Ndërlidhjet

AHMETI: JANË TË DREJTA AKUZAT E AMNESTY INTERNATIONAL PËR TRAFIKIMIN E FEMRAVE NË KOSOVË


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Ahmeti, organizata Amnesty International në raportin e fundit ka akuzuar misionin ndërkombëtar në Kosovë për përshkallëzimin e trafikimit të femrave në Kosovë. Cilat janë të dhënat e organizatës suaj rreth kësaj çështjeje?

SEVDIJE AHMETI
Në rend të parë kisha folur për numrin e viktimave. Prej vitit 2000 deri në fund të vitit 2003 kemi përkrahur 422 viktima, 89 përqind janë viktima vendore me origjinë kosovare. Kështu është një ngritje e vetëdijes për mentalitetin tonë kosovar se kjo gjë është duke ndodhur kundër fëmijeve, grave tona dhe qënieve njerëzore. Kurse 11 përqind kanë qenë të huaja. Ndërsa lidhur me akuzat që Amnesty International ka drejtuar drejt komunitetit ndërkombëtar duke përfshirë edhe policë ndërkombëtarë, KFORI-in, UNMIK-un, janë të drejta, sepse janë bazuar në raportet tona dhe në intervistat që kanë bërë drejtpërdrejt me viktimat, për të vërtetuar faktet. Ç'është e vërteta në vitin 2000, 80 përqind e klienteve të shërbimeve seksuale në Kosovë kanë qenë të huaja. Në vitin e 2001 ky numër ka rënë në përqindje, 65 përqind kanë qenë të huaja, kurse në vitin 2002 ky numër arrin shifrën 62 përqind të jenë kosovarë, ndërsa shfrytëzimi ndërkombëtar bie në 35 përqind. Dhe viti 2003 shkon deri në 25 përqind, nuk shkon në 20 përqind edhe pse thotë Amnesty International, është shumë fleksibil dhe e zvoglon përqindjen e shkallës së shfrytëzimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raport është thënë se femrat e trafikuara dhe të detyruara në prostitucion nuk trajtohen si viktima, por arrestohen. Sa mund të ndihmojnë organizatat në zgjidhjen e këtij problemi me institucionet vendore, a ekziston ndonjë rrugë ligjore që do të mund të zbatohej në këtë rast?

SEVDIJE AHMETI
Është e vërtet se viktimat e trafikimit kanë qenë të arrestuara. Mirëpo, ky avaz i arrestimit të viktimave të cilat trajtohen si kriminele vazhdon dhe shumica prej tyre edhe arrestohen. Me faktin se janë për ta, janë arrogante ose nuk sillen mirë, ose refuzojnë të dalin nga baret apo bordelet në të cilët gjenden. Ligji egziston është rregullorja 2001/4 e cila është për parandalimin e trafikimit dhe denocimin e kryesëve të veprave kriminele të rekrutimit të viktimave për industrinë e seksit. Mirëpo, ajo që na brengos neve është implementimi i kësaj rregulloreje në mënyrë të plotë dhe të fuqishme. Ka seksione që nuk janë të implementuara fare dhe aspak nuk i ndihmojnë viktimat dhe ai seksion është i përjashtuar tëresisht. Por, duhet të kihet parasysh se departamenti i drejtësisë nuk është në duart e qeverisë kosovare, por është në duart e UNMIK-ut. Prandaj kush është ai implementuesi? Kush kujdeset për implementimin? Është departamenti i drejtësisë. Fajet duhet të merren ashtu sikurse janë, adresimet dhe përgjegjësitë patjetër duhet të merren ashtu siç janë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë tashmë disa herë se Kosova ka rrezik të shndërrohet nga një vend tranzit, nëpër të cilin kalojnë femrat e trafikuara, në vend që furnizon trafikuesit me viktima të reja. Ku qëndrojnë shkaqet e kësaj dukurie?

SEVDIJE AHMETI
Kosova si tranzit. Sipas intervistave që kemi bërë, unë mendoj se Kosova prej vitit 1999 është vend origjine për trafikim, vend importi, shfrytëzimi dhe vend tranziti për trafikim. Praktikisht, nëse viktimat sillen prej Evropës Lindore në Kosovë, është një rrugë më e lehtë që ato të transferohen për trafikim, nga rruga Beograd- Prishtinë, të sillen nga Podgorica të shkojnë Tivar- Bari ose të shkojnë në Maqedoni ku eksploatohen përsëri dhe nëpër Shqipëri nga Vlora ose Durrësi me gomone të shkojnë në Itali. Por, është edhe një problem tjetër, se ne jemi vend eksporti. Në Francë ne kemi pasur kontakte më gjashtë viktima vendore, në Itali po ashtu ka shumë viktima kosovare që janë të trafikuara atje, ka në Gjermani, Suedi. Suedia që e ka ligjin kundër prostitucionit në përgjigjësi, jo vetëm kundër trafikimit, ka viktima dhe unë kam biseduar më dy viktima të trafikimit të mitura.

Intervistoi Nadije Ahmeti
XS
SM
MD
LG