LG