Ndërlidhjet

JOHNSON: KOSOVA NË TË ARDHMEN JO TË LARGËT, ANËTARE SOLIDE E INSTITUCIONEVE TË NATO-S


NATO do të garantoj qetësinë dhe sigurinë në Kosovë, siguri kjo që nuk do të ndërtohet përmes armëve, por përmes vënies së rendit dhe zbatimit të ligjit, ka thënë sot në Prishtinë, komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admirali Gregory Johnson. Këto komente, Johnson i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepin, të realizuar në një vizitë të tij në Kosovë, me ç’rast admirali amerikan ka takuar dhe komandantin e KFOR-it Holger Kamerhof, zëvendësin e parë të shefit të UNMIK-ut Charles Brayshaë dhe disa nga liderët e partive politike. Admirali Johnson tha po ashtu se të 19 mijë ushtarët e KFOR-it në Kosovë, janë të përkushtuar të garantojnë qetësinë dhe në funksion të këtyre masave, tha ai, KFOR-i po i shton patrullimet po mbledh sa më tepër informacione të domosdoshme për këtë forcë ushtarake.
“Kosova në të ardhmen e saj jo të largët mund të jetë anëtare solide e institucioneve të Aleancës Veriatlantike, por mënyra e vetme që ta arrijë këtë qëllim është që ajo të tregohet e përkushtuar ngritjen e një shoqëri ku zbatimi i ligjit do të jetë i garantuar, sikurse që do të jenë të garantuara dhe funsionimi i institucioneve dhe tolerancës ndëretnike”, ka thënë admirali Johnson. Njëkohësisht, Johnson u ka bërë thirrje lidershipit vendor në të dy nivelet e pushtetit, qytetarëve dhe mediave kosovare që të ndihmojnë përpjekjet e NATO-s për arritjen e këtyre qëllimeve.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi tha se e kishte informuar admiralin Johnson me gjendjen aktuale dhe hapat që ai dhe qeveria po i ndërmarrin në qetësimin dhe normalizimin e situatës. Në këto angazhime, kryeministri Rexhepi përmendi sidomos nismën e tij për rivensjen e dialogut të brendshëm ndëretnik në Kosovë, të cilin sipas Rexhepit, po e mirëpret edhe popullata serbe e Kosovës. Rexhepi bëri thirrje gjithashtu që edhe udhëheqësit dhe strukturat tjera kosovare të angazhohen në këtë drejtim.
“Sa i përket dialogut të brendshëm ne i spjeguam se e kemi filluar një iniciativë mjaftë të mirë e cila relativisht është pritur mirë edhe nga komuniteti serb, por nuk mjaftojnë që vetëm qeveria dhe ministrant, por duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi edhe anëtarët e Parlamentit, edhe nivelet locale të jenë më aktive, në mënyrë që të krijojmë një ambient për të gjitha komunitetet për arsye se kjo siguron një përspektivë më të mirë edhe për ne”, tha kryeministri Rexhepi.
Që nga trazirat e marsit, admirali Johnson ka vizituar disa herë Kosovën, duke e siguruar atë se NATO nuk do të lejojë kaosin e brendshëm si dhe duke u ofruar institucioneve vendore përkrahjen e Aleancës Veriatlantike për normalizimin e gjendjes.

Zijadin Gashi, Prishtinë
XS
SM
MD
LG