Ndërlidhjet

logo-print

BEQAJ: NDËRTIMI I VLERAVE EVROPIANE TË SHOQËRISË KOSOVARE- DOMOSDOSHMËRI


Belul Beqaj, Kryetar i Lëvizjes Evropiane të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqaj a mund të na thoni shkurtimisht se cila është natyra dhe shtrirja e lëvizjes Evropiane të Kosovës?

BELUL BEQAJ
Fillimisht qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se pas luftës dhe okupimit do të ketë pasoja dhe kanë shpresuar se pas periudhës së luftës do të hapen shtigjet e zhvillimit investimit dhe shpresës. Mirëpo proceset e përgjithshme të pasluftës, si gjithmonë na kanë zhgënjyer dhe në krizë këtu është praktikisht çdo gjë, edhe nocioni i krizës. Për këtë arsye ne menduam që duhen kushtet e duhura për ndërtimin e shoqërisë pluraliste dhe tolerante, në të cilën do të zhvillohej konkurenca mes programeve bashkëkohore me frymë evropiane. Dhe menduam që për këtë gjendje eventualisht të bëjmë një përpjekje për ta ndryshuar dhe e nisëm Lëvizjen Evropiane, me qëllim që ta kultivojmë një dialog dhe të japim mundësi të konkurencës së ideve në ndërtimin e vlerave evropiane të shoqërisë kosovare. Ju e dini më mirë se ne ndoshta se kemi nevojë për transformim shumë më të shpejtë të vlerave ekonomike, morale, politike, konform atyre evropiane. Ky transformim, sipas mendimit tonë, presupozon faktikisht ribërjen e vetëdijes së shoqërisë kosovare, në të cilën duhen kombinuar të gjitha vlerat tradicionale me vlerat universale të civilizimit bashkëkohor evropian. Kjo nënkupton sipas mendimit tonë reformën e mentalitetit kosovar para së gjithash, ribërjen e të gjitha hallkave të sistemit egzistues. Ribërja nënkupton vënien e pushtetit në interes të qytetarit dhe kjo ka brenda rritjen e standardit të jetës së qytetarit në kriterin kryesor për krijimin e efektshmërisë dhe përgjegjësisë së pushtetit. Dhe natyrisht për këtë ne mendojmë që kjo ide është plasuar, koncepti është plasuar dje.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë ambicjet e kësaj lëvizjeje. Deri ku shkojnë pretendimet e saj në kuptimin e përfshirjes në skenën politike?

BELUL BEQAJ
Ne do të luftojmë për hapësirë politike në Kosovë dhe mendojmë se ky zhgënjim nuk është vetëm i anëtarëve dhe këshillit nismëtar të lëvizjes, por është zhgënjim i pjesës dërrmuese të qytetarëve. Kjo për arsye se me gjendjen aktuale në Kosovë, përveç pushtetarëve dhe atyre që kanë patur punë me pushtetin, askush nuk është i kënaqur. Pikërisht këtu është një hapësirë ku duhet vepruar dhe them se këtu ka mundësi të ndikimit dhe të përhapjes së idesë dhe vlerave evropiane. Të jemi të sinqertë, në Evropë nuk shkohet si po mendohet dhe po flitet, në mënyrë mekanike apo propagandistike; nuk shkohet as me veturë, as me anije as me avion, por do të shkojmë vetëm që të ndërtojmë vetëdijen e vlerave dhe të punojmë për këto vlera. Të tjerat janë pjesë të egzistencës së ardhmërisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqaj, a do të thotë kjo se do të merrni pjesë edhe në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit sivjet?


BELUL BEQAJ
Pas një përcaktimi statutor dhe ligjor në planin e Kosovës, mund të dalë jashtë kornizave të organizatës joqeveritare. Veç ne pretendojmë që shumë shpejt të bëhemi pjesë e një familjeje të madhe të Lëvizjes Evropiane që e ka selinë në Bruksel. Kjo është çështje definitive dhe konstante. Ne mbesim një shoqatë qytetarësh, por kjo shoqatë qytetarësh si çdo qytetar i Kosovës, nuk e përjashton mundësinë që të fillojë iniciativa për zgjedhje. Kjo është çështje e vetëdijes, përgjegjësisë dhe vlerësimit të anëtarëve të kësaj shoqate edhe tek gjithë qytetarët e Kosovës për hapjen e mundësisë së formimit të iniciativave qytetare. Të tjerët ndoshta do të kenë edhe pretendime për zgjedhjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndikojë kjo lëvizje në synimet e Kosovës për integrime evropiane?

BELUL BEQAJ
Unë mendoj se kjo lëvizje është fati më i sigurtë, dera më e sigurtë për integrimin e Kosovës në Evropë, meqë ne faktikisht sipas definimit, siç thashë pak më lart, jemi pjesë e Lëvizjes Evropiane që e ka selinë në Bruksel. Të gjithë po flasin për integrime evropiane, flasin të gjithë liderët dhe faktorët e tjerë politikë, por mendoj se jemi ne jemi pjesë e kësaj ideje, pjesë e këtij koncepti dhe në këtë mënyrë mundemi të jemi pishtarë të një procesi, të cilin duhet ta përqafojnë të gjithë.

Intervistoi Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG