Ndërlidhjet

PRIEBE: KOSOVA NUK MUND TË MBETET JASHTË INTEGRIMEVE EVROPIANE, PAVARËSISHT STATUSIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bashkimi Evropian ka instrumente të ndryshme për ta ndihmuar Kosovën, në mënyrë që ajo t’i përmbushë standardet e kërkuara për integrime evropiane, ka thënë sot në Prishtinë drejtori i Komisionit Evropian për Ballkanin, Reinhard Priebe. Këto komente, Priebe, i bëri pas përfundimit të takimit dyditor të Mekanizmit Përcjellës për Kosovën, ku janë shqyrtuar disa rekomandime të dala për Kosovën nga Samiti i Selanikut, pastaj ndërlidhshmëria e procesit të standardeve dhe Mekanizmit Përcjellës e çështje të tjera. Politika jonë, është që të gjitha vendet e Ballkanit t’i bashkohen Bashkimit Evropian, tha Priebe, duke përmendur këtu dhe Kosovën:
“Ne nuk duam që Kosova të mbetet jashtë këtij procesi, pavarësisht çështjeve të komplikuara që lidhen me statusin e padefinuar të saj”, tha Priebe. Ai pohoi po ashtu se Kosova ka një gjendje tejet të rëndë ekonomike dhe kërkoi bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës me Bankën Botërore dhe institucione të tjera monetare nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, për të krijuar një strategji zhvillimore.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se gjatë takimit me zotin Priebe ishte i pashmangshëm dhe trajtimi i trazirave të marsit, duke konstatuar se zhvillime të tilla nuk guxojnë të përsëriten në të ardhmen, pasi ato, përveç pasojave të tjera, janë pengesë reale për integrimet evropiane. Më pas, Rexhepi kërkoi që në funksion të zhvillimit të saj, Kosova të përfshihet në marrëveshjet rajonale për tregëti të lirë dhe energjetikë. Mekanizmi Përcjellës do të reflektojë dhe në aspektin e përmbushjes së standardeve për Kosovën, tha kryeministri Rexhepi, për të shtuar se këto dy procese megjithatë dallojnë për nga afatizimi kohor:
“Dallimi kryesor në mes këtyre dy proceseve është jetëgjatësia e tyre. Përderisa kemi afatin e caktuar për Kosovën, procesi i Stabilizim-Asociimit do të vazhdojë deri në integrimin evropian dhe në plotësimin e kushteve për përfshirje në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i Kosovës.
Qeveria e Kosovës, tha kryeministri Rexhepi, ka raportuar në këtë takim rreth mekanizmit monitorues të plotësimit të standardeve dhe kritereve të Asociim-Stabilizimit. Gjithashtu, si rezultat i takimit kishte dalë dhe kërkesa për nxjerrjen e strategjisë së zhvillimit afatmesëm të Kosovës, kërkesa për vazhdimin e procesit të privatizimit, uljen e suficitit buxhetor si dhe krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve:
“Kosova duhet të jetë në gjendje të tërheqë investimet direkte. Pa një investim të mirëfilltë ekonomik, nuk mund të ketë as një zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë”, tha Rexhepi.
Ky ishte takimi i katërt i Mekanizmit Përcjellës i mbajtur në Prishtinë, pasi Kosova për shkak të statusit të pazgjidhur nuk ka, mund të përfshihet drejtpërdrejt në kuadër të procesit të Stabilizim-Asociimit. Ky mekanizëm mëton që Kosova t’i përmbushë disa kritere të domosdoshme për integrime evropiane, proces ky që sipas qeveritarëve kosovarë do të ndodhë vetëm pasi që të zgjidhet statusi i saj.


XS
SM
MD
LG