Ndërlidhjet

PËRFAQËSUES TË GRUPIT PËRKRAHËS PËR KOSOVËN TAKOJNË LIDERËT KOSOVARË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Grupit Përkrahës për Kosovën, ku marrin pjesë përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, kanë zhvilluar sot takime të ndara me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e Kosovës, me qëllim që të informohen rreth masave që po ndërmarrin institucionet vendore për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit si dhe për t'u informuar më tepër në lidhje me procesin e plotësimit të standardeve. Pas një takimi kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepin, ky i fundit tha se në diskutimin e tij ai kryesisht është përqëndruar, në angazhimet e qeverisë pas trazirave të marsit:
“I informuam se çfarë është bërë që nga takimi i fundit. Zyrtarisht do të përgatisim një raport, në mënyrë që të kemi një raport për Grupin Përkrahës që vjen më 8 qershor dhe t’i kemi rezultatet konkrete të cilat janë arritur dhe hapat e mëtejshme. Pra do të bëhet vlerësimi çdo gjashtë javë edhe sa i përket standardeve, rindërtimit, dialogut të brendshëm etj”, tha Rexhepi.
Ndërkohë, pas një takimi të përfaqësuesve të Grupit Përkrahës me kryetarin e Partisë Demokratike Hashim Thaçin, ky i fundit tha se ishte diskutuar dhe nevoja e hartimit të një plani që do të shpejtonte bartjen e përgjegjësive te vendorët, në funksion të përshpejtimit të proceseve aktuale, me theks të veçantë në plotësimin e standardeve për Kosovën:
“Përkushtohen edhe më tepër për implementimin e standardeve në Kosovë, thellimin e bashkëpunimit në mes UNMIK-ut dhe institucioneve vendore, dhe domosdoshmërinë e ndryshimeve substanciale të raporteve në favor të institucioneve vetëqeverisëse të Kosovës dhe besoj se së shpejti do të krijohet edhe një platformë e qartë e implementimit të prioriteteve tona të domosdoshme për realizimin e objektivave tona të përbashkëta”, tha Hashim Thaçi.
Lidhur me kërkesat e përfaqësuesve të Grupit Përkrahës, foli kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vlerësoi se zbatimi i këtyre kërkesave i shkon në dobi në rend të parë vetë Kosovës:
“Angazhimi i tyre, kërkesa që kishin për ne ishte që angazhimet që i kemi marrë në nivelin qëndror, për të rindërtuar dhe riparuar pasojat nga revolta qytetare që shpërtheu në mars, të kalohet pra ky angazhim edhe në nivelet tjera, në nivelet komunale, në nivelet lokale dhe ne do të veprojmë në këtë drejtim”, tha Ramush Haradinaj.
Gjatë ditës, në funksion të përgatitjes së takimit zyrtar të Grupit Përkrahës për Kosovën që do të mbahet më 8 qershor në Prishtinë, përfaqësuesit e këtij Grupi kanë zhvilluar takime të mbyllura dhe me zëvendës-shefin e parë të UNMIK-ut, Charles Brayshaw dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Ndërkohë, po sot, shefi i administratës ndërkombëtare Harri Holkeri, është takuar me kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepin, para se Holkeri të shkojë me pushime në vendlidjen e tij në Helsinki për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore. Pas këtij takimi, kryeministri Rexhepi tha se ai shpreson që Holkeri do të ndihet më mirë dhe do të mund të kthehet sërish në postin e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara. Rexhepi tha po ashtu se i kishte thënë Holkerit se qeveria e Kosovës do të presë qëndrimin e UNMIK-ut rreth vazhdimit të procesit të privatizimit deri në fund të këtij muaji, para se ajo të marrë vendimet e veta në lidhje me këtë proces. Kryeministri tha se ishin marrë vesh që të krijohet një strategji për shpejtimin e procesit implementues të standardeve dhe reformimit të administratës lokale:
“U morëm vesh çka më tutje me standardet, ku duhet t’i specifikojmë disa pjesë që t’i kemi disa rezultate konkrete deri në takimin e ardhshëm të Grupit Përkrahës për Kosovën. Po ashtu duhet të shikohet ideja që strukturat tona, Ministria e Shërbimeve Publike, kryeministria, ekspertët nga UNMIK-u dhe ekspertët jashtë Kosovës, që t’i bëjnë disa propozime për reformat në administratën lokale, sepse ajo është kompetencë e jona dhe duhet të propozojmë një draftpropozim”, tha kryeministri i Kosovës.
Pas takimit me Holkerin, kryeministri i Kosovës tha gjithashtu se ishte marrë vendim që të hapen dhe katër zyra të reja në kuadër të kryeministrisë, ku bëjnë pjesë Zyra për Planifikim Strategjik, ajo për Integrime Evropiane, Zyra për Sigurinë Publike, dhe ajo për Energjetikën dhe Resurset Natyrore. Paraprakisht një zyrë e tillë është hapur në lidhje me koordinimin dhe bashkëpunimin e Kosovës me jashtë.



XS
SM
MD
LG